Nxënësit e shkollave të mesme në debat: Kur bëhet fjalë për dhunën, të gjithë jemi në anën e njëjtën

Çdo nxënës duhet të inkurajohet dhe të flasë, sepse problemet dhe kushtet psikologjike nuk do mund t’i kapërcejmë dot duke heshtur. Bashkëpunëtorët profesionalë në shkolla duhet të edukohen, ndërsa në çdo lëndë shkollore të inkorporohen mekanizma për atë se si zhvillohen vlera të mira morale – të ndihmohen të tjerët dhe të jesh shok. Të mos i përjashtojmë ata që janë të ndryshëm nga ne, të punojmë në fushën e çlirimit nga stigma dhe të mësojmë se si ta zgjidhim problemin e dhunës tek të rinjtë, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Këto janë pikat kryesore që u theksuan në debatin “Dhuna tek fëmijët” që u zhvillua sot në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) në Shkup.

E veçanta e kësaj ngjarjeje, ndryshe nga ngjarjet e tjera të shumta të mbajtura gjatë kësaj periudhe me temë dhunën mes bashkëmoshatarëve, është se folës kryesorë ishin pikërisht të rinjtë – nxënësit e shkollave të mesme. Mbi 100 nxënës nga më shumë se 20 shkolla të ndryshme nga i gjithë vendi u mblodhën në Amfiteatrin e Madh të Fakultetit Filozofik për të ndarë nga afër përvojat dhe pikëpamjet e tyre mbi temën që u bë aktuale në shoqërinë tonë pas ngjarjes fatkeqe në Serbi, në të cilën një nxënës në një shkollë fillore vrau nëntë nxënës dhe rojën e shkollës.

Kur bëhet fjalë për kujdesin ndaj të rinjve, luftën kundër dhunës dhe mirëqenien në shkolla, të gjithë ne jemi në të njëjtën anë, konstatuan organizatorët.

Debatin e hapën profesoreshat Sofija Georgievska dhe Natasha Stanojkovska Trajkovska – e cila është edhe prodekane për financa, investime dhe zhvillim në Fakultetin Filozofik, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri dhe kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lluka Paviçeviq.

Pas hapjes dhe fjalëve hyrëse me mesazhe për dashuri, respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë, të gjithë folësit kaluan në “anën tjetër” të amfiteatrit – te bankat mes nxënësve të shkollave të mesme, për të dëgjuar se çfarë kishin për të thënë ata.

Debat i nxënsve. Foto: Meta.mk
Debat i nxënsve. Foto: Meta.mk

“Që të mund të kemi një debat të tillë, duhet të jemi të sinqertë. Dhuna nuk është asgjë e re. Është diçka që e ndjek njeriun që nga çasti i parë i ekzistencës së tij. Këtu në lojë janë dy ndjenja – e para është se ne të gjithë duam të përkasim diku, në një shoqëri ose grup që është i ngjashëm me ne. Njëkohësisht, me atë nevojë për të përkitur në një grup, vjen nevoja dhe ndjenja e përjashtimit. Kjo do të thotë që këdo që e shohim si ndryshe, ne e shohim si diçka të huaj për ne dhe nuk duam ta pranojmë”, tha në fillim të debatit kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lluka Paviçeviq.

Frika nga të qenit i përjashtuar

Dhuna ndodh sepse disa prej nesh nuk pranohen nga mjedisi. Mungesa e përkatësisë është e dhimbshme për abuzuesit, të cilët më pas gjejnë një viktimë për ta sulmuar për shkak të frikës së caktuar në kokën e tyre, tha një nxënëse nga një shkollë e mesme në Kumanovë.

“Të gjithë ne, thellë brenda vetes, duam që të përkasim një mjedis të caktuar – në shkollë apo jashtë saj. Kur nuk i përkasim asnjë mjedisi, ne jemi të ndryshëm, ndërsa për abuzuesit kjo është diçka shumë më e dhimbshme. Ata gjejnë një viktimë që mund ta sulmojnë për shkak të frikës së caktuar në kokat e tyre. Dhe pastaj bëhemi ne viktima të dhunës, jemi ne ata që e pësojmë nga bullizmi”, tha nxënësja.

Ajo tregoi një shembull se si shkolla e saj po punon për ta zgjidhur këtë problem.

“Ne kemi një Klub të ndërmjetësimit, ku në mënyrë jo të dhunshme, me komunikim jo të dhunshëm mundohemi t’i zgjidhim problemet. Atje, këtë vit, trajnues janë vetë nxënësit, e jo profesorët, sepse mendojmë se në këtë mënyrë, me komunikim joformal, bashkëmoshatarët tanë do të mund t’i shprehin më lehtë problemet e tyre, e pastaj ne t’i drejtojmë për ta zgjidhur problemin”, tha nxënësja.

Fokusi kryesor duhet të jetë tek arsyeja se pse abuzuesit e bëjnë atë dhunë dhe të punohet me atë frikë, tha një nxënëse tjetër.

“Problemi nuk është te viktimat, por te mjedisi i abuzuesit dhe frika e abuzuesit që të mos jetë ai viktimë e dhunës”, tha nxënësja.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri u ndërlidh me një mesazh për mësimdhënësit.

“Mesazhi le të jetë për të gjithë mësimdhënësit – sa më shumë të jetë e mundur ta drejtojnë nxënësit aty ku i ka njohuritë më të mira. Në vend që t’i themi se ti nuk e di këtë, mund t’i themi – ti ke një talent për këtë. Duhet ta pyesim se cila pjesë apo lëndë i pëlqen më shumë”, tha Shaqiri.

Rrethi: Abuzuesit dikur kanë qenë viktima të dhunës

Çdo dhunë buron nga një dhunë tjetër që ka ndodhur paraprakisht – këtë argument e dhanë më shumë nxënës të shkollave të mesme që ishin të pranishëm në këtë debat, e të cilët ranë dakord se duhen gjetur mënyra që abuzuesit të bëhen jo të dhunshëm.

“Nga observimi kam kuptuar se kur flasim për temën se si dhuna ndikon në shëndetin mendor të viktimës, e harrojmë faktin që shpesh herë autorët janë ish-viktima të dhunës. Ato frika më vonë, për shkak të mosndarjes së problemeve nga turpi apo nga frika nga tallja dhe neglizhimi, kalojnë tek ata dhe atë agresion ua kalojnë të tjerëve që bëhen viktima të tyre. Është një cikël i tërë. Kur flasim për dhunën, gjithashtu duhet të mendojmë se si t’i ndihmojmë njerëzit e dhunshëm të bëhen jo të dhunshëm. Ata janë ndjerë plotësisht të pafuqishëm kur kanë qenë viktima, tani që janë abuzues ata kanë një ndjenjë të rreme kontrolli dhe pushteti dhe tentojnë të kënaqin disa nga nevojat e tyre. Duhet të kemi parasysh se si mendojnë abuzuesit që të mund t’i luftojmë ata”, thotë një nxënëse e shkollës së mesme të mjekësisë në Prilep.

Debat i nxënsve. Foto: Meta.mk
Debat i nxënësve. Foto: Meta.mk

Një sqarim të ngjashëm dha edhe një nxënës nga shkolla e mesme në Radovish “Kosta Susinov”.

“Abuzuesit zakonisht i lidhim me ata që kanë pasur probleme në jetën e tyre dhe që më parë kanë qenë viktima të dhunës. Mendoj se në këtë pjesë kanë një rol edhe profesorët në shkolla, të cilët shumë lehtë mund të krijojnë një atmosferë “të keqe” në klasë dhe shumë shpesh nxënësve mund të mos ju pëlqejë lënda ose për shkak të disa profesorëve ta humbasin interesin për atë”, tha nxënësi i shkollës së mesme nga Radovishi.

“Të mos jemi vetëm vëzhgues“, thanë nxënësit e shkollave të mesme

Nxënësve të shkollave të mesme iu drejtua profesoresha e pensionuar Ollga Murxheva-Shkariq, e cila është autore e librit me figura dhe doracakut “Koja igra ja igrash? (Çfarë loje luan?)” – libër që trajton dhunën mes bashkëmoshatarëve në shkolla. Ajo tha se për tejkalimin e këtij problemi është i nevojshëm bashkëpunimi ndërmjet brezave.

“Duhet të kuptojmë se dhuna, agresioni, agresiviteti – e gjithë kjo duhet identifikuar – çfarë është e lindur dhe çfarë e fituar. Në doracak kjo është shkruar shkurt dhe qartë në mënyrë që të mund ta kuptojnë edhe nxënësit dhe mësimdhënësit dhe prindërit. Ekziston një trekëndësh personash që duhet të merren me problemin e dhunës. Ekzistojnë tre lloje lojtarësh: abuzuesit, viktimat dhe vëzhguesit – ata që e zbulojnë dhunën, por që nuk bëjnë asgjë. E gjithë tendenca është që ta kemi lojtarin e katërt – dikë që është shok”, tha profesoresha Murxheva-Shkariq.

Një rol të madh në dhunë e kanë ata që e shikojnë situatën dhe nuk bëjnë asgjë, por edhe ata që e mbështesin dhunën, thanë nxënësit.

Ka nxënës që e mbështesin sjelljen e dhunshme të shokëve të klasës. Të jesh i dhunshëm nuk është aspak interesante dhe qesharake”, tha një nga nxënëset që iu bashkua debatit.

“Ne duhet të krijojmë miqësi dhe të ndajmë përvoja. Mendoj se shkollat dhe nxënësit e shkollave të mesme duhet të edukohen mjaftueshëm për të krijuar një mjedis mjaft të sigurt që vetë nxënësit të mund të ndajnë diçka. Unë kam qenë dëshmitare i situatave ku nxënësit e kanë ndarë përvojën e tyre me shokët apo mësimdhënësit, të cilët nuk i kanë marrë seriozisht, e pastaj dhuna është bërë shumë më e ashpër”, shtoi një nxënëse nga Kavadari.

Keqinterpretim i rolit të psikologëve dhe pedagogëve të shkollës

Në këtë debat nxënësit folën edhe për punën e bashkëpunëtorëve profesional nëpër shkolla, për të cilët thanë se janë të mbingarkuar me detyra administrative dhe nuk e bëjnë punën për të cilën janë punësuar në të vërtetë.

“Në disa shkolla psikologët keqinterpretohen – të gjithë mendojnë se nëse shkon te psikologu apo pedagogu, atëherë ke bërë diçka të keqe. Në shkollë fillore askush nuk na tha se mund t’i drejtohemi psikologut nëse kemi një problem që lidhet me shkollën. Kur erdha në shkollën e mesme ku mësoj për momentin u surprizova – këtu mund të ndaj çdo problem – qoftë ai lidhur me shtëpinë apo shkollën. Kemi krijuar komunikim të shkëlqyeshëm me pedagogun, mund t’i themi hapur çdo gjë njëri-tjetrit”, tha një nxënëse nga një shkollë e mesme në Shkup.

“A jemi në kërkim të zgjidhjes për problemin në shkollë? Psikologët dhe bashkëpunëtorët profesional i shohim gabimisht dhe i keqinterpretojmë ato. Më kujtohet që në shkollë fillore po të shkoje te psikologu, kjo nënkuptonte se kishe bërë ndonjë gabim. Të shkuarit te psikologu është sinonim i diçkaje të tmerrshme – në komunikimin tonë mes fëmijëve konsiderohej si diçka vërtet e tmerrshme”, tha një nxënëse nga shkolla e mesme e muzikës “Ilija Nikollovski – Lluj” në Shkup.

Ajo ndau përvojën e saj për stereotipet me të cilat përballen nxënësit që mësojnë në shkollat e artit.

“Në shkollat e artit ka një mënyrë të veçantë të veshjes së nxënësve – gjë që është normale, sepse ne jemi artistë – dhe gjithmonë ka dikush që i ngacmon nxënësit, qoftë për veshjet apo për flokët. Ka shumë shembuj të tillë në shkollën tonë dhe unë e gjej veten plotësisht në një situatë të tillë. Nga ana jonë kjo duket shumë keq dhe nuk di me çfarë fjalësh t’i drejtohem atij që ofendon, nuk e di si do të më pranojnë dhe kuptojnë”, shtoi nxënësja.

Një nxënëse tjetër nga një shkollë në Kumanovë ndau një përvojë të sajën në të cilën një profesor e kishte dekurajuar kur ka dashur të shkojë te psikologu i shkollës.

“Më tha – ti je një nxënëse e shkëlqyer, pse duhet të flasësh me psikologun, atje shkojnë nxënës që bëjnë probleme, që duhet të shkojnë, ata me nota të dobëta e kështu me radhë”, tha nxënësja.

Nxënësit thanë edhe se faktor i dhunës është edhe qëndrimi i prindërve ndaj fëmijëve të tyre.

“Ndikon edhe mënyra se si prindërit i trajtojnë fëmijët e tyre. Shumë prindër vendosin kritere që nxënësit nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje t’i përmbushin. Duhet të mësosh, të kesh nota të mira, nuk të lejohet të dalësh – u bëjnë presion fëmijëve, nuk u intereson çfarë mendojnë ata. Shumë fëmijë që kanë një presion të tillë e kërkojnë shpëtimin në dhunë apo në diçka tjetër”, tha një nxënëse.

“Arsyeja kryesore se pse ekziston dhuna është mungesa e komunikimit mes të rriturve dhe fëmijëve që nga mosha më e vogël – disa fëmijëve nuk u mësohet empatia. Mendoj se nuk flitet aq sa duhet për këtë. Presim të ndodhin gjërat që të fillojmë të reagojmë”, tha një nxënëse tjetër.

Paviçeviq nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme konkludoi se është e rëndësishme të inkurajohen psikologët e shkollave, të lirohen ata nga detyrat administrative që kanë dhe shteti t’i ndihmojë të fitojnë aftësitë e nevojshme dhe kualifikimet shtesë për të qenë në gjendje të punojnë me nxënës.

Nxënësit kërkuan një zgjidhje sistematike të problemit, ndërsa ndanë shembuj pozitivë se si shkollat e tyre e zgjidhin problemin me dhunën. Ata dhanë propozime se çfarë mund të bëjë shteti, ndërsa ndër kërkesat e tyre ishte që lënda “E drejta civile” të mësohej për më shumë vite.

Ministri Shaqiri u premtoi nxënësve se gjithçka që ata thanë do të merret parasysh në planet dhe strategjitë e mëtutjeshme të shtetit për përballimin me dhunën nëpër shkolla.

Profesoresha Tatjana Stojanovska Ivanova u tha nxënësve që të kenë mirëkuptim për njëri-tjetrin dhe se të gjithë e meritojnë një shans të dytë.

“I shtypuri shtyp – të dallojmë nëse një shok i yni bën dhunë kibernetike apo ju drejtohet me një fjalë të vrazhdë – ndoshta edhe atij i janë drejtuar me fjalë të vrazhda –të mos e largojmë, ta ndihmojmë dhe të mundohemi ta kuptojmë. Të gjithë meritojnë një shans të dytë. Gjëja më e rëndësishme është që të gjithë të punojmë në terren për ta eliminuar stigmën, për të mësuar se si ta zgjidhim problemin, ju jeni ajo e ardhmja”, tha profesoresha Stojanovska.