Të akuzuarit për keqpërdorim të mjeteve nga programi IPARD u ulën në bankën e të akuzuarve

Ish-drejtori i Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Ilija Stoilev, i cili së bashku me disa persona të tjerë fizikë, përfshirë të punësuar në DAP dhe në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, si dhe një person juridik, dyshohen për disa vepra penale të lidhura me keqpërdorime financiare dhe marrje ryshfeti në lidhje me shfrytëzimin e fondeve nga programi evropian IPARD, u ulën në bankën e të akuzuarve në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, transmeton TV24.

Seanca gjyqësore, siç u dakordua në seancën përgatitore të sotme, do të vazhdojë më 30 prill, në mënyrë që një pjesë e mbrojtjes së të akuzuarve të ketë qasje në provat, për të cilat reaguan se një pjesë nuk u janë dorëzuar, ndërsa një pjesë nuk janë në formë elektronike.

Prokuroria për këtë rast ka dorëzuar 16 klasterë provash në gjykatë, përfshirë materiale video nga kamerat e mbikëqyrjes dhe ekspertiza të pajisjeve elektronike të sekuestruara.

Procesin gjyqësor e udhëheq gjyqtarja Lenka Davitkova, ndërsa përfaqësuese e akuzës është prokurorja publike Natasha Pop Trajkova.

Aktakuza, e ngritur nga Prokuroria Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, u pranua në tërësi nga gjykata në shkurt të këtij viti dhe i referohet pesë personave fizikë për disa vepra penale, përfshirë: dhënie ryshfeti, dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm dhe marrje ryshfeti. Në kuadër të saj është edhe një propozim-aktakuzë ndaj katër personave të tjerë fizikë dhe një personi juridik, të lidhur me keqpërdorime financiare dhe ryshfet në lidhje me fondet IPARD.

Një pjesë e parave të dhëna si ryshfet, në vlerë prej 400 eurosh, siç njoftuan nga Prokuroria dhe MPB, është gjetur dhe sekuestruar gjatë një bastisjeje.

Drejtori i Agjencisë, Ilija Stoilev (në paraburgim), dhe Xhevdet Nasufi (në arrest shtëpiak), si drejtues i një personi juridik që nuk i plotësonte kushtet, pas një premtimi për dhuratë prej 50.000 eurosh, kishte nënshkruar kontratë për përdorimin e fondeve nga programi IPARD për masën 3. Bashkë me ta u arrestuan edhe tre persona të tjerë, përfshirë të punësuar në DAP dhe në Ministrinë e Bujqësisë, të cilët vepronin si ndërmjetës në dhënien e ryshfetit, në nëntor të vitit të kaluar.

I dyshuari kryesor, Xh. N. (77), akuzohet për veprën penale të vazhduar “dhënie ryshfeti” dhe “dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, ndërsa tre persona të tjerë, A. F. (44), J. K. (35) dhe I. S. (57), si ndërmjetës, për “marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, ndërsa F. F. (47) për “marrje të vazhduar ryshfeti”.

Sipas aktakuzës, i dyshuari kryesor, si drejtues i një personi juridik, nga fundi i shkurtit të këtij viti deri në nëntor 2025, duke shfrytëzuar marrëdhënien e njëjtë dhe kushtet e njëjta, në disa raste, drejtpërdrejt dhe përmes ndërmjetësve, i ka premtuar dhuratë – mjete financiare me vlerë të konsiderueshme – drejtorit të Agjencisë për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Tre të dyshuarit e tjerë, ndër të cilët një referent tatimor në DAP Rajoni i Shkupit dhe një nëpunës shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, duke shfrytëzuar ndikimin real dhe pozitën zyrtare, kanë kërkuar dhe nxitur drejtorin e Agjencisë të kryejë veprim zyrtar që nuk duhej ta kryente.