Pas heqjes së licencës për “Credi YES”, Ministria e Financave tregon se çfarë do të ndodhë me borxhet e qytetarëve
Heqja e licencës për shoqërinë financiare “Credi YES”, një nga kompanitë më të mëdha të kredive të shpejta në vend, ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi statusin e mëtejshëm juridik dhe financiar të mijëra qytetarëve që kanë kontrata aktive me këtë institucion, shkruan TV21, transmeton Portalb.mk.
Pasi Ministria e Financave e mori vendimin, u mbyllën rreth 40 degë të kësaj kompanie në të gjithë vendin. Kompania ishte aktive në tregun e Maqedonisë së Veriut që nga viti 2019.
Lidhur me mundësinë e faljes së pjesshme ose të plotë të borxheve të mbetura, Ministria e Financave tha se kontratat mbeten të vlefshme deri në vendim gjykate.
“Sipas detyrimeve ligjore, drejtuesi i shoqërisë është i obliguar që brenda 15 ditëve të nisë procedurë likuidimi ose të paraqesë kërkesë për hapjen e procedurës së falimentimit pranë gjykatës kompetente, si dhe për këtë ta njoftojë Ministrinë e Financave. Me nënshkrimin e kontratës, të dyja palët kontraktuese pranojnë të drejtat dhe obligimet e përcaktuara në marrëveshje. Pavlefshmërinë e kontratave mund ta konstatojë vetëm gjykata. Qytetarët kanë të drejtë t’i kundërshtojnë kontratat e lidhura med cilëndo shoqëri financiare para gjykatës kompetente, in përputhje me dispozitat e kontratës së nënshkruar”, thanë nga ministria.
Ligjërisht, kontratat mbeten në fuqi derisa borxhi të shlyhet plotësisht, ose derisa gjykata t’i shpallë ato të pavlefshme nëse vërtetohet përdorimi i kamatave joligjore apo klauzolave abuzive.
Vendimi për mbylljen erdhi pas një kontrolli të rreptë nga organet mbikëqyrëse.
“Mbikëqyrja konstatoi shkelje të rënda të dispozitave ligjore, veprim në kundërshtim me rregullat për mbrojtjen e konsumatorëve dhe praktika me të cilat qytetarët, përdorues të shërbimeve financiare, ishin vënë drejtpërdrejt në rrezik. Për shkak të peshës së shkeljeve të konstatuara dhe seriozitetit të parregullsive të violentuara, Ministria e Financave gjatë muajit maj mori vendim për t’ia hequr licencën e punës kompanisë” thanë nga ministria.
Kujtojmë se në prill kreditë e qytetarëve shënuan rritje për 13.3 përqind dhe huatë për shtëpi dhe ato konsumatore mbeten më të kërkuarat nga amvisëritë. Praktikisht, banorët e RMV-së jetojnë gjithnjë e më shumë me këste. Megjithatë, përballë kushteve më të rrepta të bankave tradicionale, shumë qytetarë kanë rënë pre e shoqërive të kredive të shpejta, të cilat shpesh aplikojnë kamata joligjore.
Fondet private të pensioneve, kompanitë e sigurimeve dhe bankierët mbeten financuesit më të mëdhenj të shtetit. Kreditë që ata ia dhanë Qeverisë në bazë të letrave shtetërore me vlerë “llogariten” në disa miliarda euro. Në fund të shkurtit të vitit 2026, borxhi i shtetit në bazë të letrave shtetërore me vlerë arriti në 4.310.000.000 euro, me një tendencë rritjeje të vazhdueshme në periudhën e kaluar. Madje 52,3% e kredive nga kreditorët vendas kanë një afat maturimi prej 15 vitesh, shkruan analiza ekonomike e Portalb.mk.
- LEXO: Në Maqedoninë e Veriut kreditë e qytetarëve shënuan rritje për 13.3 përqind
- LEXO: Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, jetojnë gjithnjë e më shumë me këste
- LEXO: ANALIZË: Borxhi ndaj kreditorëve vendas në RMV arriti në 4.3 miliardë euro, rritje prej gjysmë miliardi eurosh për një vit (Infografik)