Parisi i kujton Shkupit “rregullat e lojës”, ambasadori Kristof le Rigoler: Kuadri negociues nuk do të ndryshohet

Franca ofron mbështetje ekspertize dhe institucionale për reformat, por hapja e klasterëve në negociatat e Maqedonisë së Veriut me BE-në kushtëzohet nga ndryshimet kushtetuese. Ky është një moment kur BE-ja tregon gatishmëri të shtuar për zgjerim. Kështu ka thënë ambasadori francez në Shkup, Kristof Le Rigoler, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

“Punët po ecin përpara dhe ideja është që shteti të jetë i përgatitur për të hapur klasterin e parë sapo të përfundojë faza qendrore dhe më e rëndësishmja, që janë ndryshimet kushtetuese, ashtu siç është parashikuar në kuadrin negociator të miratuar në vitin 2022”, tha Le Rigoler.

Ai tha se sot ndodhemi në një kontekst që ndoshta është historik, ku nga njëra anë kemi institucione evropiane, shtete anëtare që janë lehtësisht të prirura politikisht për zgjerimin e Bashkimit.

“E kemi thënë, e kemi përsëritur dhe do ta përsërisim se kuadri negociator nuk do të ndryshohet sepse e kemi, ai është pranuar nga të gjithë dhe sot brenda këtyre kornizave procesi eurointegrativ i Maqedonisë duhet të zhvillohet, dhe ai kalon përmes miratimit të kuadrit kushtetues”, tha Le Rigoler.

Në lidhje me garancitë, ai tha se është i njohur procesi vendimmarrës brenda BE-së, i bazuar në konsensus, domethënë duhet që 27 të jenë dakord.

“Vëreni që kjo është mjaft komplekse dhe në këtë kontekst garancitë janë të pamundura. Në fund të rrugës, megjithatë, do të ketë marrëveshje për anëtarësim që do të duhet të ratifikohet nga 27, 28 ose 29 shtete anëtare; nuk e di, dhe kjo nuk është e thjeshtë”, tha ambasadori.

Në intervistë, ambasadori foli edhe për ndihmën që Franca i ka dhënë vendit në zbatimin e reformave për integrimin evropian.

Ndërkaq, kur bëhet fjalë për zbatimin e Agjendës së Reformave, të dhënat tregojnë se vendi po vonohet me disa reforma kyçe ligjore, si Kodi i ri Zgjedhor dhe reformat në drejtësi, ambasadori tha se përmbajtja, fazat dhe ritmi i agjendës së reformave janë përcaktuar nga vetë autoritetet vendase, të cilat janë zotuar për zbatimin e saj.

Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.