Po rriten kapacitetet e ARM-së, u prezantuan 29 automjete të reja të blinduara nga SHBA

Sot, në kazermën Jane Sandanski në Shtip u mbajt prezantim i 29 automjeteve të reja të blinduara të lehta JLTV nga Shtetet e Bashkuara. Dorëzimi i automjeteve është në përputhje me marrëveshjen e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara. Në këtë aktivitet, morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë. Kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Mbrojtjes Vlado Misajlovski, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major Sasko Lafçiski dhe ambasadorja e SHBA-së Angela Agele vizituan anëtarët e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë dhe ishin të pranishëm në demonstrimin e automjeteve të reja, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Mickoski deklaroi se ngadalë por sigurt po kompletohet Armata e vendit.

“Këtu nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë edhe më tej. Në drejtim të përcaktimit të prioriteteve, diçka për të cilën kemi folur më herët me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, me ministrin, me ambasadoren dhe me kolegët e tjerë, në vitet që do të vijnë do të mund ta planifikojmë buxhetin, të investojmë si në zhvillimin e shtetit, ashtu edhe në zhvillimin e Armatës. Por gjithashtu, kur flasim për investim në Armatën, flasim edhe për modernizimin dhe ndërtimin e dy korridoreve shumë të rëndësishme – Korridorit 10 dhe Korridorit 8 – të cilët në thelb jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen do të përfaqësojnë një logjistikë të shkëlqyer për Krahun Jugor të NATO-s, ku edhe ne si Maqedoni bëjmë pjesë dhe kjo është një nga ambiciet dhe planet tona kryesore për vitet që do të vijojnë: modernizimi i Armatës, furnizimi me atë që është e nevojshme, përcaktimi dhe realizimi i prioriteteve nga aspekti i pajisjeve. Si dhe modernizimi dhe konstruimi i këtyre dy korridoreve të rëndësishme logjistike për NATO-n, veçanërisht për Krahun Jugor të NATO-s”, tha Mickoski.

Ministri i Mbrojtjes Vlado Misajllovski theksoi në prezantim se bazuar në bashkëpunimin tre-dekadësh me partnerin strategjik Shtetet e Bashkuara dhe programet e kryera për prokurimin e modernizimit të Ushtrisë, numri i automjeteve të blinduara është pothuajse dyfishuar.

“Kapacitetet tona mbrojtëse vazhdojnë të rriten dhe forcohen. Me këtë dërgesë të re, po i afrohemi numrit të nevojshëm të automjeteve. Përveç kësaj, presim që disa nga automjetet e blinduara Stryker të prodhuara në Amerikë të mbërrijnë së shpejti. Automjetet që shohim sot janë të destinuara për grupin e batalionit të këmbësorisë së lehtë, i cili do të jetë gati për udhëtime dhe misione në rast nevoje”, theksoi Misajllovski.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut ka mbushur mbi 5 vjet që është pjesë e NATO-s. Më 27 Mars 2020, vendi zyrtarisht u bë anëtar i NATO-s, ndërsa më 30 mars, flamuri i Maqedonisë, si flamuri i vendit aleat të 30, u ngrit në selinë e NATO-s në Bruksel, përpara Komandës supreme të forcave aleate (SHAPE) – Komanda aleate për operacione në Mons, Belgjikë dhe Komanda aleate për transformime në Norfolk, Virxhinia, SHBA.