Papa Leoni do të vizitojë Turqinë dhe Libanin në udhëtimin e tij të parë që nga marrja e detyrës

Papa Leoni sot u nis në udhëtimin e tij të parë jashtë Italisë si udhëheqës i Kishës Katolike. Ai do ta vizitojë Turqinë, ku pritet të bëjë apel për paqe në Lindjen e Mesme dhe të bëjë thirrje për unitet mes kishave të krishtera që kanë qenë të ndara për një kohë të gjatë, transmeton Portalb.mk.

Papa i parë amerikan zgjodhi Turqinë, vend kryesisht mysliman, si destinacionin e tij të parë të huaj.

Leoni, i cili ka një agjendë të ngarkuar tre-ditore në Turqi para se të niset drejt Libanit, do të ndiqet me kujdes ndërsa mban fjalimet e tij të para jashtë vendit dhe viziton vendet e ndjeshme kulturore.

“Kjo është një vizitë shumë e rëndësishme sepse ende nuk dimë shumë për qëndrimet gjeopolitike të Leonit, dhe kjo është mundësia e tij e parë e madhe për t’i sqaruar ato,” tha për Reuters Massimo Fagioli, akademik italian që ndjek Vatikanin.

Leoni u zgjodh në maj nga kardinalët e botës për të pasuar të ndjerin papa Françesku. Mjaft i panjohur në skenën botërore para zgjedhjes së tij, ai kaloi dekada si misionar në Peru dhe u bë zyrtar i Vatikanit vetëm në vitin 2023.

Françesku kishte planifikuar t’i vizitonte Turqinë dhe Libanin, por nuk arriti të udhëtonte për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij.

Papa u nis drejt kryeqytetit turk, Ankarasë, ku pritet të takohet me presidentin Taiip Erdogan dhe t’u drejtohet liderëve politikë. Ai do të fluturojë mbrëmjen e sotme për në Stamboll, selia e Patriarkut Bartolomeu, udhëheqësi shpirtëror i 260 milionë të krishterëve ortodoksë në botë.

Ortodoksët dhe katolikët u ndanë në Shkëputjen Lindje–Perëndim në vitin 1054, por përgjithësisht në dekadat e fundit kanë kërkuar të ndërtojnë marrëdhënie më të afërta.

Paqja pritet të jetë tema kryesore e vizitës së papës në Liban, e cila fillon të dielën. Libani ka përqindjen më të lartë të të krishterëve në Lindjen e Mesme.

Javën e kaluar, Izraeli vrau zyrtarin më të lartë ushtarak të grupit militant Hezbollah, të mbështetur nga Irani, në një sulm ajror në një periferi jugore të kryeqytetit libanez, Bejrut, pavarësisht një armëpushimi njëvjeçar të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, tha të hënën se po ndërmerren masat e nevojshme të sigurisë për të garantuar sigurinë e papës në Liban, por nuk deshi të komentojë detajet.