Po e forcon pikërisht Donald Trump Evropën?

Koha ikën shpejt: 1 gushti është afati i fundit i Presidentit të SHBA-së,  Donald Trump.  Pastaj vendosen tarifa prej 30 përqind në mosmarrëveshjen tregtare me Bashkimin Evropian nëse nuk ka zgjidhje në konfliktin për tarifat me evropianët. Trumpi fillimisht e kishte kërcënuar BE-në me tarifa ndëshkuese prej 50 përqind duke filluar nga 9 korriku. Por dy ditë para kësaj date, Shtëpia e Bardhë e zgjati afatin deri në fillim të gushtit. Negociatat me Bashkimin Evropian janë në vazhdim, shkruan Dojçe Vele (DW).

Mbetet të pritet, nëse do të ketë një përshkallëzim me tarifa të larta nga ana e SHBA.  E paqartë është po ashtu, se me çfarë masash do të reagonte BE-ja. Por, pavarësisht presionit të madh të ushtruar nga administrata amerikane nën Trumpin në muajt e fundit, investorët ndërkombëtarë tani po e shohin ekonominë amerikane me më shumë skepticizëm dhe, në të njëjtën kohë, po tregojnë interes në rritje për Evropën – dhe veçanërisht për ekonominë më të madhe të BE-së, Gjermaninë.

Ndërsa indeksi i aksioneve amerikane S&P 500 ka fituar vetëm rreth shtatë përqind që nga fillimi i vitit, barometri i tregut gjerman të aksioneve DAX është rritur me pothuajse 20 përqind, duke vendosur rekorde të reja në këtë proces. Që kur Trumpi mori detyrën, dollari amerikan ka humbur më shumë se dhjetë përqind të vlerës së tij kundrejt euros.

FMN dhe Banka Federale me kritika

Shtetet e Bashkuara po përballen me kritika: Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka kritikuar mundësinë e daljes jashtë kontrollit të borxhit amerikan. Presidenti i Bankës Federale Gjermane, Joachim Nagel, paralajmëroi në samitin financiar të G7 në Kanada për trazira të reja në tregjet financiare, nëse mosmarrëveshja tregtare me Shtetet e Bashkuara nuk zgjidhet. “Ndonjëherë, në ditë të caktuara, kisha ndjesinë se nuk ishim larg një krize drastike në tregjet financiare”, tha kreu i Bankës Qendrore gjermane. Më parë ishte Zëvendësdrejtoresha Menaxhuese e FMN-së, Gita Gopinath, e cila kishte paralajmëruar në një intervistë me Financial Times se deficitet buxhetore të SHBA-së ishin shumë të mëdha dhe se vendi duhej të përballonte barrën e borxhit “gjithnjë në rritje”.

Sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, Shtetet e Bashkuara kanë një mal masiv borxhesh prej më shumë se 36 trilionë dollarësh. Vitin e kaluar, kjo shumë arriti në më shumë se 120 përqind të produktit të brendshëm bruto (PBB) – pothuajse dyfishi i kuotës së borxheve në Gjermani. Borxhe të reja shtohen çdo vit.

SHBA shihet me sy gjithnjë e më kritik

Ekonomisti Hans-Werner Sinn beson se hapsësirat për modelin aktual të borxheve amerikan po zvogëlohet. “Amerikanët duhet të shtrëngojnë rripat. Ky standard jetese, kjo botë e përbërë nga qendra tregtare dhe pak fabrika, nuk mund të rezistojë më në planin afatgjatë”, tha ish-Presidenti i Institutit Ifo me seli në Mynih në një intervistë me DW.

Kryeekonomisti i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), Ralph Ossa shprehet, se mund ta kuptojë që SHBA-të po kërkojnë mënyra për të ulur deficitin tregtar me BE-në. Por edhe ai mendon si shumica e kolegëve të tij. “Nga një perspektivë ekonomike, të gjithë ekonomistët në thelb bien dakord se tarifat nuk janë mjeti i duhur për të adresuar deficitet tregtare”, tha Ossa për DW.

Qasjen e SHBA-së Ossa e krahason me një individ privat që blen më shumë sesa fiton përmes punës së tij dhe për këtë arsye hyn në borxhe.

“Dhe nëse unë, si Ralph, kam një problem me borxhet – për shembull, sepse blej shumë makina – atëherë padyshim që është një mundësi të taksosh makinat në mënyrë që të mos blej aq shumë. Por padyshim që nuk është mënyra më e drejtpërdrejtë për të adresuar problemin”, thotë Ossa, duke përshkruar qasjen e SHBA-së.