Nuk është i planifikuar, por mund të ndodhë një takim Mitsotakis-Mickoski në Samitin e NATO-s

Nuk është planifikuar të mbahet takim mes kryeministrave Hristijan Mickoski dhe Kyriakos Mitsotakis, tha sot zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske nëse do të ketë takim të mundshëm mes dy kryeministrave në margjinat e samitit të NATO-s në Uashingtoni, njofton korrespondenti i MIA-s nga Athina. “Asnjë takim nuk është planifikuar, por nuk përjashtohet që kryeministri Mitsotakis të ketë disa takime dypalëshe në kuadër të aktiviteteve në margjinat e samitit të NATO-s. Por diçka e planifikuar nuk ekziston”, tha ai, transmeton Portalb.mk.

Përgjigja e tij është identike me pyetjen nëse është i mundur një takim mes Mitsotakisit dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Samiti i ardhshëm i NATO-s është në fokus të opinionit për shkak të takimit të mundshëm të kryeministrave maqedonas dhe atij grek, Hristijan Mickoski dhe Kyriakos Mitsotakis, i cili do të ishte i pari pas reagimeve të ashpra të Athinës zyrtare për përdorimin e emrit kushtetues nga kreu i shtetit në vend.

Sipas programeve zyrtare të dy kryeministrave, Mickoski dhe Mitsotakis, përveç samitit të NATO-s dhe aktiviteteve të planifikuara në margjina, do të marrin pjesë edhe në darkën në Shtëpinë e Bardhë të organizuar nga presidenti amerikan Biden.

Në konferencën e sotme të rregullt me ​​gazetarët, për vendin tonë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Marinakis tha se kryeministri grek në Samitin e NATO-s do ta ngrejë në nivelin më të lartë respektimin e Marrëveshjes së Prespës.

Marinakis tha se marrëveshjet që janë votuar dhe ratifikuar duhet të zbatohen, por këtë nuk e sheh të bëhet nga pala tjetër.

“Ai do ta ngrejë çështjen në nivelin më të lartë. Ai do të përmendë Marrëveshje që nuk po respektohet, veçanërisht çështjen me emrin kompleks erga omnes. Ai do të përmend një sërë deklaratash që janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës, pra në kundërshtim me atë që është votuar nga të dy vendet, sepse siç e kuptoni prezenca e Maqedonisë së Veriut në NATO është rezultat i kësaj marrëveshjeje, por shteti ynë fqinj nuk e respekton as faqen e parë, diçka që nënkuptohet që do ta inicojë Kyriakos Mitsotakis”, tha Marinakis.

Nga zyra e shtypit e Qeverisë njoftuan se delegacioni maqedonas do të marrë pjesë në hapjen e forumit të NATO-s dhe në mbledhjet e Këshillit të Atlantikut të Veriut ku, siç thotë qeveria, kryeministri do të ketë mundësi të takohet me liderë të tjerë dhe të bëjë deklarata për media.

Nga ana tjetër, kryeministri grek niset sot për në Uashington dhe përveç pjesës zyrtare dhe takimeve të planifikuara në samitin e NATO-s, nesër është planifikuar të marrë pjesë në një diskutim publik me ish-ambasadorin amerikan në Greqi, Daniel Speckhardt, organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, ndërsa të mërkurën, pak para fillimit të samitit, Mitsotakis do të zhvillojë diskutim publik në Forumin Publik të NATO-s me Nadia Sandlow, ish-zëvendës këshilltare e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së.

Gjithashtu, ai do të ketë takime me anëtarë të Kongresit, ndërsa të premten do të niset për në Nju Jork ku do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.

Samiti i NATO-s që shënon 75 vjetorin e formimit të aleancës ushtarake do të mbahet në Uashington nga 9 deri më 11 korrik.

Ndryshe, reagimet për Marrëveshjen e Prespës nisën të vijnë, pasi presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, gjatë dhënies së betimit nuk e përdori emrin zyrtar “Maqedonia e Veriut” ashtu siç është rënë dakord me Marrëveshjen e Prespës.