“Odiseja e Gëzimit” udhëton drejt premierës botërore në Kajro
Filmi “Odiseja e Gëzimit”, me skenar dhe regji nga Zgjim Terziqi, do të ketë premierën botërore në një nga festivalet më prestigjioze ndërkombëtare Kajro International Film Festival. Ky festival, i cili bën pjesë në mesin e 15 festivaleve të kategorisë “A”, të akredituara nga Federation of Film Producers Associations, do të mbajë edicionin e tij të 46-të nga 12 deri më 21 nëntor 2025, shkruan Portalb.mk.
Në pyetjen se a është ky film një udhëtim i shpirtit apo një rebelim ndaj realitetit që na vret çdo ditë, Zgjim Terziqi, regjisor filmit për Portalb.mk tha se “Odiseja e Gëzimit” është një kombinim i të dyjave.
“Ndoshta një kombinim i të dyjave. Nuk e di, por çka di është që nuk mundesh me i ikë realitetit, sa do i dhimbshëm që ai është. Këtë na e kanë mësuar karakteret e filmit tonë. Filmi jonë fillon bashkë me mijëvjeçarit e ri, ku Lisi, një djalë 12-vjeçar, babai i të cilit është person i zhdukur nga lufta e Kosovës, i bashkohet një trupe cirku të ardhur nga Franca që udhëton për të sjellë gëzim dhe lumturi fëmijëve të një vendi të shkatërruar nga lufta. Triumf e konsideroj faktin që kemi arritë me e përfundu filmin dhe e kemi përfunduar ashtu siç kemi dashtë ne, pa kompromise. Edhe pse me probleme të mëdha financiare, fatkeqësisht, refuzime, pengesa, dëme, filmi jonë e ka arritë me pas përbrenda qëllimin me të cilin edhe është jetësu ideja për të”, tha Terziqi.

Ai u shpreh i lumtur që ky film do të prezantohet në Kajro në një nga festivalet më prestigjioze.
“Në Kajro tash më bjen të shkoj për herë të dytë, pasi që kam qenë edhe në vitin 2017 me një film të shkurtë. Jam shumë kurreshtar të shoh filmin në kinema bashkë me publik, e besoj që një nga vendet më të qëlluara për ta bërë këtë është pikërisht Kajro. Në Egjipt do jetë edhe aktori kryesor i filmit i cili luan Lisin, Diar Sadiku, dhe gëzohem shumë që ka me pasë mundësinë me pa edhe prezantu filmin në një festival prestigjioz si Kajro. Sigurisht që është ndjenjë e mirë kur përzgjidhet nga mijëra filmat nga gjitha bota, në fakt mënjëherë pas Kajros është një festival tjetër i kategorisë “A” në të cilin do të shfaqet filmi jonë, por që nuk është bërë ende publike. Mirëpo, për mu kryesorja është që filmi të shihet nga publiku në Kosovë, dhe gjithë shqiptarët nëpër botë”, tha Terziqi.
Terziqi tha se shpresa e tij është që ky film të jetë inspirim dhe motivim për fëmijët.
“Shpresa ime është që ky film të jetë inspirim dhe motivim për fëmijët tanë. Kisha me qenë jashtëzakonisht i lumtur nëse një fëmijë kur e sheh filmin tonë, të inspirohet që ajo apo ai të bëhet filmbërës. Unë, por besoj edhe koleget e mi, dashurinë për filmin dhe kinemanë të gjithë e kemi marrë nga autor të huaj, pasi që fatkeqësisht kemi pas shumë pak apo hiq prodhime filmike në shqip. Ende nuk kemi shumë, por tashmë besoj që gjeneratat e reja e kanë në dispozicion një filmografi më të madhe prej të cilës munden me marrë frymëzimin, dhe ndoshta në këtë do të ndikoj sadopak edhe “Odiseja e Gëzimit””, tha Terziqi.

Terziqi tha se arti mund ta shpëtojë njeriun, por duhet edhe stimulim intelektual.
“Shpirtërisht pa dyshim besoj që mundem me e shpëtu njeriun, mirëpo gjithashtu besoj që duhet edhe me e stimulu intelektualisht. Megjithatë, këto të dyja janë shumë vështirë me u arritë, pak regjisor ndoshta ja dalin. Por, kjo nuk do të thotë që edhe ne të tjerët nuk duhet me provu”, tha Terziqi.
Në këtë film luajnë aktorët: Diar Sadiku, Lucie Fagedet, Frédéric Radepont, Iñaki Lartigue, Tristan Halilaj, Njomëza Fetiu, Meli Qena, Dukë Sllamniku, Edon Rizvanolli, Eli Gashi, Bajram Kafu Kinolli, Milot Hoxha, dhe të tjerë.
“Odiseja e Gëzimit” është një bashkëprodhim Kosovë-Francë, prodhim i Plan Bee Films, në bashkëprodhim me Mon Ballon Production.