Rexhep Meidani u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” në Tetovë
Në kuadër të ceremonisë së 31 vjetorit, Universiteti i Tetovës i ka ndarë titullin më të lartë akademik, Doctor Honoris Causa, ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani, shkruan Portalb.mk.
Ky vlerësim iu dha Meidanit për kontributin e tij të veçantë në fushën e arsimit, shkencës dhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj institucioneve akademike shqiptare, veçanërisht Universitetit të Tetovës, në periudha të rëndësishme të zhvillimit të tij.
Pas pranimit të titullit, Rexhep Meidani u shpreh se ndihet thellësisht i nderuar dhe i lumtur për këtë mirënjohje, duke theksuar lidhjen e veçantë që ka me Tetovën dhe Universitetin e Tetovës. Ai rikujtoi se qytetin e Tetovës e ka vizituar shpesh ndër vite dhe se në një periudhë ka qenë edhe ligjërues në këtë universitet, çka e bën këtë vlerësim edhe më domethënës për të.
“Për mua dhënia e këtij titulli ka një domethënie të veçantë. Gjatë viteve 1976–1981, disa herë në vit, pas një ligjërimi 20-ditor në Universitetin e Prishtinës, në rrugën e kthimit për në Shqipëri, një nga ndalesat ishte edhe Tetova. Këtu është strehuar përkohësisht familja ime republikane pas rrëzimit të republikës dhe instalimit të mbretërisë. Ndoshta kjo ndalesë ka qenë një parapërgatitje për kthimin tim si ligjërues 20 vite më vonë, me ftesë të ish-rektorit Sadi Bexheti, të ish-kolegut të Universitetit të Prishtinës, Lufti Istrefi, dhe me ftesë të mikut tim Rexhep Qosja, për të ligjëruar në Universitetin e Tetovës”, tha Meidani.
Rektori i UT-së, Jusuf Zejneli, tha se UT-ja nuk është thjesht ndërtesë, por simbol i kombit.
“Ky nuk është vetëm një institucion i arsimit të lartë, por një histori e ndërtuar mbi sakrificë dhe përgjegjësi akademike. Universiteti i Tetovës u themelua më 17 dhjetor të vitit 1994, në një kontekst të rëndë politik, juridik dhe shoqëror për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Themelimi i tij nuk ishte vetëm një akt formal juridik, por një akt i vetëdijes arsimore kombëtare, i dedikuar për mungesën e arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe për nevojën për barazi akademike”, tha Zejneli.
Universiteti i Tetovës dje shënoi 31 vjet nga mbajtja e ligjëratave të para, më 17 dhjetor 1994, një datë historike që shënoi themelimin e një institucioni kryesor për arsimin e lartë në gjuhën shqipe dhe zhvillimin akademik e shoqëror në Maqedoninë e Veriut.