Për një vit kostoja e jetesës në Maqedoninë e Veriut është rritur për 11.3 përqind

Në Maqedoninë e Veriut në maj të këtij viti është shënuar rritje e kostot së jetesës për 11.3 përqind në krahasim me majin e vitit të kaluar, ndërsa çmimet me pakicë kanë shënuar rritje për 7.5 %, transmeton Portalb.mk.

“Rritje në indekset e kostos së jetesës në maj 2023, krahasuar me një muaj më parë, është shënuar te perimet e freskëta dhe të ftohta, përveç patateve dhe frutave të tjera me rrënjë me 13.3%, frutave të freskëta dhe të ftohta me 8.5%”, raportoi Enti Shtetëror i Statistikave.

Në krahasim me prillin e këtij viti, çmimet e konsumit kanë shënuar rritje vetëm për 0.4 %, ndërsa çmimet me pakicë ulje për 0.9 %.

“Ulje e indekseve të kostos së jetesës në maj 2023, krahasuar me një muaj më parë, është vërejtur te vaji dhe yndyra me 2.4 %, qumështi me 1.6 %, buka dhe drithërat me 0.7 %”, sqaroi Enti, duke theksuar edhe ulje te transporti ajror për 27.2 %.