“Po e shndërrojnë Makedoniumin në kotec pulash”, komenton Lira Grabul, pronarja e të drejtave të autorit të monumentit
Lira Grabul, vajza e Jordan dhe Iskra Grabulit, autorëve të monumentit Makedonium në Krushevë, e cila zotëron të drejtat e autorit mbi këtë vepër artistike, në një deklaratë për portalin Racin tha se është e tronditur nga “koteci i galerive”, duke komentuar vendosjen e shufrave të mëdha metalike mbi monument, transmeton Portalb.mk.
“Jam e tronditur nga ky kotec që është bërë te galeritë… shumë kreative! Fat që autorët nuk janë më mes nesh. Askush nuk më ka njoftuar për asgjë, jam e shokuar”, tha me revoltë Lira Grabul, artiste dhe profesoreshë e njohur e artit, për Racin, duke shtuar se të drejtat e autorit i takojnë familjes Grabul.
Rikonstruksioni i monumentit “Ilinden” në Krushevë, i njohur edhe si Makedonium, ka nisur këto ditë, ndërsa në galeritë me vitrazhe në pjesën e jashtme janë vendosur konstruksione metalike për të penguar depërtimin e ujit gjatë zhvillimit të punimeve.
Monumenti, vepër e Jordan Grabuloskit dhe Iskra Grabulit, është ndërtuar para 52 vjetësh dhe në të ndodhet varri i presidentit të Republikës së Krushevës, Nikolla Karev. Kupola e Makedoniumit, ashtu si shumë monumente të tjera, për vite me radhë ka qenë e lënë pas dore dhe pa mirëmbajtje. Për shkak të rrjedhjeve të vazhdueshme, në nëntor të vitit të kaluar monumenti “Ilinden” u shpall pasuri kulturore në rrezik. Në objekt janë të dukshme dëmtimet e shkaktuara nga lagështia, ndërsa sa herë që bie shi, në brendësi të tij krijohen tekstualisht pellgje uji.
“Me qëllim mbrojtjen e galerive me vitrazhe, të cilat kanë dëmtime të mëdha, si dhe të galerive prej xhami, në terren po montohet konstruksioni prej çeliku, i cili tashmë është prodhuar. Ai është punuar nga profile çeliku me seksion katror në dimensione të ndryshme. Do të vendoset në të tetë galeritë prej xhami dhe në galeritë me vitrazhe në pjesën e jashtme të nivelit të parë dhe të dytë të monumentit. Mbi këtë konstruksion do të vendoset material Lexan me trashësi prej 16 milimetrash. Në këtë mënyrë do të arrijmë që uji të mos depërtojë më në monument”, deklaroi së fundmi Suzana Gribovska, këshilltare konservatore dhe arkitekte në Entin dhe Muzeun e Prilepit.
Për projektin e mbrojtjes së Makedoniumit janë paraparë rreth 90 mijë euro.