Pesticidi i dëmshëm përdoret për prodhimet bujqësore në Maqedoninë e Veriut

Nga kufiri kroat vetëm brenda këtij viti janë kthyer tri dërgesa, ndërsa vitin e kaluar një, me produkte ushqimore bujqësore të Maqedonisë së Veriut kjo pasi në bazë të dhënave të Sistemit të alarmit të shpejtë për ushqimet dhe ushqimet për kafshë, në to është gjetur sasi e lartë e pesticideve të dëmshme për shëndetin, raporton REL.

Së fundmi, më 19 shkurt të këtij viti, ky Sistem alarmi për ushqimet ka bërë të ditur se është regjistruar sasi e lartë e pesticideve në prodhimet bujqësore të Maqedonisë së Veriut të dedikuara për tregun kroat.

Bëhet fjalë për sallatë të përzier, në të cilën është gjetur pesticidi chlorpyrifos që rrezikon shëndetin e njeriut.

Sasia e chlorpyrifos që është zbuluar në dërgesën e kontestuar nga ana e autoriteteve kroate ka qenë 0.55 mikrogramë në një kilogram, ndërsa, sipas standardeve evropiane, sasia e këtij pesticidi duhet të jetë zero.

Prania e këtij pesticidi ka bërë që autoritetet kroate t’i ndalojnë këto produkte bujqësore, sallatën e përzier, që në kufi.

Ndërkohë, nga Inspektoratit Shtetëror i Bujqësisë thonë se përderisa legjislacioni maqedonas nuk është në përputhje me atë të vendeve të Bashkimit Evropian për sa i përket prodhimit të produkteve bujqësore të dedikuara për tregun e jashtëm, është evidente se do të shfaqet prania e pesticideve të caktuara.

Pesticidi i diskutueshëm chlorpyrifos është ndaluar në Bashkimin Evropian që nga prilli i vitit 2020, por në Maqedoninë e Veriut, sipas Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë periudha kalimtare për shfrytëzimin e stoqeve të tij ende vazhdon, edhe pse sipas ligjeve evropiane, ajo periudhë ka përfunduar.

Por, nga drejtoria e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë i sigurojnë qytetarët e vendit se produktet që shiten në tregun maqedonas u nënshtrohen kontrolleve të rregullta dhe janë të sigurta.

Kjo agjenci bën të ditur se janë shqiptuar gjithsej 369 masa inspektuese. Kurse, gjatë vitit të kaluar janë asgjësuar gjithsej 147 mijë e 415 kilogramë ushqime, të cilat janë vlerësuar si të pasigurta.

Ndryshe, salçiçe, lëngje për fëmijë, fiq të thatë, akullore, xhenxhefil pluhur, gjalpë, ujë mineral me elemente shtesë dhe aditivë për industrinë e bukës, janë vetëm disa nga produktet që janë tërhequr nga tregu i brendshëm vitin e kaluar si produkte të pasigurta.

Pas takimit me Institutin e Shëndetësisë Publike në Kroaci dhe Inspektoratin Shtetëror në Republikën e Kroacisë, në lidhje me kufizimin e shfrytëzimit të pijes energjetike “Prime” dhe qeseve me nikotinë, ministri i shëndetësisë në Republikën e Kroacisë, Vili Berosh, deklaroi që do të bën gjithçka për kufizimin e këtyre produkteve.