Pjesëtarët e organizatave terroriste nga veriu po zhvendosen në Serbi

Janë duke u zhvendosur në Serbi pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”, organizata këto që Qeveria i ka shpallur terroriste dy javë më parë. Sipas një dokumenti të institucioneve të sigurisë, në të cilin ka pasur qasje KOHA, pjesa dërrmuese e pjesëtarëve që kanë lëshuar Kosovën, janë vendosur në Kopaonik e Rashkë, me qëllim që t’i shmangen arrestimit. Ekspertë të sigurisë thonë se është gabim nëse institucionet lejojnë largimin e tyre dhe nuk i përballin me drejtësinë.

Institucionet e sigurisë në Kosovë kanë informacione se pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” janë duke u zhvendosur në Serbi.

Në fund të qershorit, Qeveria e Kosovës i shpalli terroriste të dyja këto organizata që veprojnë në veriun e banuar kryesisht me serbë.

Në një dokument të hartuar nga institucionet e sigurisë, e të cilin e ka parë KOHA, thuhet se pjesa dërrmuese e pjesëtarëve të këtyre organizatave që kanë lëshuar Kosovën janë vendosur në Kopaonik e Rashkë, me qëllim që t’i shmangen arrestimit.

“Pjesëtarët e formacioneve ilegale të “Mbrojtjes Civile/Civilna Zaštita” dhe “Brigada e Veriut/Serverna Brigada” zhvendosen në Serbi, për t’iu shmangur arrestimit. Që nga fillimi i arrestimeve nga Policia e Kosovës, e veçanërisht pas shpalljes së dy formacioneve ilegale “Mbrojtja Civile/Civilna Zaštita” dhe “Brigada e Veriut/Servena Brigada” si grupe terroriste, në mënyrë graduale ka filluar zhvendosja e tyre në drejtim të Serbisë. Pjesa dërmuese besohet se janë vendosur në Kopaonik dhe Rashkë. Shpenzimet e tyre po mbulohen nga Milan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviq”, thuhet në dokument.

Formalisht, “Mbrojtja Civile” është shuar në bazë të marrëveshjes së 2013-s, nëpërmjet së cilës pjesëtarët e saj u sistemuan në institucione.

Ndërkaq pasi është shpallur organizatë terroriste, “Brigada e Veriut” në një mesazh që ka publikuar në Telegram, ka theksuar se nuk do të largohet nga Kosova, porse për arsye të sigurisë nuk do të njoftojë publikisht për lëvizjet që do t’i bëjë.

E, në ditën kur këto organizata u shpallen terroriste, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se vendimi nuk prek askënd që deri në momentin e vendimit të Qeverisë ka qenë pjesëtar i këtyre dy organizatave dhe nuk ka kryer vepra penale.

E, informacionet që i kanë për pjesëtarët e këtyre dy organizatave, Ministria të cilën e drejton Sveçla, nuk i ka ndarë me KOHËN, duke mos iu përgjigjur një numri pyetjesh.

Por Burim Ramadani, ish-inspektor i AKI-së, ka thënë se anëtarët e organizatave terroriste duhet të ndiqen penalisht e jo të lejohet largimi i tyre për në Serbi.

“Kur shtetet shpallin organizata terroriste, do të duhej që anëtarët e dyshuar të atyre organizatave të kapen dhe ndiqen penalisht patjetër. Lista e personave të tillë, nëse është identifikuar saktë dhe e cila mund të azhurnohet, do të duhej të ndahej edhe me shtetet e tjera aleate që të mundësohen arrestimi dhe ekstradimi i tyre në Kosovë për t’u përballur me drejtësinë. Prandaj, shpallja e organizatave terroriste është një proces më i ndërlikuar dhe i bashkërenduar maksimalisht me aleatët. Largimi eventual i tyre nga territori i shtetit tonë nuk është dashur dhe nuk duhet të jetë synim i Qeverisë së Kosovës, por procedimi penal i tyre, sepse të dyshuarit besoj unë kanë qenë brenda territorit të Kosovës më 29 qershor 2023, kur Qeveria ka marrë këtë vendim. Për më shumë, nëse Qeveria do të ishte e kënaqur se ‘disa prej tyre e lëshojnë territorin e Kosovës’ atëherë kjo tregon, më së buti thënë, një dëshirë që të mos sfidohet gjatë argumentimit në proces gjyqësor përgjegjësia individuale dhe e organizatave”, ka thënë Ramadani.

Shpallja terroriste e këtyre dy organizatave është bërë pa koordinim me ndërkombëtarët.

Informacionet që dihen për të to janë të pakta dhe jo të gjitha zyrtare. Megjithëkëtë, zyrtarë qeveritarë kanë theksuar se kanë gjetur shumë informacione për të dyja dhe për anëtarët e tyre, kur kanë marrë kontrollin në objektet e komunave në veri.

Në qershor është arrestuar Millun Millenkoviqi, nën dyshimin për ushtrim të dhunës ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe për vepra të tjera kriminale gjatë tensioneve në veri. Atëkohë, ministri Sveçla tha se Millenkoviq është udhëheqës i “Mbrojtjes Civile”.