Policia e RMV-së e ka paditur kryetarin, drejtorin, komunën dhe ndërmarrjen publike për ndotje të mjedisit

Për shkak një problem me ujin e pijshëm, Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur padi ndaj komunës, ndërmarrjes komunale dhe dy qytetarëve nën dyshimet për ndotje të mjedisit jetësor, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal kundër L.P. (42) nga Demir Kapia, P.J. (50) nga Negotina, kundër komunës së Demir Kapisë dhe ndërmarrjes publike për punë komunale “Boshavë” nga Demir Kapia për shkak të bazave të dyshimit se kanë kryer vepër penale “ndotje e mjedisit jetësor dhe natyrës” sipas nenit 218 të Kodit Penal”, raportoi Policia.

Ish-kryetari i komunës L.P. dhe ish-drejtori i ndërmarrjes P.J. kanë mundësuar instalimin e rrymës dhe ujit në periudhën qershor-tetor. Policia vlerësoi se instalimi i tillë në rrethinën e Demir Kapisë është kryer në mënyrë joadekuate, pasi mungonin edhe dokumentet për pranim teknik.

“Ata lejuan që pusi të jetë i arritshëm për banorët e fshatit Përzhdevë, me çka kontribuuan në krijimin e një gjendjeje të kontaminimit të ujit të pijshëm, që paraqiste kërcënim për shëndetin e rreth 120 banorëve të fshatit”, raportoi Policia.