Osmani në Tiranë, Begaj: Prishtina të koordinohet me aleatët për çdo veprim

Presidenti shqiptar Bajram Begaj tha sot se Kosova duhet të koordinohet më mirë dhe më ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për veprimet që ajo ndërmerr, duke ju referuar zhvillimeve të tensionuara në veriun e saj. Këto komente ai bëri gjatë një konference për shtyp me homologen Vjosa Osmani, e cila nisi sot një vizitë dy ditore në Shqipëri. Zonja Osmani po ashtu deklaroi se koordinimi me aleatët është parakusht për suksesin e Kosovës, njofton Zëri i Amerikës.

Vizita në Shqipëri e Presidentes Vjosa Osmani, pason momente të një acarimi të dukshëm mes kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës, në muajin qershor, lidhur me qasjen ndaj tensioneve në veriun e Kosovës dhe anulimin e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive.

Por Osmani foli për momente lehtësisht të kapërcyeshme: “Nëse ndonjëherë, kemi dallim në strategji duhet të ulemi e t’i tejkalojmë ato si një familje, sepse një familje jemi. E duke pasur parasysh interesin e kombit dhe shtyrjen përpara të fuqizimit ndërkombëtar të Kosovës, jam e bindu se dhe ndonjë moment i vogël i pakëndshëm tejkalohet pa ndonjë problem të madh”.

I të njejtit qëndrim ishte dhe Presidenti Begaj sipas të cilit nuk ka vend për shqetësim. Kreu i shtetit shqiptar, megjithatë theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të Kosovës me aleatët perëndimorë, për më tepër, që Brukseli vijon të mbajë në fuqi disa sanksione ndaj Prishtinës, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara nuk mungojnë thirrjet për shtensionimin e situatës në veri dhe vijimin e dialogut me Serbinë.

“Pavarësisht provokimeve për të tensionuar situatën në komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, si dhe ndërhyrjeve hibride nga aktorë të tretë dashakeqës, duhet një koordinim më i ngushtë dhe më i mirë me partnerët tanë kryesorë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, për të gjitha veprimet e ndërmarra. Pa mbështetjen ndërkombëtare, pa mbështetjen e atyre që e bën të mundur këtë realitet, ne nuk mund të themi sot që nuk i duam”, u shpreh presidenti Begaj.

Këtij pozicioni i bëri jehonë dhe Presidentja Osmani: “Pajtohem me Presidentin Begaj, se koordinimi me miqtë e aleatët tanë është parakusht për suksesin tonë, kudo dhe kurdo”.

Osmani vijoi vizitën me një takim me Kryeministrin Edi Rama dhe me kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla.