Numri i azilkërkuesve në Evropë arriti nivelin më të lartë në shtatë vjet

Numri i azilkërkuese në Evropë ka arritur nivelin më të lartë në shtatë vjet, me më shumë se 1,1 milionë njerëz që kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare në vitin 2023, raporton Koha.net. Shumica e azilkërkuesve ishin të nacionalitetit sirian, ka bërë të ditur Bashkimi Evropian të mërkurën, raporton AP.

Rritja e azilkërkuesve dhe migrantëve të tjerë është një çështje përçarëse në shumë shtete të Evropës, duke vënë përballë ata që thonë se më shumë duhet të kthehen prapa në kufij, dhe ata që thonë se kontinenti duhet të vazhdojë të mirëpres njerëzit që i ikin persekutimit.

Të dhënat e BE-së për azil janë përpiluar nga deklaratat e 27 shteteve të bllokut, plus Norvegjia dhe Zvicra.

Sipas BE-së, 181,000 sirianë kanë kërkuar azil vitin e kaluar, një rritje prej 38% nga viti 2022, derisa azilkërkuesit nga Afganistani radhiten në vendin e dytë, me 114,000, ndonëse numri i tyre ka pësuar rënie për 11% në krahasim me vitin 2022.

Agjencia e BE-së për azilkërkuesit ka bërë të ditur se sirianët i kanë gjasat më të mira nga të gjitha nacionalitetet për t’ju pranuar azili.

Edhe përqindja e palestinezëve që kanë kërkuar azil vitin e kaluar ka shënuar rritje.

Sipas ligjit ndërkombëtar për refugjatët, njerëzit kanë të drejtë të kërkojnë azil në rastet kur kanë ikur nga ndonjë konflikt, për shkak të rrezikimit të sigurisë, ose për shkak të persekutimit mbi bazë racore, gjinore, seksualiteti apo religjioni. Në Evropë, njerëzit që aplikojnë për azil në kërkim të ndonjë pune apo një jetese më të mirë, në të shumtën e rasteve refuzohen.

Gjermania ka pranuar numrin më të madh të azilkërkuesve vitin e kaluar, me 334,000 njerëz, por Qipro është përballur me një presion nga migrantët të cilët kanë shprehur dëshirën të jetojnë në ishull. Sipas agjencisë, 12,000 njerëz kanë aplikuar për mbrojtje në Qipro në vitin 2023.

Franca ka pranuar 167,000 aplikime, Spanja 162,000 dhe Italia 136,000.

Njerëzit nga Turqia, një vend kandidat për tu bërë anëtare e BE-së, po ashtu kanë aplikuar në numër të madh për azil, me 101,000 aplikime nga qytetarë turq. Kjo shënon një rritje prej 82% në krahasim me vitin 2022.

Sipas BE-së, rreth një e pesta e kërkesave për azil vinin nga njerëzit që kishin hyrë në Evropë me udhëtime pa viza, përfshirë 68,000 venezuelas dhe 63,000 kolumbianë.