Policia arrestoi katër persona pjesëmarrës të të shtënave të mbrëmshme në Çair, dy prej tyre janë të burgosur

SPB Shkupi njoftoi se ka zbardhur ngjarjen penalo-juridike të ndodhur dje (14.10.2024) rreth orës 18:00 në Shkup në rrugën “Hristijan Todorovski-Karposh”, në afërsi të komunës së Çairit, ku nga arma e zjarrit në këmbën e majtë mbeti i lënduar E.A. (35) nga Shkupi. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit janë ndërmarrë masa dhe aktivitete të gjera nga ana e zyrtarëve policorë nga SPB Shkup – Njësiti për krime të dhunshme, në koordinim me “Qytet i sigurt” Shkup, si dhe PThP Shkup, gjatë të cilave janë konstatuar të gjithë pjesëmarrësit në ngjarjen penale edhe atë: L.A. (32) dhe I.T. (30), të cilët janë privuar nga liria dhe janë ndaluar në stacion policor për procedim të mëtejshëm, si dhe A.R. (29) dhe M.I. (32), persona të dënuar në vuajtje të dënimit me burg në INP Idrizovë, të cilët më datë 14.10.2024, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë shfrytëzuar daljen nga burgu i Idrizovës, në bazë të angazhimit në punë, transmeton Portalb.mk.

“Nga vendi i ngjarjes janë grumbulluar gjurmë me origjinë biologjike, nga pjesëmarrësit e përcaktuar në ngjarjen penalo juridike janë përdorur aplikues të testit të barutit, janë siguruar video incizimet nga “Qyteti i sigurt”, si dhe është përcaktuar edhe automjeti me të cilin njëri nga autorët ka dalë në vendngjarje, pas së cilës është dërguar për përpunim kriminalistik-teknik. Pas dokumentimit të plotë të ngjarjes, në koordinim me PTHP Shkup, nga ana e Njësisë për krime të dhunshme në SPB Shkup do të ngriten raporte përkatëse”, thonë nga SPB Shkup.

Të plagosurin në spital e ka sjellë vëllai i tij, i cili në polici ka sqaruar se i plagosuri ka qenë duke ecur në rrugën “Hristijan Todorovski-Karposh” në Shkup, kur një person është afruar dhe e ka qëlluar në këmbë, raporton Telma.

Sipas Telmës, i lënduari ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe i është dhënë trajtim mjekësor në spitalin e vjetër të qytetit në qendër të Shkupit. Sipas informacioneve, i plagosuri është një i afërm i një prej të dyshuarve të klanit Gërçec, i cili ndodhet në arrati dhe për të cilin është lëshuar një urdhër ndërkombëtar.

“Sot rreth orës 18:10 në Spitalin e Përgjithshëm të qytetit “Shën Naumi i Ohrit” është lajmëruar një 35 vjeçar me plagë nga armë zjarrit në këmbë. I plagosuri E. A. (35) nga Shkupi është sulmuar duke ecur në rrugën “Hristijan Todorovski-Karposh”, njoftoi dje MPB.

I dënuari kishte leje pune jashtë burgut në Idrizovë. Ditën dilte dhe punonte në Shkup, ndërsa në mbrëmje kthehej pas grilave.

Dhjetë ditë më parë pati një tjetër të shtënë dhe sulm të armatosur në Çair.

Rivaliteti mes grupeve kriminale fillon prej vitit 2010, kur “kronika e zezë” fillon të mbushet me incidente, vrasje dhe gjuajtje bombash mes klaneve të ndara.

Përleshjet janë ashpërsuar kur në nëntor të vitit 2013-të është vrarë 46-vjeçari Xhelal Ajeti në çajtoren e tij “Te Xhela” në Hasanbeg. Sulmi ndaj tij është i ngjashëm me të 6 marsit. Vrasësi, i maskuar dhe me armë ka hyrë në çajtore dhe e ka vrarë Ajetin me 30 plumba. Ajeti asokohe ishte i fajdexhi i njohur dhe figurë me ndikim në nëntokën e drogës.

Paraprakisht, në vitin 2005, si pasojë e plagës së marrë nga arma e zjarrit ka vdekur vëllai i tij, Nexhmedin, ndërkaq në shtator të vitit 2018-të është vrarë edhe vëllai i tij Naim Bellanoca duke lëvizur në një automjet në rrugën “Ruzveltova” të Shkupit.

Kjo në nëntokën është llogaritur se grupi “Bellanoca” e ka humbur primatin e tregut të narkotikëve. Por, në vitin 2019-të ka vijuar përleshje e re, kur pesë persona të maskuar kanë dalë nga një automjet dhe kanë gjuajtur drejt restorantit në hotelin “Aleksandar Pallas, ku kanë qëndruar rivalët e “Bellanocës”.

Gjatë sulmit në Aleksandar Pallas, një polic i cili ka qenë me rroba civile dhe ka qenë duke qëndruar me grupin në tavolinë, ka parandaluar që sulmi të jetë fatal. Ai ka nxjerrë pistoletën zyrtare dhe ka gjuajtur në drejtim të sulmuesve. Rasti nuk u zbardh.

Sulmuesit janë larguar me xhip “Tuareg” i cili ka pasur targa të vjedhura, ndërkaq Policia e ka gjetur automjetin të djegur në periferi të Shkupit. Kjo përplasje, llogaritej se ishte për tregun e kokainës.

Në grupin e sulmuar, përveç Jeton Krivanjevës, ishte edhe Kamer Idrizi, i cili u vra në maj të vitit 2021, në një atentat duke lëvizur me makinë. Një vjet më vonë dy sulmues të armatosur me pushka automatike kanë hyrë në një çajtore në rrugën “Braka Rexhepagiq” në afërsi të Shkollës Fillore “Imri Elezi” të Çairit të Shkupit dhe e kanë vrarë Jonuz Idrizin, vëllaun e Kamerit.