Nuk mjafton vetëm ta lindësh një fëmijë, duhet edhe ta rrisësh atë
Shpenzimet për rritjen e fëmijëve në Maqedoni janë të larta, ndërsa mbështetja nga shteti nuk korrespondon me nevojat. Analiza e Qendrës për Barazi dhe Drejtësi, e përgatitur duke anketuar 646 prindër përmes një pyetësori online dhe me diskutime në 4 fokus grupe, tregon se autoritetet duhet seriozisht ta organizojnë sistemin në mënyrë që ai t’u përgjigjet nevojave të familjeve të ndryshme me të ardhura të ndryshme, që do të kenë parasysh se në çfarë moshe janë fëmijët në at familje, sepse çdo moshë ka shpenzime dhe nevoja të veçanta, transmeton Portalb.mk.
“Edhe në vendet evropiane është përcaktuar se shpenzimet për fëmijët ndryshojnë sipas moshës së tyre. Analiza tregon se shteti ofron mbështetje që nuk korrespondon me nevojat e prindërve dhe me rritjen e numrit të fëmijëve në familje rritet edhe shkalla e varfërisë. Politikat që i ndërton shteti duhet të rishikohen që të mund t’u përgjigjen nevojave. Shteti thotë se arsimi është falas, por ka shumë shpenzime të fshehura – pagesa për uniformat, pagesa që kanë të bëjnë me tekstet shkollore, materialet higjienike në kopshtet e fëmijëve dhe kështu prindërit përballen me shumë shpenzime shtesë për atë që shteti u thotë se është “falas”, tha Neda Çallovska, një nga autoret e analizës.
Foshnjat dhe adoleshentët “kërkojnë” më shumë para
Familjet me foshnja dhe adoleshentë kanë nevojë për më shumë para për të siguruar një jetë cilësore.
“Për fëmijët deri në 2 vjet shpenzimet janë 166.000 denarë në vit, pa përfshirë këtu shpenzimet për krevat për fëmijë, karrige për në makinë etj., që janë një shtesë prej minimum 20 mijë denarësh”, tha Çallovska.
Shpenzimet për pajisje për foshnjat në muajt e parë të jetës i tejkalojnë shumat e ndihmës dhe pagesave të cilat i ofron shteti. Sipas analizës, pajisjet bazë – siç janë krevati, karroca, transportuesi dhe karrigia për në makinë – kushtojnë nga 15 mijë denarë deri në 30 mijë denarë, varësisht nga cilësia dhe marka.
Përveç kësaj shpenzimet mujore për pelena, peceta të lagura dhe produkte të tjera higjienike arrijnë nga 3.000 – 5.000 denarë. Këto shpenzime rriten nëse përdoret qumësht i adaptuar për foshnja.
Si krahasim, ndihma e njëhershme për fëmijën e parë është 5.000 denarë, ndërsa për të dytin 20.000 denarë — që do të thotë se mbështetja nga shteti mbulon vetëm një pjesë të vogël të shpenzimeve aktuale, sidomos për familjet që nuk kanë mbështetje nga vende të tjera (huazim pajisjesh për foshnja, dhurata, etj., pajisje të përdorura tashmë). Kjo tregon për nevojën për rishikimin e shumës dhe strukturës së ndihmave për të porsalindurit, në përputhje me çmimet dhe nevojat reale të tregut, thuhet në analizë.
“Në bazë vjetore nevojat e rregullta të një fëmije për shkollim, transport, veshmbathje, ushqim kushtojnë nga 150 mijë denarë deri në 200 mijë denarë në varësi të moshës së fëmijës. Kjo nuk është një pasqyrë për të gjithë popullatën, por ajo që kemi fituar në hulumtimin tonë dhe që duhet të verifikohet në nivel shtetëror. I bëjmë thirrje Entit Shtetëror të Statistikës të ndërhyjë në metodologjitë që përdorin dhe të dalë me një përllogaritje zyrtare të shpenzimeve që i kanë familjet me numër të ndryshëm të fëmijëve të moshave të ndryshme”, tha Katerina Shapkova Kocevska, koautore e analizës.
Edhe pse shkollimi konsiderohet si “falas”, prindërit përsëri janë të ekspozuar ndaj shpenzimeve të fshehura.
“Ne bëmë një përlogaritje të shpenzimeve të fshehura. Për materialet higjienike 500 denarë në muaj, për uniformën 1.500 denarë në vit, librat janë 500 denarë secili, materialet në fillim të vitit 2.000 denarë. Shpenzimet e fshehura për pajisjet elektronike ka tek adoleshentët dhe në arsimin e mesëm. Mbi 95 përqind e prindërve u përgjigjën se këtyre fëmijëve u duhen pajisje elektronike për të mësuar, kështu që për këtë nevojiten mesatarisht 13 mijë denarë, të cilat prindërit i paguajnë vetë sepse nuk mbështeten nga shteti. 98 përqind u përgjigjën se adoleshentët përdorin telefona dhe paguajnë faturat në baza mujore – plus 600 denarë në muaj”, tha Çallovska.
Studiuesit e përmendën Gjermaninë dhe Slloveninë si shembuj të mirë nga të cilët autoritetet në Maqedoni duhet të mësojnë. Në vendin tonë ndihma financiare u ofrohet familjeve në varfëri ekstreme, por realiteti është se mbështetja dhe ndihma janë të nevojshme edhe kur familja nuk përballet me varfëri ekstreme. Për shembull, gjatë pushimeve të dimrit dhe verës kur shkollat janë të mbyllura dhe nuk ka kujdes shtetëror për fëmijët në arsimin fillor, prindërit e tyre duhet të gjinden dhe të paguajnë 15 mijë denarë në muaj që dikush të kujdeset për fëmijën e tyre. Një e treta e prindërve u përgjigjën se shkolla nuk kujdeset për fëmijën e tyre në qëndrim tërëditor gjatë vitit shkollor deri në fund të orarit të punës. Prandaj, është e nevojshme të përfshihet sistemi “gjyshi dhe gjyshja”, ndërsa aty ku nuk ka mundësi për një gjë të tillë, prindërit paguajnë 12.500 denarë shtesë në muaj për kujdesin e fëmijës së tyre pas mësimit. Shpenzimet mesatare për mjetet shkollore janë 3.044 denarë. Ndër shpenzimet e familjeve bën pjesë edhe dërgimi i fëmijës së tyre në kamp veror dhe dimëror, i cili, megjithëse nuk është i detyrueshëm, kushton 16.500 denarë për kamp dimëror dhe 18.500 denarë për kamp veror.
“Nuk ka kopshte falas. Në kopshtet e fëmijëve ka shpenzime të fshehura, materiale higjienike, gota, shfaqje, për të cilat nuk thonë se janë të detyrueshme, por prapë se prapë fëmija duhet të marrë pjesë. Pastaj, materiale që lidhen me panairet në kopshte. Shumë shpenzime të fshehura që ne i paguajmë. Shteti duhet t’i zgjerojë masat që përdor për familjet në varfëri ekstreme edhe tek familjet me fëmijë dhe mbështetja duhet të përllogaritet në varësi të nevojave të familjes”, shtoi Çallovska.

Në pozitë më të pavolitshme janë prindërit që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara.
“Deri në moshën 17 vjeçare keni bërë shpenzime sa për një apartament, dhe jo se ka shumë efekt”, tha prindi i një fëmije me autizëm në fokus grupën.
Terapitë bazë me logopedin, defektologun dhe fizioterapistin kushtojnë mbi 20 mijë denarë në muaj, ndërsa shpenzimet shtesë për suplemente, transport, ushqim special dhe kujdes privat e ngarkojnë edhe më shumë buxhetin familjar. Për suplemente nevojiten nga 2 deri në 4 mijë denarë në muaj, ndërsa për disa nga gjendjet për suplemente nevojiten shumë më tepër para.
Bisedat në fokus grupe me prindërit e fëmijëve me zhvillim atipik nxorën në pah se ata kanë me shumë vështirësi arrijnë të caktojnë një diagnozë – shkojnë jashtë vendit sepse këtu askush nuk ua tregon diagnozën, ndërsa kur kanë nevojë t’i përdorin shërbimet e një defektologu apo logopedi ata hasin në “realitetin maqedonas”, se këto shërbime me mbulim nga shteti ofrohen vetëm në turnin e parë. Kështu, të gjitha terapitë së bashku me suplementet dhe ndonjëherë edhe me ushqimin special prindërit i paguajnë vetë, gjë që është një barrë e papërballueshme dhe jashtëzakonisht e madhe financiare.
“Orët shtesë me një defektolog, logoped dhe fizioterapist që kushtojnë 1.000 denarë në orë mund të arrijnë deri në 24 mijë denarë në muaj që familja të mund t’ia mundësojë fëmijës mbrojtjen dhe mbështetjen e nevojshme. Prindërit thanë se ka pasur periudha kur kanë arritur ta sigurojnë këtë, por edhe periudha kur nuk kanë mundur t’i mbulojnë këto shpenzime, kështu që fëmija nuk i ka shfrytëzuar shërbimet edhe pse janë të vetëdijshëm se kjo është e dëmshme për shëndetin e fëmijës”, tregoi autorja e tretë e analizës Elena Dimushevska.
Dimushevska theksoi një shpenzim tjetër: terapia neurofeedback që rekomandohet për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe zhvillim atipik kushton 20 mijë denarë për seancë, ose 40 mijë denarë në çdo tre muaj.
Korniza ligjore njeh një numër të kufizuar diagnozash dhe kërkon rinovim të rregullt të dokumenteve, madje edhe për gjendje që nuk janë të shërueshme, gjë që krijon një ngarkesë administrative dhe i dekurajon prindërit nga aplikimi për ndihmë shtetërore.
Mjetet që shteti i jep për fëmijët me aftësi të kufizuara vetëm pasi arrijnë të marrin një diagnozë në labirintin e gjatë administrativ është rreth 8 mijë denarë në muaj dhe nuk mbulon as edhe një të katërtën e shpenzimeve që i bëjnë prindërit.
Dimushevska tha edhe se prindërit nga qytetet e tjera kanë deklaruar se meqenëse në qytetin e tyre nuk ka as fizioterapist e as logoped atyre u duhet të udhëtojnë në një qytet tjetër, gjë që shkakton shpenzime për karburant, ndërsa në situata të tilla njëri prej prindërve domosdoshmërisht e lë punën punë për ta marrë përsipër kujdesin e domosdoshëm për fëmijën.
Mesazhi i analizës është se nevojiten ndryshime sistemike, investime në kuadro, prezantim i turnit të dytë në institucionet shtetërore për logopedët, fizioterapistët, defektologët, terapi të subvencionuara, krijim i qendrave për diagnostikimin e hershëm dhe aftësinë e kufizuar si dhe përforcim i njohurive profesionale të profesionistëve. Prindërit nuk kërkojnë qasje të përkohshme, por dinjitoze, siguri dhe njohje të nevojave reale të fëmijëve të tyre.
Rekomandimet e analizës janë që në anketën e konsumit të amvisërive në Maqedoni Enti Shtetëror i Statistikave të përfshijë edhe pyetje mbi numrin e fëmijëve dhe moshën e tyre, të publikohen rregullisht indikatorët e varfërisë, të rishikohen pragjet për ushtrimin e të drejtave, në mënyrë që të përfshihen edhe familjet që edhe pse nuk janë nën pragun e varfërisë, vazhdojnë të përballen me shpenzime të larta dhe të përsëritura gjatë rritjes së fëmijës së tyre.

Në të njëjtën kohë, është e nevojshme që shumat e shtesave të lidhen me shpenzimet reale të rritjes së një fëmije, në vend që ato të përcaktohen administrativisht, thuhet në analizë.
Në të gjithashtu rekomandohet edhe prezantimi i një shtese universale për fëmijë dhe një vlerësim të “Shportës minimale për përkujdesjen e një fëmije” dhe përmirësimi i qasjes në kopshte të fëmijëve, sigurimin e dorëzimit në kohë të teksteve shkollore dhe materialeve të punës në gjendje të përdorshme nëpër shkolla, me qëllim parandalimin e shpenzimeve shtesë për prindërit.
Rekomandohet edhe zhvillimi i programeve për përkujdesjen e fëmijëve në arsimin fillor deri në moshën 10 vjeçare nga vetë shkollat, sporte falas në arsim në vend që të paguhen për “kurse” të panumërta, sigurimin e ushqimit në shkolla siç ka subvencione për ushqimin e studentëve, dhe subvencionimi i blerjes së pajisjeve elektronike dhe internetit për nxënësit.
Është e nevojshme të zhvillohen programe falas për përkujdesjen e fëmijëve në arsimin fillor deri në moshën 10 vjeçare nga vetë shkollat, duke pasur parasysh se zgjidhja aktuale me përkujdesjen në kopshte nuk funksionon dhe prindërit janë të ekspozuar ndaj shpenzimeve për përkujdesjen e fëmijëve ose punës së papaguar nga prindërit ose anëtarët e tjerë të familjes, thuhet në rekomandime.
Sa i përket pagesave për të porsalindurit, autorët janë të mendimit se ndihma e njëhershme në para për një fëmijë të porsalindur duhet të rritet, në përputhje me shpenzimet reale të tregut për pajisjet bazë të foshnjave dhe produktet higjienike.