Për shkak të borës dhe ngricave Ndihma e Shpejtë e Shkupit për tri ditë ka pasur mbi 250 ndërhyrje
Gjatë tri ditëve të fundit, për shkak të reshjeve të borës dhe ngricave, Ndihma e Shpejtë e Shkupit ka pasur gjithsej 254 intervenime. Për vetëm një ditë, nga ana tjetër, më shumë se 20 pacientë ishin trajtuar në Klinikën për sëmundje kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit”, transmeton Portalb.mk.
Doktor Rihad Rexhepi, shef i ndërrimit në Shërbimin për ndihmë të shpejtë Shkup, tha për MIA-n se në ato mbi 200 intervenime, përveç qytetarëve të lënduar që kanë rrëshqitur dhe kanë rënë në akull, ka pasur edhe aksidente, si dhe persona të lënduar për shkak gjendjes së të dehurit.
Sipas tij, të moshuarit nuk duhet të dalin pa nevojë nga shtëpia, ndërsa shoferët duhet të respektojnë këshillat për vozitje në kushte dimërore.
Drejtori i Klinikës për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit”, Nebojsha Nastov, thotë se gjatë ditëve të fundit qytetarët kanë ardhur në spital për shkak të lëndimeve, të cilat janë më së shumti thyerje të parakrahëve dhe ndrydhje të nyjeve të këmbëve.
Ata presin numër më të madh të pacientëve në periudhën e ardhshme, ku bora do të shkrihet gjatë ditës, ndërsa në mëngjes dhe në mbrëmje në temperatura nën zero, trotuaret dhe rrugët do të ngrijnë.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPH) njoftoi se deri në fund të javës temperaturat do të zbresin deri në -10 gradë.