Pa vullnet politik nuk mund të ketë reforma në gjyqësorin e Maqedonisë së Veriut

Pa vullnet politik nuk mund të ketë reforma në gjyqësor, rrjedhimisht sundim të ligjit dhe luftë kundër krimit të organizuar e korrupsionit. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike duke komentuar shtyllat kryesore të Qeverisë së re që pritet të formohet nga VMRO DPMNE-ja, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të 8 majit dhe koalicioni VLEN, që përbëhet nga katër parti politike shqiptare, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Lufta e pakompromis dhe e vendosur kundër korrupsionit dhe reduktimi i burokracisë së gjerë janë sfidat kryesore, sepse besojmë fort se drejtësia në shoqëri është parakusht themelor për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Koalicioni do të iniciojë dhe mbështesë veprimet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit për të kthyer besimin e lëkundur të qytetarëve në institucione”, thuhet në programin zgjedhor të VMRO DPMNE-së.

Edhe koalicioni VLEN prioritet ka këto çështje, që sipas drejtuesve të tij, janë pengesë kryesore për zhvillimin e vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Profesori Angel Ristov thotë se këto premtime janë dhënë në vazhdimësi nga partitë politike para formimit të qeverive të reja, por, sipas tij, që kjo të ndodhë së pari nevojitet vullnet politik. Ai thotë se me rëndësi është që ligjet në Kuvend të mos miratohen pa konsultim me ekspertët.

Qeveria e re, jo vetëm që duhet të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, por është e detyruar që të bëjë një gjë të tillë pasi shteti është zhytur në borxhe të mëdha si pasojë e keqpërdorimeve të shumta që janë bërë, thotë Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës. Ai shtoi që institucionet duhet t’i nënshtrohen një “rëntgeni” të fuqishëm dhe për të gjithë shkelësit të ketë jo vetëm përgjegjësi, por edhe t’i kthejnë paratë e keqpërdorura.

Pushteti gjyqësor në Maqedoninë e Veriut është ndër më të kritikuarit nga pothuajse të gjitha institucionet ndërkombëtare, nga BE-ja e SHBA-ja, të cilat me ngulm kërkojnë rezultate në vendosjen e sundimit të ligjit.

Kritikat më të mëdha kanë të bëjnë me ndryshimet në Kodin Penal që kanë lënë të lirë dhjetëra ish-zyrtarë të lartë të akuzuar për vepra të rënda penale nga periudha e qeverisjes së ish-kryeministrit Nikolla Gruevski nga viti 2006 deri në vitin 2016.

Arsen Janevski, njohës i çështjeve juridike, beson se të ndodhur përballë kritikave të fuqishme nga jashtë, Qeveria doemos duhet të tregojë rezultate në gjyqësor.

Ndryshe, Komisioni Evropian i lëshoi Maqedonisë së Veriut 50 milionë euro kredi, e cila është pjesë e këstit të parë të operacionit të Ndihmës Makro-Financiare (NMF). Maqedonia e Veriut, për ta marrë këstin e parë ishte e obliguar që t’i zbatojë disa reforma të kërkuara nga KE-ja, reforma që duhet të vazhdojnë për të marrë edhe 50 milionë eurot e tjera.

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2023 për Maqedoninë e Veriut kundrejt integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, ishte mjaftë shqetësues në veçanti me progreset në disa sfera, edhe atë: drejtësia, administrata publike, lufta kundër korrupsionit dhe rrishqyrtimi i Kushtetutës si polarizim politik. Portalb.mk analizoi programet zgjedhore të kandidatëve të koalicioneve edhe në lidhje me reformën në gjyqësor.