Pas një dekade pauzë, në Teatrin e Tetovës vjen premiera e shfaqjes për fëmijë “Revolta e presjes”
Pas më shumë se një dekade mungese të shfaqjeve për fëmijë, Teatri i Tetovës me 09 dhjetor (e hënë) në ora 19:00, do të sjell premierën e shfaqjes për fëmijë “Revolta e presjes” me autor Dituri Neziraj dhe nën regji të Elmir Sejfullait, transmeton Portalb.mk.
Regjisori i shfaqjes Elmir Sejfullai për Portalb.mk tha se me këtë tekst dëshirojnë që me anë të një loje argëtuese të aktorëve të sjellin te fëmijët edhe rëndësinë e shenjave të pikësimit.
“Teskti dramaturgjik i Dituri Neziraj është një tekst edukativ, por edhe argëtues. Fabula flet se si lepuri duke mos e kuptuar tabelën e Xha Timonit, në të cilën shkruan “Çdo veshgjat të lirohet jo, të dënohet”, ka marrë nga ara e tij karota dhe lakra. Andaj, lepurit i është prerë bishti si dënim. Fajin për këtë u’a vendosin shenjave të pikësimit, veçanërisht presjes, duke aluduar se ajo nuk është vendosur në vendin e duhur dhe ia ka ndërruar kuptimin fjalisë së Xha Timonit. Andaj, gramatika i dënon shenjat e pikësimit, por edhe fëmijët duke i larguar të gjitha librat e botës. Në fund shenjat e pikësimit e kthejnë kohën prapa dhe e përmirësojnë gabimin, me çka gramatika u kërkon falje dhe gjithçka përfundon shkëlqyeshëm”, tha Sejfullai.
Se ku do të udhëtojë kjo vepër pas Tetovës Sejfullai edhe më tej shtoi se nëse kushtet klimatike do të e lejojnë, besojnë se shfaqja përveç që do jepet edhe për shkollat fillore të komunave të tjera të Pollogut, do jepet edhe në qytetet e tjera të Maqedonisë së Veriut.
“Patjetër që ka mungesë. Teatri i Tetovës për shkak të programi të cunguar vjetor dhe buxhetit të ulët nuk ka pasur mundësi që të përgatit shfaqje për fëmijë. Por, këtë vit me ardhjen e Hasim Memishit drejtor në bashkëpunim me Komunën e Tetovës kemi përgatitur këtë shfaqje që besojmë do të jetë e bukur për të vegjlit tanë. Gjithsesi, mendoj që Tetova ka nevojë për themelimin e një Teatri për të fëmijë dhe të rinjtë, me çka do gjatë gjithë vitit fëmijët dhe të rinjtë do kenë mundësi të shohin shfaqje” tha Sejfullai.
Kjo shfaqje jepet pas një pauze të gjatë të shfaqjeve për fëmijë.
“I ftojmë të gjithë prindërit që janë të interesuar të sjellin fëmijët e tyre dhe të shohin shfaqjen. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur çdo nismë që është në të mirë të fëmijëve por edhe të të rriturve”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Të gjithë prindërit që janë të interesuar të dërgojmë fëmijët e tyre, të rezervojnë bileta me kohë në numrin 070-880-711, ndërkaq çmimi i biletës kushton 150 denarë.