Vuçiç: Për sa kohë Kurti është në pushtet, nuk ka përparim në dialogun Beograd-Prishtinë

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç deklaroi se një nga temat e bisedimeve në Paris do të jetë dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por se nuk beson se do të ketë përparim përderisa në krye të qeverisë së Kosovës do të jetë Albin Kurti, raporton ABC.

“Dhe nuk ka asnjë filozofi të madhe, mendoj se tani është e qartë për të gjithë ata, në Perëndim, se Kurti nuk dëshiron fare të formojë një komunitet të komunave serbe, se nuk dëshiron përparim në dialog, dhe se çdo gjë tjetër ishte marifete ballkanike që mund të funksionojnë një herë ose dy herë, por sigurisht jo në afat të gjatë”, tha Vuçiç në përgjigje të pyetjes së një gazetari nëse dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të diskutohet në Paris, shkruan Tanjug.

Ai shtoi se është e rëndësishme që Beogradi të ruajë paqen dhe jetën e serbëve në Kosovë.

“Nuk besoj se do të ketë ndonjë përparim serioz, sidomos deri në formimin e Asociacionit derisa Kurti është në pushtet në Prishtinë. Le t’i vendosim gjërat plotësisht qartë dhe pastër ashtu siç janë”, theksoi presidenti i Serbisë.