Çmimet e shërbimeve të transportit ajror në Bashkimin Evropian, përfshirë edhe biletat e avionit, kanë shënuar ndryshime të konsiderueshme që nga fillimi i vitit 2025. Këto luhatje lidhen me kërkesën për udhëtime, lëvizjet sezonale dhe zhvillimet aktuale gjeopolitike, raporton Racin, transmeton Portalb.mk.
Rritja më e madhe vjetore është regjistruar në prill të vitit 2025, kur çmimet u rritën me 13,7 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak. Gjatë verës pasuan rritje më të moderuara.
Fillimi i vitit 2026 solli një rënie të çmimeve, ndërsa në shkurt dhe mars u regjistrua sërish rritje. Në prill çmimet ranë me 4,7 përqind në nivel vjetor, ndërsa në maj u rritën me 8,1 përqind. Në qershor rritja ishte 3,1 përqind.
Ndikimin më të madh në këto lëvizje e kanë pasur fluturimet ndërkombëtare. Në qershor të vitit 2026, çmimet e transportit ajror ndërkombëtar ishin 4,5 përqind më të larta, ndërsa ato të fluturimeve të brendshme u rritën me 2 përqind.
Dallimet ndërmjet vendeve anëtare të BE-së janë të konsiderueshme. Belgjika shënoi rritje prej 41,5 përqind në prill, 33,8 përqind në maj dhe 28,7 përqind në qershor të vitit 2026. Në të kundërt, në Sllovaki çmimet ranë me 53 përqind në prill, 48,2 përqind në maj dhe 45,1 përqind në qershor.
Në qershor, rritje mbi 15 përqind u regjistrua edhe në Austri, ku çmimet u rritën me 22,3 përqind, si dhe në Greqi, me një rritje prej 15,1 përqind. Ndër uljet më të mëdha ishin ato në Hungari, me 13,6 përqind, dhe në Poloni, me 13,1 përqind.
Të dhënat bazohen në bazën e të dhënave të Eurostat për indekset e harmonizuara të çmimeve të konsumit.