Me mbështetjen e NATO-s, QMK filloi modernizimin e sistemit për menaxhimin e krizave
Maqedonia e Veriut e ka nënshkruar kontratën për realizimin e projektit shumëvjeçar G10231 – “Sistem interoperabil për komandimin e incidenteve, i menaxhuar nga inteligjenca artificiale për reagim ndërkufitar në situata krize dhe emergjence (NICS-2)”, i cili zbatohet në kuadër të programit të NATO-s “Shkenca për Paqe dhe Siguri” (Science for Peace and Security – SPS), transmeton Portalb.mk.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se me këtë fillon procesi i ndërtimit të një sistemi bashkëkohor dhe të integruar për menaxhimin e krizave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
“Ky projekt paraqet një vlerësim të rëndësishëm për kapacitetet dhe përkushtimin e institucionit në fushën e menaxhimit të krizave, si dhe një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemeve kombëtare të koordinimit, paralajmërimit të hershëm dhe përballimit të fatkeqësive natyrore dhe situatave të jashtëzakonshme”, informoi Qendra për Menaxhim me Kriza.
Me zbatimin e NICS-2 pritet të forcohet interoperabiliteti ndërinstitucional, të avancohen kapacitetet për marrjen e vendimeve në kohë reale dhe të krijohen mekanizma më efikas për mbrojtjen dhe sigurinë e qytetarëve.