Pendarovski-O’Brien: ShBA gjithmonë do të mbështesë integrimin evropian të RMV-së

Presidenti Stevo Pendarovski, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, pati takim me James O’Brien, ndihmës sekretar i shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, transmeton Portalb.mk.

Në takim u bisedua për situatën aktuale lidhur me integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, për procesin e reformave, si dhe për situatën politike në vendin tonë dhe në rajon.

Në takim u rikonfirmua mbështetja e SHBA-së për aspiratat evropiane të Maqedonisë së Veriut, si dhe u shpreh pritshmëria nga Uashingtoni zyrtar se vendi do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Kujtojmë se disa ditë më parë, në një brifing me gazetarët, O’Brien tha se Ballkani Perëndimor ka nevojë për integrim evropian, por para së gjithash për integrim ekonomik, sepse shumica e popullsisë në këto vende po zhvendoset në Evropë dhe vende të tjera.

Kjo, sipas O’Brien, do të thotë se është më e vështirë për këto vende të krijojnë mundësitë ekonomike që mund t’u sjellë anëtarësimi i tyre në Bashkimin Evropian. Prandaj, shton ai, që Ballkani Perëndimor të jetë stabil dhe i sigurt, mbi të gjitha nevojitet integrim ekonomik.

Sipas O’Brien, procesi i anëtarësimit në BE është një proces përgatitor jo vetëm për integrimin në Union, por edhe përgatitje për marrjen e vendimeve politike së bashku me shtetet e tjera anëtare.