Pasi tha se përgatitet dokumentacioni, Komuna e Kumanovës më në fund pranoi se ‘s’janë askund’ me rikonstruimin e Stadiumit të Qytetit
Pas insistimit nga redaksia e Portalb.mk që zgjati me muaj, Komuna e Kumanovës më në fund pranoi se nuk ka kryer asnjë punë në lidhje me rikonstruimin e Stadiumit të Qytetit madje nuk ka përgatitur as dokumentacionin teknik, siç i tha redaksisë sonë në shtator të vitit 2024. Huzeir Mustafi, këshilltar komunal, thotë se pa vullnet politik dhe përpjekje konkrete nga komuna, gjendja e stadiumit do të mbetet katastrofale. Gazetari sportiv, Reshat Ibraimi nënvizon se sportdashësit vuajnë pasojat e mungesës së investimeve, shkruan Portalb.mk.
Pasi tha se ka filluar me përgatitjen e dokumentacionit teknik, doli se asgjë nuk kanë bërë
Gjithçka filloi me deklaratën e Komunës së Kumanovës në shtator të vitit 2024 kur për Portalb.mk tha se ka filluar me përgatitjen e projektit për rikonstruimin e Stadiumit të Qytetit.
“NP “Kumanovë – plan” – Kumanovë ka filluar me përgatitjen e dokumentacionit teknik të nevojshëm për vlerësimin e mjeteve financiare, të cilat do të nevojiten për realizimin e projektit – rindërtimin e stadiumit të qytetit. Pas plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm, pason vendimi i Këshillit të Komunës, me të cilin projekti mund të përfshihet në programin vjetor për realizimin e projekteve”, thanë nga Komuna e Kumanovës me 8 shtator 2024.
Megjithatë, thuajse një vit më vonë, pas insistimeve, thirrjeve telefonike, emaileve dhe ankesave duke përdorur Ligjin për Qasje të Lirë tek Informatat me Karakter Publik, kjo Komunë e foli të vërtetën duke pranuar se asgjë punë nuk kanë bërë.
Deri më atëherë, përpos heshtjes, nga komuna hedhnin përgjegjësinë te ndërmarrja NP “Kumanova-Parking”.
“Plani për rikonstruimin e stadiumit të qytetit në Kumanovë nuk është përgatitur. Dokumentacioni teknik për stadiumin nuk është përgatitur”, thanë për Portalb.mk nga Komuna e Kumanovës, me 28 gusht 2025.

Kronologjia e kokëçarjeve administrative
Më 29 prill 2025 e pyetëm Komunën e Kumanovës se deri ku ka arritur me planin e përgatitjes së dokumentacionit teknik për rindërtimin e Stadiumin e Qytetit të përmendur në shtator 2024.
Pas një javë heshtje nga komuna, u detyruam që me 6 maj, një përgjigje të thjeshtë ta kërkojmë duke përdorur Ligjin për Qasje të Lirë tek Informatat me Karakter Publik.
Pas kësaj, më 16 maj nga Komuna e Kumanovës thanë se kërkesa është përcjellë te Ndërmarrja Publike “Kumanova-Parking” duke mos sqaruar pse.
Redaksia jonë, më 19 maj dërgoi pyetje edhe te Ndërmarrja Publike “Kumanova-Parking”, sërish duke përdorur Ligjin për Qasje të Lirë tek Informatat me Karakter Publik.
Më 17 korrik, pasi nuk morëm përgjigje nga dy institucionet redaksi jonë u ankua në Agjencinë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacion me Karakter Publik (AQLI), ankesë që u pranua nga kjo agjenci.
Më 25 korrik pasi morën ankesën nga AQLI, e para u përgjigj Ndërmarrja Publike “Kumanova-Parking” duke thënë se nuk posedon informata lidhur me çështjet e përmendura, pasi Stadiumi i Qytetit në Kumanovë ende është nën ingerenca të Komunës së Kumanovës dhe jo të tyren.
Më 15 gusht, (pas ankesës sonë) u përgjigjën edhe nga Komuna e Kumanovës duke hedhur përgjegjësinë sërish te NP “Kumanova-Parking”.
Më 25 gusht, redaksia jonë iu drejtua sërish komunës dhe atë me pyetjet:
- Pse nuk i përgjigjeni drejtpërdrejt pyetjes, si komunë që i keni kompetencat mbi Stadiumin e Qytetit në Kumanovë, por në vend të kësaj, na dërgoni te NP “Kumanova-Parking”, e cila sipas vendimit të Këshillit Komunal është kompetente vetëm për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e objekteve sportive dhe jo për rindërtim dhe investime të ngjashme?
- Pse ia hidhni përgjegjësinë NP “Kumanova-Parking”, kur nga viti 2022 deri më tani nuk keni bërë asnjë dorëzim zyrtar të kompetencave (përveç menaxhimit dhe mirëmbajtjes)?
- Pse morëm dy përgjigje të ndryshme nga ju në lidhje me planet e komunës për rindërtimin e stadiumit?
- Na jepni përgjigje të qartë: A do të investoni ju si komunë në Stadiumin e Qytetit apo jo?
Më 27 gusht, më në fund, nga Komuna e Kumanovës na kthyen përgjigjen duke pranuar se as plani e as dokumentacioni teknik për stadiumin nuk është përgatitur. Nga komuna pranuan dhe se dorëzimi dhe pranimi i Stadiumit të Qytetit si dhe hartimi i procesverbalit për të drejtën e shfrytëzimit nga NP “Kumanova-Parking”, ende nuk janë realizuar.
Në pyetjen e katërt dhe më të rëndësishme nga komuna nuk u përgjigjën!

Trajnerët e mbajnë gjallë Stadiumin e Qytetit të Kumanovës, përderisa komuna shmang investimet
Ky stadium më shumë i ngjan një objekti të braktisur se sa një objekti sportiv. Portalb.mk vizitoi Stadiumin e Kumanovës, ajo çfarë pamë aty ishin mbeturina të hedhura gjithandej, gropa të mbushura me rërë dhe bar, zhveshtore e dëmtuar, rrjeta të shqepura të futbollit, ulëse të betonit të shëmtuara, dhe shumë dëme dhe parregullsi të tjera.
Ai kohë pas kohe mirëmbahet me vullnetin e trajnerëve, të cilët brenda 20 viteve e kanë rinovuar një pjesë të dhomës së zhveshjes në faza dhe me ndihmën e dashamirëve të sportit dhe miqve të tyre. Pasi ky objekt mban emrin “Stadiumi i Qytetit të Kumanovës”, pikërisht për shkak të këtij emri, trajnerët shqiptarë mund të qëndrojë aty, përndryshe nuk do t’iu lejohej qëndrimi i tyre.
Ata, prapa kamerave për Portalb.mk thanë se hezitojnë të kërkojnë më shumë, nga frika se nëse kërkojnë më shumë mund të mbeten pa asgjë. Stadiumi për vite me radhë ka funksionuar pa internet e pa rrymë, ndërsa shpesh për një dokument të thjeshtë u është dashur të shkojnë deri në shtëpi e të kthehen pa zgjidhje.
Ndërkohë, ata treguan se kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, për ta mbajtur sadopak funksional stadiumin, paguan rrymën dhe kujdeset vetëm për gjërat minimale, si kositja e barit dhe pastrimi i mbeturinave. Megjithatë, sipas tyre, kryetari nuk ka ndërmend të investojë në këtë stadium.
Nuk ka vullnet politik dhe as jopolitik për investime
Në lidhje me këtë çështje biseduam me Huzeir Mustafin, këshilltarin komunal opozitar dhe Reshat Ibraimin, gazetarin sportiv nga Kumanova. Mustafi theksoi se fillimisht nevojitet vetëm vullnet politik nga organet dhe institucionet lokale, në mënyrë që të përgatitet dokumentacioni teknik dhe një projekt i ri, e më pas të aplikohet për mbështetje financiare nga qeveria ose nga ndonjë fond tjetër.
“Ditë e më shumë si kalojnë do me thanë kjo qendër sportive vjen duke u rrënuar më shumë, fatkeqësisht deri tani nuk ka pasur asnjë iniciativë konkrete për rinovim të këtij stadiumi. Ju e shihni pjesa mbrapa këtu e tribunave janë thuajse të shkatërruara, bile një pjesë e këtyre janë të pezulluara nga ana e inspektoratit për shkak të rrezikshmërisë së shfrytëzimit të tyre edhe pjesa e gardërobave, dhe zhveshjeve është në gjendje shumë të keqe, edhe terreni nuk është në një situatë pak më të mirë por vlen të theksohet se mirëmbajtjen e terrenit sipas informacioneve tona e mirëmbajnë vetëm trajnerët të cilët merren me ushtrimin e fëmijëve, ndërsa nga institucionet është lenë tërësisht në harresë dhe nuk ka ndonjë iniciative as për mirëmbajtje, po as për rinovimin e këtij stadiumi”, tha Huzeir Mustafi, këshilltari komunal nga partia Aleanca për Shqiptarët.
Ai shtoi se, komuna duhet seriozisht të merret me këtë çështje dhe të përgatisë një projekt të ri për një ndërtim të stadiumit të ri. Po ashtu, duhet të përgatitë pjesën e dokumentacionit teknik dhe më pas të aplikohet nëpër thirrjet e qeverisë. Sipas tij ka pasur disa thirrje për projekte të ndryshme dhe, sikur komuna të kishte treguar interes do t’i kishte pasur dokumentacionet gati do të aplikonte dhe ndoshta dhe ndoshta do të përfitonte fonde. Përderisa nuk ka iniciativë konkrete nga ana e komunës për të përgatitur projekte dhe për të aplikuar, gjendja e këtij stadiumi do të mbetet e njëjtë.
Nga ana tjetër, gazetari sportiv nga Kumanova, Reshat Ibraimi, tha se trajnerët dhe dashamirët e sportit përpiqen të kontribuojnë për të përmirësuar kushtet e fëmijëve.
“Trajnerët, dashamirët e sportit, miqtë e këtyre dy shkollave të futbollit mundohen që të japin kontributin e tyre dhe të investojnë t’ua përmirësojnë fëmijëve kushtet sado pak, që ata të kenë ku të bëhen gati për në stërvitje dhe në ndeshjet e tyre kampionate që i kanë”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi theksoi se komuna nuk e ka në agjendë investimin në këtë stadium, sepse nëse do të bëhej një investim, gjithçka duhet të nisë nga fillimi, dhe do të duhej të rrënohej i gjithë objekti aktual dhe pastaj të ndërtohej një stadium i ri me kushte moderne evropiane.
Si gazetar sportiv, ai theksoi se qyteti i tyre nuk meriton vetëm riparimin ose ndërtimin e një stadiumi të ri, por duke marrë parasysh madhësinë e Kumanovës dhe numrin e shkollave dhe klubeve të futbollit që veprojnë aty, duhet të ketë edhe më shumë fusha futbolli.

Komuna nuk ka kërkuar ndihmë nga Qeveria
Deri më tani, Qeveria e Maqedonisë ka shpallur dy thirrje publike për të financuar projektet kapitale dhe infrastrukturore për komunat. Komuna e Kumanovës është një ndër komunat që ka marrë shumën më të madhe të fondeve, por në këtë financim nuk është përfshirë projekti për rikonstruimin e stadiumit të qytetiti të Kumanovës.
Kujtojmë se në vitin 2019 kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski deklaroi se do të kërkojë ndihmë nga investitorë privatë për të rregulluar gjendjen e stadiumit.
Kurse në vitin 2021, Dimitrievski tha se duhen rreth 300 mijë euro vetëm për prishjen e stendeve ekzistuese dhe se kanë kërkuar fonde nga Agjencia për Rini dhe Sport.