Policia arrestoi dy kumanovarë pasi gjuajtën me armë në aheng
Policia e Kumanovës ka arrestuar dy persona të cilët gjuajtën me armë gjatë një ahengu familjar, raporton Portalb.mk.
Më 31.07.2025, nëpunësit policorë të SPB Kumanovë i privuan nga liria S.M. (30) dhe S.M. (25), të dy nga Kumanova.
“Duke vepruar në bazë të kallëzimit të mëparshëm se ka pasur të shtëna me armë zjarri në një aheng familjar në Kumanovë, nëpunësit poicorë me urdhër gjykate kanë kryer bastisje në shtëpinë e tyre, me ç’rast ishte gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, që ekziston dyshimi se me të është shtënë në aheng”, informoi Ministria e Brendshme.
Ata janë ndaluar në stacion policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tyre do të ngrihen kallëzime përkatëse.
Gjuajtjet me armë gjatë ahengjeve në vend marrin jehonë zakonisht gjatë sezonit të verës. Si rezultat i këtyre krismave, në të kaluarën në shumë vende të shtetit janë regjistruar plagosje dhe dëme materiale të ndryshme.
Kujtojmë që me ndryshimet e reja në Ligjin për Armët, ka hyrë në fuqi një sistem i ri për furnizimin me municion, me të cilin qytetarët që ligjërisht dhe me leje posedojnë armë do të mund të blejnë municionin e nevojshëm direkt nga dyqanet e autorizuara.