Pasi Filipçe vendosi kusht, Mickoski: Qeveria teknike nuk do të shfuqizohet për zgjedhjet e ardhshme
Kryeministri Hristijan Mickoski, në një paraqitje në edicionin informativ të Sitell, duke folur për heqjen e paralajmëruar të të ashtuquajturës qeveri teknike, tha se këto ndryshime nuk do të vlejnë për zgjedhjet e ardhshme, por se qeveria teknike do të shfuqizohet në zgjedhjet që do të vijnë pas tyre, transmeton Portalb.mk.
“Ndryshimet në Ligjin për Qeverinë thonë se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të vazhdojë të vlejë qeveria teknike, që nënkupton se ashtu siç ishte në zgjedhjet e vitit 2024, në ato të vitit 2020 dhe 2016, edhe tani në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të ketë qeveri teknike. Unë, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, si kryetar politik i Qeverisë jap dorëheqje, vjen një kryeministër teknik, e zgjedh Parlamenti, opozita LSDM merr pjesë me kuadro të saj në kuadër të organeve qeveritare, ministrive, zëvendësministrave etj. Publiku duhet ta dijë këtë, është fakt që në zgjedhjet e ardhshme ne do të kemi qeveri teknike”, tha Mickoski.
Kjo deklaratë vjen pasi lideri i opozitës nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), Venko Filipçe, dje i drejtoi ultimatum, që qeveria teknike të mbetet, në të kundërtën LSDM do të tërhiqet nga grupi punues për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Ne e kemi thënë shumë herë dhe besojmë se në këtë mënyrë krejtësisht autokratike Qeveria teknike nuk mund dhe nuk duhet të shfuqizohet. Ky është vetëm një nga shumë shembuj të funksionimit të kësaj strukture udhëheqëse. Qeveria teknike është garantuesi i vetëm për zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike”, tha Filipçe.
Amendamentet ligjore për shfuqizimin e Qeverisë teknike dje ishin para Komisionit Parlamentar për Sistemin Politik, pasi më 22 prill 2026, Kuvendi me 67 vota pro dhe 13 kundër, miratoi nevojën për procedurë të shkurtuar të Propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila parasheh shfuqizimin e Qeverisë teknike, me ç’rast zgjidhja ligjore kaloi fazën e parë të procedurës parlamentare.
Opozita kërkon që shfuqizimi i Qeverisë teknike të bëhet me një konsensus më të gjerë dhe jo me vendime arbitrare. Nga LSDM, kërkojnë që ndryshimet të bëhen me konsensus njësoj si kur u miratuan më parë, dhe jo siç propozohet tani, përmes një procedure të shkurtuar. Kundër Qeverisë teknike, është prononcuar edhe BDI-ja. Nga atje thonë se nuk do ta mbështesin këtë ligj duke shtuar se diçka që është arritur me marrëveshje politike, duhet të zhbëhet në të njëjtën formë.
Arsyetimet e tilla u kundërshtuan nga VMRO-DPMNE, Koordinatori i tyre, Nikolla Micevski, pyeti pse opozita është kundër një amendamenti të tillë, sepse, siç tha ai, qeveria e Përzhinos është një zgjidhje e vjetëruar.
Ndryshe, Qeveria teknike formohet 100 ditë para zgjedhjeve, Kryeministri duhet të jep dorëheqje dhe Qeveria të propozoj një Kryeministër tjetër, dy Ministra tjerë dhe tre Zëvendësministra duhet të propozohen nga opozita. Këtu përfshihet Ministri i Punëve të Brendshme dhe Ministri i Politikës Sociale dhe tre Zëvendësministra shtesë duhet të jenë në Ministrinë e Financave, Bujqësisë dhe Administratës Publike.