Postim propagandistik kundër Ukrainës se gjoja është “shtet terrorist”

Ukraina nuk është një shtet terrorist, sepse ajo nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, por është bërë viktimë e një invazioni ushtarak të paprovokuar, në përpjekjen e Rusisë për të marrë territoret e saj. Gjatë këtyre sulmeve humbën jetën shumë civilë, u shkatërrua infrastruktura strategjike e Ukrainës, vendit iu ndërpre rrjedha e zakonshme, rritja dhe zhvillimi nën një qeveri dhe udhëheqje të zgjedhur në mënyrë demokratike, përfshirë edhe presidentin, shkruan Vërtetmatësi.

“Po recensojmë një postim në rrjetin social Facebook në të cilin shkruhet:”

“Operacioni Special Ushtarak nga faza e përballjes me elementin fashist, kalon në fazën: Ukraina – shtet terrorist. Edhe një gabim tjetër i kombit ukrainas, si shërbëtor i interesave perëndimore, që do ta kushtojë shtrenjtë. Me sulmin ndaj potencialit strategjik bërthamor, është kaluar vija e kuqe. Pres nga BE-ja paketën e 18-të të sanksioneve.”

Nuk është e vërtetë ajo që thuhet në postim se Ukraina është një “shtet terrorist”. Ukraina është një shtet i sulmuar nga Rusia, e cila në shkurt të vitit 2022, në mënyrë të paprovokuar dhe pa asnjë sulm apo provokim, e sulmoi territorin e një shteti sovran dhe demokratik, i cili që atëherë është i detyruar të mbrohet. Sulmi i kryer nga Rusia ndaj Ukrainës nuk është një “operacion ushtarak special”, por një pushtim ushtarak që është shndërruar në luftë. Propaganda shtetërore ruse, e përfaqësuar kryesisht nga presidenti Vladimir Putin, në fillim të pushtimit ushtarak vazhdimisht e quante atë një “operacion special”, megjithëse në fakt bëhej fjalë për një luftë agresioni. Kremlini vazhdimisht pohonte se “nuk kishte ndodhur sulm ndaj Ukrainës”.

Duke përdorur eufemizmin “operacion special”, ai krijoi pritshmëri për një veprim që do të ishte i kufizuar në kohë dhe përmasë dhe që nuk do të ndikonte në jetën normale të shumicës së rusëve. Ai gjithashtu i mbylli gojën kritikave për pushtimin dhe e bëri vepër penale përshkrimin e luftës si luftë, përmes nënshkrimit të ligjeve që parashikojnë dënime të gjata me burg për “diskreditim” të forcave të armatosura ose përhapje të “informacioneve të rreme” për to, shkruan “Reuters”.

Duke ndjekur narrativën e Kremlinit, mediat propagandistike ruse e mbulojnë pushtimin e Ukrainës duke e quajtur atë “operacion ushtarak special”. Ukrainasit etiketohen si “neonazistë”, ndërsa territoret e pushtuara nga ushtria ruse përshkruhen si “territore të çliruara”. Në fazën fillestare të luftës, mediat ruse shpesh transmetonin komente ku civilët u falënderonin forcat ruse për “çlirimin” e tyre. Këto lloj komentesh u përdorën nga Rusia për të legjitimuar pushtimin e saj të Ukrainës.

Pasi një nga arsyetimet kryesore të Putinit për pushtimin e Ukrainës ishte e ashtuquajtura “denazifikim i vendit”, burimet ruse shpërndanë manipulime të ndryshme për ta mbështetur këtë narrativë me “prova faktike”. Për shembull, qarkulloi një version i modifikuar në formë digjittale i një raporti të BBC-së, në të cilin shihej një ushtar ukrainas që mbante shenja naziste. Megjithatë, në versionin autentik, ushtari në të vërtetë mbante emblemën e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Propaganda ruse gjithashtu e akuzoi në mënyrë të rreme ish-komandantin suprem të forcave të armatosura ukrainase, Valerij Zaluzhnyi, se mbante një simbol nazist. Në të vërtetë, byzylyku i tij kishte një simbol skandinav dhe jo svastikën. Gjithashtu, qarkulluan dezinformata që pretendonin se vajza e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskj, Oleksandra, kishte ikur në Poloni dhe e kishte quajtur babanë e saj nazist dhe vrasës të popullit ukrainas. Mesazhet me këtë pretendim përfshinin një fotografi të një vajze të re që qante në një makinë. Megjithatë, vajza në fotografi nuk ishte Oleksandra Zelenska dhe pamja ishte në fakt marrë nga një video e publikuar në vitin 2017, sipas verifikuesve të fakteve nga “Myth Detector”.

Batalioni “Azov” fillimisht ishte një grup vullnetar ultranacionalist i themeluar në vitin 2014, i cili mori pjesë në luftën në Donbas. Një nga themeluesit e tij është Andrij Bilecki, i cili e la batalionin pasi “Azov” u integrua në Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Ukraina nuk është një shtet terrorist, sepse ajo nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, por është bërë viktimë e një invazioni ushtarak të paprovokuar, në përpjekjen e Rusisë për të marrë territoret e saj. Gjatë këtyre sulmeve humbën jetën shumë civilë, u shkatërrua infrastruktura strategjike e Ukrainës, dhe vendit iu ndërpre rrjedha normale e zhvillimit dhe rritjes nën një qeveri dhe udhëheqje të zgjedhur në mënyrë demokratike, përfshirë presidentin. Pushtimi ushtarak i Ukrainës e detyroi shtetin të mbrohet, ndërsa elementi perëndimor i përmendur në postimin që po recensojmë, u pozicionua në anën e mbështetjes së të drejtës së Ukrainës për vetëmbrojtje. Kjo nuk e bën Ukrainën “shërbëtore të interesave perëndimore”, sepse shtetet perëndimore nuk do të kishin pasur nevojë ta mbështesnin Ukrainën në të drejtën e saj për vetëmbrojtje nëse ajo nuk do të ishte sulmuar fillimisht nga Rusia.

Sipas së drejtës së Bashkimit Evropian, veprat penale terroriste janë vepra të kryera me qëllim frikësimin serioz të popullatës, detyrimin e tepruar të një qeverie apo organizate ndërkombëtare që të ndërmarrë apo të përmbahet nga ndërmarrja e ndonjë veprimi, destabilizimin apo shkatërrimin serioz të strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike ose sociale të një shteti apo organizate ndërkombëtare. Ukraina nuk ka kryer asgjë nga ato që u përmend më sipër.

Më 1 qershor 2025, Ukraina realizoi një operacion të suksesshëm në të cilin u shënjestruan objektiva thellë në territorin e Rusisë (operacioni “Rrjeta e merimangës”). Ukraina bëri të ditur se mbi 40 bombardues, ose rreth një e treta e flotës së bombarduesve strategjikë të Rusisë, u dëmtuan ose u shkatërruan gjatë operacionit, megjithëse Moska njoftoi se ishin goditur vetëm disa avionë. Bombarduesit strategjikë të Rusisë ishin përdorur për të lëshuar raketa balistike dhe lundruese nga hapësira ajrore ruse për të goditur objektiva në të gjithë Ukrainën, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima civile.

Për shkak të të gjitha fakteve të mësipërme, postimin që po recensojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.