Osmani në Kazakistan takoi homologun e tij Nurtleu

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani tha se Azia Qendrore dhe Kazakistani përballen me sfida të shumta të sigurisë, ndërsa situata në Afganistan rezulton me ndikime të forta në të gjithë rajonin, por OSBE-ja vazhdon të mbështesë vendet pjesëmarrëse në trajtimin e këtyre ndikimeve përmes një pako gjithëpërfshirëse të projekteve për zbutjen e rrezikut, transmeton Anadolu.

Osmani e theksoi këtë në konferencën për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Kazakistanit, Murat Nurtleu, e cila u mbajt sot në Astana pas takimit të tyre të përbashkët.

“Pavarësisht sfidave me të cilat përballet OSBE-ja, veçanërisht për shkak të agresionit ushtarak rus në Ukrainë, i cili ka një ndikim të madh në sigurinë tonë kolektive, njerëzore dhe ekonomike, OSBE-ja do të vazhdojë të punojë në mënyrë të koordinuar dhe të ofrojë zgjidhje që do të nënkuptojnë siguri më të madhe për popujt e rajonit më të gjerë të Azisë Qendrore”, tha Osmani.

Përveç përballjes me sfidat, Osmani tha se Zyra Programore e OSBE-së në Astana i ofron mbështetje Kazakistanit për zbatimin e agjendës së reformave në vend.

“Bashkëpunimi midis Kazakistanit dhe OSBE-së tregon rezultate shumë të mira në terren. Për shembull, projekti ynë i përbashkët tre-vjeçar për të mbështetur reformat në drejtësi rezulton në ngritjen e kapaciteteve në bashkëpunim me Gjykatën e Lartë, organet qeveritare dhe institucionet kombëtare të të drejtave të njeriut. Vlen të përmenden projektet për ekoportet, luftën kundër krimit kibernetik dhe të tjera, gjë që flet për përfitime të prekshme për njerëzit që rezultojnë nga puna e përbashkët e Zyrës së OSBE-së dhe institucioneve”, theksoi ai.

Krahas bashkëpunimit të OSBE-së me Kazakistanin, Osmani tha se Maqedonia e Veriut dhe Kazakistani kanë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale në të gjitha sferat me interes të ndërsjellë – politike, ekonomike, tregtare dhe kulturore dhe pret që ato të vazhdojnë të thellohen.

Osmani gjithashtu shprehu mirënjohje për autoritetet në Kazakistan për mbështetjen e prioriteteve të Maqedonisë së Veriut në kuadër të kryesimit të OSBE-së.