Nxitjet ndëretnike në fushata, të vjetruara në Maqedoninë e Veriut

“Kryeministër shqiptar i Maqedonisë së Veriut”, “Mësimi do të nisë me himnin maqedonas”, “Me BDI-në në Qeveri shqiptarëve nuk do t’u mungojë asnjë fije floku”, “Na jepni 61 vota të mos kushtëzohemi nga shqiptarët”. Këto janë vetëm disa nga mesazhet që po përcjellin partitë politike në tubimet me elektoratin apo në paraqitje të tjera para publikut në Maqedoninë e Veriut, raporton REL.

Edhe pse data e zgjedhjeve ende nuk është caktuar, por si afate të mundshme për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale shihen 5 dhe 8 maji i vitit 2024, partitë kanë rikthyer retorikën me përmbajtje etnike me synimin e marrjes së votave.

Por, njohësit e çështjeve politike, Arsim Sinani dhe Aleksandar Cvetkovski, nuk besojnë se partitë do t’ia arrijnë të “ndezin skenën politike me tema ndëretnike”.

Retorika etnike e partive po ndodh në kohën kur Maqedonia e Veriut po përballet me sfida të shumta në procesin e integrimit evropian, mungesën e konsensusit për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por edhe me kritika të shumta për politizimin e gjyqësorit, mungesë të rezultateve në luftën kundër korrupsionit, keqpërdorime të shumta të pushtetit, kurdisje të tenderëve e probleme tjera që janë theksuar edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian (KE).

Analisti Arsim Sinani thotë për Radion Evropa e Lirë se në mungesë të rezultateve në këto fusha, partitë u rikthehen çështjeve etnike për të zhvendosur vëmendjen nga problemet reale të qytetarëve.

“Kjo është një temë e tejkaluar dhe nuk besoj se elektorati ndez në këto tema, por ja që politikanët e përdorin për interesa të konsumit të brendshëm. Nuk e besoj se do t’ia arrijnë për shkak se qytetarët janë të lodhur meqë kanë tjera synime që kanë të bëjnë me mirëqenien, përmirësimin e jetës së tyre. Ata, thjesht, retorikën etnike të partive nuk e shohin si çështje që mund t’i zgjidhë problemet e tyre”, konsideron Sinani.

Ai thotë se përdorimi i “nacionalizmit retorik banal“ nga partitë politike nuk ka se kujt t’i drejtohet, pasi, sipas tij, një pjesë e madhe e qytetarëve tashmë ka ikur jashtë vendit, në kërkim të një perspektive më të mirë. Kjo retorikë, siç shprehet Sinani, “mbetet në funksion të kënaqjes së egos së strukturave të caktuara politike”.

“Narracioni i një nacionalizmi patetik nuk kalon te populli pasi njerëzit nuk janë ata që kanë qenë para 100 vjetëve. Ata e kuptojnë gjuhën që e përdorin partitë e që ka të bëjë me fitimin e votave për t’i mbajtur ata në pushtet dhe pastaj harrojnë gjithçka çfarë kanë thënë”, thotë ai.

Aleksandar Cvetkovski, drejtues i organizatës joqeveritare për tolerancë dhe bashkëpunim civil, thotë për Radion Evropa e Lirë se është për keqardhje kur sheh partitë të cilat ende flasin “budallallëqe” duke menduar se me tema ndëretnike mund të arrijnë të marrin mbështetjen e tyre në zgjedhje.

“Tashmë është qesharake të diskutosh tema të tilla, por kuzhinat politike po i plasojnë sepse ndryshe do të duhet të flasin për monitorimin e qeverisjes, apo për atë se si vodhën shumë para, se si nuk ka llogaridhënie dhe transparencë, se si është normale për ta që të miratojnë ligje, me të cilat edhe vjedhja bëhet e padënueshme. Pra, nëse flasim për këto tema, atëherë shtrohet pyetja se cila nga partitë politike do të mbetet në pushtet”, thotë Cvetkovski.

Ai thotë se edhe elektorati shqiptar tashmë e ka të qartë se gjithçka që flasin partitë që ata i kanë votuar, është vetëm “folklor”.

“Vetë shqiptarët qeshin dhe e kuptojnë se është folklor. Si do të arrijnë partitë që të krijojnë shtete të mëdha? Është qesharak publikimi i hartave me shtetet etnike. Pra, le t’i lëmë ato të bëjnë çfarë të duan, le të merren me folklor, kurse ne të interesohemi për atë se kush po vjedh. Të interesohemi për forcimin e pushtetit gjyqësor, si dhe të mos lejojmë që pushteti të përqendrohet në duart e vetëm disa individëve”, thekson Cvetkovski.

Ndryshe, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi ju ka dhënë afat partive politike në Kuvend që deri në Vitin e Ri të vendosin datën e zgjedhjeve. Pas këtij afati, ai theksoi se do të duhet të veprojë sipas obligimeve kushtetuese dhe të shpallë zgjedhjet.

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale duhet të mbahen vitin e ardhshëm. Partitë mendojnë ndryshe për kohën dhe organizimin e zgjedhjeve. LSDM dëshiron që zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të organizohen veçmas, ndërsa VMRO-DPMNE kërkon që të dy ciklet zgjedhore të shkrihen në një proces zgjedhor.

Tre partitë opozitare shqiptare në krye me Afrim Gashin, Bilall Kasamin dhe Izet Mexhitin, nën emrin “Lidhja evropiane për ndryshim” do të bashkëpunojnë dhe do të garojnë në të ardhmen. Aleanca për Shqiptarët e ka refuzuar ftesën e bllokut opozitar për bashkëpunim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke paralajmëruar që do të garon e vetme në zgjedhje.