Për 20% u rrit numri i lëndimeve në vendin e punës vitin e kaluar, industria dhe minierat mbeten sektorët më të rrezikshëm
Gjatë vitit 2025 janë regjistruar gjithsej 697 lëndime në vendin e punës, që paraqet rritje prej 21 përqind krahasuar me vitin paraprak, transmeton Portalb.mk.
Siç njoftojnë nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), në strukturën e lëndimeve të regjistruara në punë gjatë vitit 2025, numri më i madh vazhdon të jetë në sektorin e industrisë dhe minierave, me gjithsej 255 lëndime ose 37 përqind të numrit të përgjithshëm të lëndimeve të regjistruara në vend.
“Pasojnë lëndimet e regjistruara te personat që punojnë në shëndetësi dhe mbrojtje sociale, të cilat përbëjnë 13 përqind të numrit të përgjithshëm të lëndimeve në punë. Në strukturën e përgjithshme të lëndimeve në punë gjatë vitit të kaluar ka më shumë punëtorë të lënduar burra. Kështu, në vitin 2025, 411 ose 59 përqind e të gjitha lëndimeve janë regjistruar te punëtorët burra, ndërsa 286 ose 41 përqind janë lëndime të regjistruara te punëtoret gra”, thuhet në njoftim.
Vitin e kaluar, shkalla e lëndimeve në punë në Republikën e Maqedonisë së Veriut ishte 100 për 100.000 punëtorë. Kjo do të thotë se gjatë vitit janë lënduar 100 punëtorë për çdo 100.000 të punësuar, që paraqet rritje prej 21 përqind krahasuar me vitin paraprak.
Në strukturën e numrit të përgjithshëm të lëndimeve në punë gjatë vitit 2025 sipas qyteteve, numri më i madh i punëtorëve të lënduar është regjistruar në Shkup, gjithsej 340 ose 49 përqind, që paraqet rritje prej 15 përqind krahasuar me vitin paraprak.
Më pas renditen Manastiri me 172 raste (25 përqind), Velesi me 78 (11 përqind), Kavadari me 58 (8 përqind), Gjevgjelia me 17 (2,4 përqind), Negotina me 17 (2,4 përqind) dhe Sveti Nikolla me 15 raste (2,2 përqind) nga numri i përgjithshëm i lëndimeve të regjistruara në punë për periudhën 2024-2025.
Në pjesën që ka të bëjë me masat e propozuara, thuhet se është e domosdoshme të vendoset sistem i integruar për monitorimin dhe raportimin e lëndimeve në punë dhe sëmundjeve profesionale, i cili do të mundësonte evidentimin dhe regjistrimin e të gjitha lëndimeve në punë dhe sëmundjeve profesionale.