Osimhen zbuloi prapaskenën e merkatos

Ka qenë një merkato e nxehtë për sulmuesin nigerian të Napolit, Victor Osimhen. Gjatë merkatos së verës, Osimhen pati oferta nga Europa, por më këmbëngulësit ishin ata nga Arabia Saudite, gjë të cilën ai tregon më mirë në podcastin e Obi Mikel, raporton ABC.

“Duhet të jem i sinqertë, kurrë nuk kam menduar të largohem sepse Napoli donte të më mbante, por kur erdhi oferta e madhe nga Arabia Saudite, ishte e vështirë të refuzoja.

Kam folur me Napolin dhe vendosa të qëndroj, por ishte çmenduri. Sa më shumë që të thoja ‘jo’, aq më shumë e shtonin ofertën financiare nga Arabia Saudite. Ato shifra do të kishin ndryshuar jetën time, ata nuk u dorëzuan kurrë. Por unë thashë, jo djema, unë po qëndroj.

A dëshiroj të vazhdoj të luaj në Europë? Sigurisht, kam pasur bisedime në gusht, për mua ishte një vendim i madh për t’u marrë. Fola me Napolin dhe vendosëm së bashku të refuzonim ofertat. Nuk doja që njerëzit të mendojnë se dua të largohem. Ishte një vendim pozitiv për karrierën time. Edhe pse futbolli luhet edhe për para, ka edhe shumë më tepër”, është shprehur Osimhen.

Gjithashtu Osimhen ka shprehur edhe një mesazh të koduar, ku ka treguar se ka dy ekipe të preferuara, dhe ndoshta tek njëri prej tyre mund të transferohej.

“Unë nuk kam një skuadër të preferuar në Premier League, por kam dy fanella në shtëpi, të Chelsea dhe Manchester United”, ka përfunduar sulmuesi nigerian.