Nuk ka prova se në frontin në Ukrainë janë vrarë ushtarë gjerman dhe britanik
Nuk ka asnjë burim nga ndonjë media apo institucion relevant që do ta konfirmonte pretendimin e paraqitur në postim se ushtarët rusë kanë vrarë mbi 3.000 ushtarë gjermanë dhe 2.000 britanikë. Burimet zyrtare ushtarake apo qeveritare britanike dhe gjermane nuk konfirmojnë dislokimin e forcave luftarake si ushtri të rregullt, shkruan Vërtetmatësi.
Analizojmë një postim në Facebook që thotë:
Ushtarët rusë kanë vrarë mbi 3.000 ushtarë gjermanë dhe 2.000 ushtarë anglezë të dislokuar në Ukrainë kundër Rusisë.
Nuk ka burime të besueshme që e konfirmojnë pretendimin e përmbajtur në postim se ushtarët rusë kanë vrarë mbi 3.000 ushtarë gjermanë dhe 2.000 ushtarë anglezë.
Nuk ka dëshmi nga burime publike (“The Guardian”, “Al Jazeera”, ministritë britanike apo gjermane të mbrojtjes, etj.) se Gjermania apo Britania e Madhe kanë ushtarë të dislokuar në Ukrainë, as që kanë humbje ushtarësh atje.
Shifrat e viktimave në luftë zakonisht lidhen me forcat ruse dhe ukrainase, e jo me ushtarë nga Gjermania apo Britania e Madhe në front si njësi të rregullta luftarake.
Ekzistojnë artikuj (p.sh., media lokale ose raporte të rrjedhura) që pretendojnë se “ushtarë britanikë” janë të pranishëm “në terren” në Ukrainë.
Megjithatë, burimet zyrtare ushtarake apo qeveritare britanike dhe gjermane nuk konfirmojnë dislokimin e forcave luftarake si ushtri të rregullt. Euvsdisinfo vlerëson se një pjesë e këtyre pretendimeve përbëjnë dezinformim.
Kjo është një narrativë dezinformuese pro-Kremlinit në kontekstin e luftës agresive ruse kundër Ukrainës. Një koalicion i gjerë prej mbi 50 vendesh, duke përfshirë edhe vendet anëtare të NATO-s, e mbështet Ukrainën me ndihmë ushtarake dhe teknike, por trupat e Aleancës nuk po luftojnë në front. Përfaqësuesit e NATO-s kanë kontakte të shpeshta me kolegët e tyre ukrainas, por nuk ka trupa të NATO-s në vijën e frontit. Të huajt që shërbejnë në Legjionin Ndërkombëtar të Ukrainës janë ushtarë plotësisht ligjorë të forcave të armatosura të Ukrainës, e jo mercenarë. Vullnetarët e huaj, të cilët zyrtarisht i janë bashkuar radhëve të forcave të armatosura të Ukrainës, në përputhje me protokollin e Konventave të Gjenevës të vitit 1977 (Pjesa I, neni 1), luftojnë kundër okupatorëve rusë në Ukrainë në mënyrë ligjore, pasi janë pjesë e strukturës së nënshtrimit të agjencive qeveritare ukrainase, thekson Euvsdisinfo në analizën e saj.
Vërtetmatësi edhe më herët ka demantuar dezinformata të ngjashme, si për shembull pretendimin se ushtarë gjermanë po luftojnë në Ukrainë.
Siç është theksuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë, Gjermania e mbështet Ukrainën duke furnizuar armë dhe pajisje nga rezervat e Bundesverit dhe me ndihmë nga rezervat e industrisë, e financuar nga një program i veçantë që u mundëson njerëzve në terren të marrin përgjegjësi për sigurinë e tyre. Aktualisht, si pjesë e këtij programi, Gjermania i ka transferuar Ukrainës 20 tanke Leopard 1A5 dhe 18 tanke Leopard 2A6.
Informacionet se ka ushtarë gjermanë në Ukrainë u hodhën poshtë nga Ministria e Mbrojtjes së Gjermanisë në një deklaratë për Dojçe Vele më 24 shtator 2023, duke mohuar pretendimet e mediave ruse se gjoja ishte asgjësuar një tank gjerman Leopard me ekuipazh nga Bundesveri në zonën e luftës në Ukrainë.
Nuk ka ekuipazhe gjermane të tankeve në Ukrainë, ka deklaruar përfaqësuesi i ministrisë për Dojçe Vele.
Ish-ministri britanik i Punëve të Jashtme, David Lami, në vitin 2024 gjithashtu e mohoi që ka ushtarë britanikë në frontin e Ukrainës.
Ne nuk dërgojmë trupa britanike në terren në Ukrainë… Kjo është padyshim qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar dhe mbetet qëndrim i Mbretërisë së Bashkuar në këtë moment.
Sipas një dokumenti të Parlamentit britanik (Commons Library Research Briefing), ministri i mbrojtjes Luke Pollard ka deklaruar:
Qëndrimi i qeverisë britanike është se nuk kemi dhe nuk do të dërgojmë trupa britanike për role luftarake në Ukrainë.
Në të njëjtin dokument theksohet se “trajnimi … do të vazhdojë” përmes programit Operation Interflex, por kjo është e ndarë nga operacionet luftarake.
Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, buxheti dhe forcat ruse kanë pësuar humbje shumë të mëdha, por kjo i referohet palës ruse, jo humbjeve “gjermane dhe britanike”.
Një raport i Ministrisë britanike të Mbrojtjes tregon se Rusia ka humbur të paktën 3.500 tanke komanduese dhe rreth 7.500 mjete të blinduara. Në të njëjtin raport, analiza inteligjente britanike thekson se “shumica e ushtarëve që aktualisht shërbejnë kanë marrë trajnim minimal” dhe se komandantët përdorin “taktika bazike” pavarësisht numrit të lartë të humbjeve. Sipas UK Defence Intelligence, Rusia ka pësuar humbje të mëdha njerëzore: në raportin e prill 2025 theksohet se Rusia mund të ketë humbur mbi 920.000 persona (të vrarë dhe të plagosur) që nga fillimi i pushtimit.
Nga gjithë kjo mund të konkludojmë se nuk ka prova që në frontin ukrainas luftojnë ushtarë gjermanë dhe britanikë. Nuk ekziston asnjë burim nga media ose institucion relevant që ta konfirmojë pretendimin e publikuar se ushtarët rusë kanë vrarë mbi 3.000 gjermanë dhe 2.000 britanikë.
Për shkak të të gjitha këtyre, publikimi që po analizojmë e vlerësojmë si i pavërtetë.