Paralajmërimi për hapjen e Urës së Ibrit nxiti reagimin e BE-së dhe Listës Serbe

Veprim i papranueshëm e me synim të përshkallëzimit të situatës është parë paralajmërimi i autoriteteve të Kosovës për hapjen e urës së Ibrit për qarkullim edhe të automjeteve. Bashkimi Evropian ka kërkuar që për këtë çështje të diskutohet në Bruksel, e Lista Serbe iu ka bërë thirrje ndërkombëtarëve ta ndalojnë një veprim të tillë, raporton Koha.net.

Paralajmërimet për hapjen e urës së Ibrit janë kthyer sërish në vëmendje të publikut.

Hapjen e saj edhe për automjete e ka konsideruar çështje kohe zv.drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një prononcim për TëVë1.

I menjëhershëm ishte reagimi i Listës Serbe dhe i ndërkombëtarëve.

Në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë thanë se çdo vendim që lidhet me urën e Ibrit duhet të merret në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

“BE-ja mbetet e gatshme për t’i lehtësuar bisedimet. BE-ja u bën  thirrje gjithashtu palëve të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrezikojë stabilitetin në terren dhe të shpërqendrojë palët nga zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve – që duhet të jetë prioriteti i tyre kryesor”, thuhet në deklaratën e Zyrës së BE-së në Kosovë.

E thirrje ndërkombëtarëve që të mos e lejojnë hapjen e urës së Ibrit ka bërë Lista Serbe.

Paralajmërimi për një veprim të tillë, nga kjo parti është konsideruar i papranueshëm dhe që synon destabilizimin e situatës në terren.

“U bëjmë thirrje KFOR-it, EULEX-it dhe përfaqësuesve të Brukselit që ta parandalojnë Kurtin që të shkaktojë një krizë tjetër dhe të pengojnë planin e tij për dëbimin e serbëve nga Kosova. Ju ftojmë të reagoni urgjentisht dhe t’i tregoni publikisht regjimit në Prishtinë se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, veçanërisht në Mitrovicë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Hapja e urës së Ibrit është diskutuar edhe vitin e shkuar. Në atë kohë asamblistët e Mitrovicës së Veriut miratuan vendimin dhe ai u ishte përcjellë institucioneve qendrore, por që deri më tash nuk është bërë ndonjë lëvizje në këtë drejtim.

Ura që ndan jugun dhe veriun shihet si simbol i ndarjes së Mitrovicës. Ajo mund të kalohet vetëm në këmbë, ndonëse ka një marrëveshje nga viti 2015 në Bruksel për lëshim të urës për qarkullim edhe të automjeteve.