Nesër protestë kundër Usjes, Hoxha thotë se leja e re e punës do të jetë sipas standardeve evropiane

Nisma qytetare “Stop Usjes” nesër në Shkup do të organizojë protestë kundër Fabrikës së Çimentos Usje. Aktualisht është në proces rinovimi i lejes së integruar ekologjike A për këtë kapacitet, për të cilën aktivistët thonë se nuk do të ndjekë standardet evropiane, siç kishin paralajmëruar nga Ministria e Mjedisit Jetësor. Nga “Stop Usjes” theksojnë se fabrika e çimentos kërkon që me lejen e re të vazhdojë të punojë sipas standardeve të deritanishme, të përcaktuara para rreth njëzet vitesh, transmeton Portalb.mk.

“Usja kërkon vazhdimin e ndotjes sipas standardeve të vjetruara. Në vend të harmonizimit me standardet evropiane dhe teknikat më të mira të disponueshme, kompania kërkon të vazhdojë të punojë me të njëjtat vlera kufitare të ndotjes që nga viti 2007. Në kërkesë nuk ka masa konkrete për uljen e emetimeve, ndërsa propozimet e shoqërisë civile janë injoruar. Me një kërkesë të tillë, Usja praktikisht kërkon të vazhdojë t’i helmojë qytetarët e Shkupit me standarde të vjetruara që nuk përputhen me normat evropiane. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nuk guxon të miratojë një leje të papërshtatur dhe të paligjshme. Përkundrazi, duhet të përfshijë propozimet e shoqërisë civile dhe të sigurojë harmonizimin me teknikat më të mira të disponueshme, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe cilësinë e ajrit në Shkup”, theksojnë aktivistët qytetarë.

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, nga ana tjetër, pohon se fabrika e çimentos nuk do të marrë leje sipas standardeve të vjetra.

“Me kërkesë të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Usja që tani do t’i zbatojë standardet më të reja dhe më të rrepta ekologjike, edhe pse Ligji i ri për emetimet industriale hyn në fuqi vetëm në shtator të vitit 2027. E njëjta gjë do të vlejë për të gjithë operatorët që posedojnë leje të integruar ekologjike A. Duke pasur parasysh se pas vitit 2027 të gjitha lejet do të duhet të rishikohen, është logjike që çdo rinovim aktual të bëhet sipas kritereve të ardhshme, më të larta, për mbrojtjen e ajrit dhe mjedisit”, tha Hoxha.

Ai informoi se afati institucional për shqyrtimin e kërkesës për lejen e Usjes ende është në rrjedhë. Kërkesa është publikuar më 22 maj në faqen e Ministrisë dhe i është dorëzuar Komunës së Kisella Vodës dhe Qytetit të Shkupit, ndërsa afati ligjor për paraqitjen e vërejtjeve përfundon sot.

“Në javën e parë të korrikut do të mbahet debat publik në territorin e Komunës së Kisella Vodës, ku ndodhet fabrika. Për hir të transparencës së plotë, Ministria do ta publikojë të gjithë procesverbalin. Protesta është e drejtë e garantuar me Kushtetutë, të cilën unë gjithmonë do ta mbështes, por në këtë rast ekziston një procedurë e qartë ligjore. Kemi dialog të hapur dhe një debat publik që po afrohet, ndaj i ftoj të gjithë qytetarët dhe aktivistët të përfshihen aktivisht”, theksoi Hoxha.

Protesta do të nisë në orën 18:00 para Kuvendit dhe do të vazhdojë drejt Ministrisë së Mjedisit Jetësor.

Kujtojmë se afati ligjor për paraqitjen e vërejtjeve në lidhje me lejen e USJE-s është deri sot, 22 qershor.