Moda do t’i mbajë mend emrat e këtyre tri vajzave

Tri vajza të reja nga Maqedonia kanë qenë pjesë e garës ” Muza competition” që mbahet në Tiranë dhe që të trija janë përzgjedhur në dhjetëshen finale. Besa Mahmudi nga Tetova, Kevser Emini dhe Sara Kadrija nga Shkupi. Besa Mahmudi kishte përzgjedhur veshjet me elementet e Rekës së Epërme ku dominonin qëndisja dhe rruazat herë si dekor e herë si aksesorë. Kevser Emini kishte përzgjedhur që të vesh femra e djem bashkë me punime të bazuara në punë dore dhe qeleshet e dikurshme të sjella në kontekst bashkëkohor. Sara Kadrija i kishte në fokus vejushat të cilat i kishte sjell në një dritë tjetër, gjatë performancës rastësisht njërës modele i është thyer taka dhe ashtu ka vazhduar, Sara ishte e lumtur pasi ky gjest ka dhënë krejt atë çka e ka pasur në fokus, femra që vazhdojnë rrugën edhe kur ajo duket e rëndë.

“MUZA COMPETITION” është një projekt i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, i cili përfshin aktivizimin e të rinjve në rrjetëzimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajnit. Projekti u dedikohej të rinjve nga mosha 18-35 vjeç nga qytetet shqiptare të rajonit të Ballkanit Perëndimor, për t’u ofruar atyre një spektër më të gjerë mundësish profesionale duke siguruar një urë lidhëse me rrjetin e bashkëpunëtorëve në industrinë e modës.

Foto nga arkivi personal i Sara Kadriut
Foto nga arkivi personal i Sara Kadriut

Sara Kadrija nga qyteti Shkupit tashmë një fashion dizajnere e re në industrinë e modës, e inkurajuar në këtë fushë sepse dizajni është pjesë e jetës së saj dhe akt veprimi me të cilin e mbush jetën sepse siç thotë ajo ’’ arti për mua nënkupton dashurinë ndaj modës dhe të sjell risi për modën për mua është një mision. Tashmë si dizajnere e re, e shoh veten në këtë rrugëtim gjithmonë edhe më shumë në hap me modën  për të sjellë sa më shumë dizajne interesante për brendin dhe njëkohësisht klientët e mi në të ardhmen.’’

Foto nga arkivi personal i Besa Mahmudit
Foto nga arkivi personal i Besa Mahmudit

Besa Mahmudi për Portalbin thotë: ‘’Dashuria për dizajnin ka lindur që nga fëmijëria, atëherë kur fillova te gjej frymëzim në shumë llojllojshmëri njerëzish dhe gjërash. Ai ka qenë fillimi i lulëzimit të diçkaje të re brenda meje, që atëherë ka lindur pjesa e procesit të krijimit të gjërave të bukura nga ideja dhe gjithë procesi i realizimit. Gjithmonë më kanë tërhequr gjërat e bukura dhe në çdo moment mendoja të krijoja diçka te re, hapat e para ishin të vështira se jo çdo herë atë që e mendoja u realizonte në mënyrën e duhur. Shumë këmbëngulje dhe mund deri sa arrita të profesionalizohem në këtë degë .’’

Foto nga arkivi personal i Kevser Eminit
Foto nga arkivi personal i Kevser Eminit

Kevser Emini e cila ka pasur pjesëza punimesh etno, edhe ‘’goblenat’’, përparëset,  si pjesë të kësaj sfilate thotë se përveç mamit , motrave ndihmë i ka dhënë dhe gjyshja. Kur ka shkuar në ‘’ Muza’’ ka menduar se do të shkoj gjithçka shumë mirë dhe se do të shëtis shumë, por, siç duket puna e dizajnit nuk është gjithë aq e lehtë sa duket pasi është dashur të bëj korrigjime të vockla të cilat marrin kohë. Sidoqoftë, edhe pse Kevseri nuk e gjen veten te motivet etno, ajo thotë se do kishte dashur në të ardhmen të bëj brendin e vet.

Ky konkurs garues u nënshtrohet tri fazave:

Gjatë fazës së parë pranohen të gjitha aplikimet që shqyrtohen nga një juri profesioniste. Vetëm një pjesë e tyre kalojnë në fazën e dytë.

Gjatë fazës së dytë, juria dëgjon prezantimet nga çdo aplikant dhe bën një përzgjedhje ku vetëm 10 prej tyre kalojnë në fazën e tretë që është dhe e fundit.

Në fazën e tretë dhjetë finalistët shfaqën koleksionin e tyre në një spektakël madhështor ku u ndanë dhe tre çmimet kryesore. Çmimet mbajnë shumë monetare , edhe atë:

Çmimi i tretë: 5.000 Euro, çmimi i dytë: 10.000 Euro, çmimi i pare: 20.000 Euro

Pjesë e jurisë ishte stilisti i famshëm i modës Valdrin Sahiti, fotografi me renome botërore Fadil Berisha si dhe modelja po ashtu me famë Emina Çunmulaj.

Foto nga Unioni i Bashkive
Foto nga Unioni i Bashkive

Pjesë e kësaj ngjarjeje ishin emra të njohur nga të gjitha trevat shqiptare si edhe nga të gjitha sferat duke filluar nga politika.

Tre çmimet e para ngelën në Shqipëri, ndërsa vajzat nga Maqedonia me vete sollën përvojën e bukur dhe motivimin për të vazhduar përpara derisa brendet e tyre të pushtojnë botën. Secila me stilin e vet unik, asnjëra nuk e gjen veten shumë ne motivet etno, por secila do që një ditë të na e dëshmojnë cila është risia që dëshirojnë të sjellin në modë, cili është stili i tyre, deri atëherë , mbajini mend këta emra !