POST-DEMOKRACIA (II)
Në post-demokraci lëvizjet sociale janë shumë më pak të gjalla. Politikanët më tepër iu përngjajnë tregtarëve; ata për të mbajtur gjallë ‘biznesin’ e tyre mundohen të zbulojnë se çfarë duan klientët në mënyrë që t’i përshtaten ‘tregut’. Në këtë teatër post-modern, nga njëra anë kemi politikanë me shpërfaqje dyqanxhiu, kemi shou biznes, marketing, tregtarizim dhe komodifikim, kurse nga ana tjerë qytetarë të manipuluar dhe pasivë.
Në post-demokraci ndodh shkëputja e vendimmarrjes politike nga institucionet qeveritare formalisht përgjegjëse në arena si sistemet e negociatave neo-korporatiste, komitetet e ekspertëve, organet e konsultimit dhe komitetet qeveritare, trupat e konsensusit, tavolinat e rrumbullakëta, QUAGO (kuazi organizatat qeveritare) dhe QUANGO (kuazi OJQ-të). (Czada, 2015).
Në këtë lloj administrimi, qeveritë viktimizohen ose kapen nga interesat e kapitalit. Si shembuj të këtij lloji të demokracisë janë SHBA-të ku polarizimi në rritje dhe ndikimi i parave në politikë kanë çuar në apatinë e zgjedhësve dhe skepticizëm për procesin politik, Mbretëria e Bashkuar pas Brexitit dhe shumë vende të të tjera Europës.
Në kulmin e krizës së euros, kreditorët ndërkombëtarë ushtruan presion mbi kryeministrat e zgjedhur demokratikisht të Italisë dhe Greqisë që të japin dorëheqje, për t’u zëvendësuar nga teknokratë të mbështetur nga Bashkimi Evropian. (Rosengaard, 2015) Në Kroaci, pas rënies së komunizmit në vend të sundimit të shumicës (demokracisë) mbizotëron një numër i vogël (oligarkia), pra është shënuar një prishje e ekuilibrit në favor të një klike me elemente të kleptokracisë.
Sipas Milardović-it, demokracia kroate është rejting-demokraci, demokraci e spineve, e pseudo-ngjarjeve, demokraci e gjysëmkonsoliduar. (, 2015:178) Në Brazil skandali i korruptimit “Lava Jato” zbuloi lidhjet e ngushta midis politikës dhe bizneseve të mëdha, skandalin më të madh të ryshfetit në histori. Në Rusi, ka akuza për kapjen e shtetit nga oligarkët e biznesit. Në Turqi partia në pushtet atakohet për lidhje me holdingje që punojnë edhe për të.
Sipas Anna Krasteva-s (2019) post-demokracia është dallga e fundit e transformimit post-komunist, rrjedhim ky i kapjes së shtetit dhe dhe tëhuajësimit të qytetarëve nga projekti demokratik, duke e identifikuar me këtë term sociologjik dhe politologjik edhe Bullgarinë.
Sipas saj janë tre faza që kanë ndjekur ish-regjimin monist: post-komunizmi, populizmi (nacional) dhe postdemokracia, kur sundojnë qarqet e ngushta private, jo-transparente, ekonomiko-politike, rrjetet klienteliste që përfshijnë kriminelët, biznesmenët, politikanët, zyrtarët policorë, gjykatësit, prokurorët, figurat publike, madje edhe personat e fesë.
Kjo matricë të cilën e përshkruan Krasteva i përshtatet shumë edhe kontekstit të RMV-së, epokës së gruevizmit kur kompani të shumta të afërta me qeverinë, në mënyrë jolegjitime ishin rritur shumë ekonomikisht duke abuzuar me kapitalin shtetëror në raste të shumta, nga ndërtimi i Shkupi 2014, i autostradave deri te 1000 librat universitarë katastrofikë; skema të ngjashme kanë zbatuar edhe parti të tjera, përfshi edhe më të madhen shqiptare në pushtet (BDI) që ka krijuar tajkunë brenda dhe jashtë partisë, madje edhe ndërmarrjet e veta, gjegjësisht të ngritura dhe të mbështetura nga ajo.
Makineria e marketingut-manipulimit të partisë dominante shqiptare, me ngjyrat dhe motto-t e çdo cikli ka funksionuar në mënyrë “tepër profitabile” duke shfrytëzuar herë simbolikën e patriotizmit, herë europianizimin dhe BE-në, herë agjendën ekologjike. Post-demokracia shqiptare në vokabularin e rrugës mund të shprehet me fjalitë: “Ata i kanë bërë drunjtë!”, “Sido që të jetë, ata do të fitojnë!”, “Ata shumë lehtë mund të blejnë politikan kur të kenë nevojë!”
Behrouz Alikhani (2017) në vend të post-demokracisë sugjeron termin de-demokratizim që sipas tij është më i përshtatshëm me realitetin, më dinamik dhe më i diferencuar. Pasojat e gjendjes post-demokratike janë rënia e besimit në politikë dhe në demokracinë e simuluar, apatia dhe abstinenca e trupit zgjedhor, vënia në gjumë e masave demokratike nga kultura masive, elitizimi/oligarkizimi i demokracisë, problemi i legjitimitetit politik dhe pjesëmarrjes, arenat demokratike me kontroll të pjesshëm, dhe zgjedhjet si një spektakël tërësisht të kontrolluar në formën e ashtuquajturës “demokraci skenike” (stage democracy).
Erozioni në sferën e shërbimeve publike, subkontraktimi i përhapur dhe humbja e kuptimit të autoritetit shtetëror janë nga veçoritë e tjera të kësaj periudhe të relativizimit të së vërtetës (Vattimo) dhe ose të pas-të vërtetës, post-truth, kur gjithçka mund të jetë e vërteta (da Roca-Cunha, 2022), kur vepronjë fuqitë e padukshme (Bobbio), kur politika ka qëllim instrumental: çlirimi i pushtetit (conquest of power).
Sipas vetë shpikësit të termit, Crouch, post-demokracia mund të rezymohet si vijon: firmat globale-institucion kyç, lëkundja e vetëbesimit të qeverisë, dominimi i elitës korporale, dobësimi i klasës punëtore, mobilizimi i identiteteve të reja (feministe, ekologjiste), lobizmi etj.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.