Nuk është e vërtetë që Pfizer dhe Bill Gates po punojnë për një pandemi të re të shkaktuar nga “virusi Lyme”

Postimi dezinformon se “kuti me insekte që duken si rriqra ose merimanga të vogla që përhapin ‘virusin Lyme’” po hidhen në Amerikë. Sëmundja Lyme transmetohet nga rriqrat dhe është njohur në Shtetet e Bashkuara që në vitet 1960 dhe 1970. Dhe sëmundja nuk shkaktohet nga një virus, siç pretendon postimi, por nga bakteria Borrelia burgdorferi, e cila u klasifikua zyrtarisht në vitin 1981. Krijimi i vaksinave është një proces kompleks dhe i kontrolluar, me prova klinike dhe miratime rregullatore, dhe përgatitja e vaksinave të reja, përfshirë një për sëmundjen Lyme, nuk do të thotë që dikush po planifikon një “pandemi”, por përkundrazi se po shënjestrohet një sëmundje ekzistuese, shkruan Vërtetmatësi.

Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook që thotë:

Ndërsa vazhdon grindja me Iranin, Pfizer dhe Bill Gates po bëjnë punën e tyre dhe po përgatiten për pandeminë e ardhshme.
Në fakt, Pfizer do të nxjerrë një vaksinë kundër “virusit Lyme” në vitin 2027, i cili është mes nesh edhe sot, por do të jetë i zhvilluar.
Dhe ata tashmë kanë filluar të hedhin insekte që duken si rriqra ose merimanga të vogla që e përhapin atë. Po hedhin arka të tëra me to në fermat në Amerikë.
Nuk është e vërtetë që Pfizer dhe Bill Gates po punojnë për një pandemi të re të shkaktuar nga “virusi Lyme”. Sëmundja Lyme u njoh në Shtetet e Bashkuara që në vitet 1960 dhe 1970, dhe bakteri që e shkakton atë – Borrelia burgdorferi – u klasifikua zyrtarisht në vitin 1981.
Sëmundja Lyme shkaktohet nga pickimi i një rriqre të infektuar me bakterin Borrelia burgdorferi. Zakonisht fillon me simptoma të ngjashme me gripin, të tilla si lodhje, ethe, dhimbje koke dhe dhimbje muskujsh, shpesh të shoqëruara nga një skuqje karakteristike në vendin e pickimit. Nëse nuk trajtohet, infeksioni mund të përhapet dhe të shkaktojë simptoma të tjera, kryesisht dhimbje të kyçeve, por ndonjëherë lodhje, dhimbje koke dhe ngurtësim të qafës, skuqje dhe palpitacione të zemrës, sipas faqes së internetit të Universitetit Stanford.

Gjithashtu nuk është e vërtetë që “kanë filluar të hidhen insekte që duken si rriqra ose merimanga të vogla që përhapin ‘virusin Lyme’, siç pretendon postimi. Sëmundja Lyme nuk përhapet nga insekte ose merimanga të vogla, por nga rriqrat e infektuara me bakteret borrelia. Meqenëse bakteret borrelia gjenden në zorrët e rriqrave, duhen rreth 24 orë që këto baktere të transmetohen te njerëzit.

Siç shkruajnë verifikuesit e fakteve në Snopes, gjithashtu nuk është e vërtetë që “arka të tëra me rriqra po hidhen në të gjithë Amerikën”.

Në mars të vitit 2026, përdoruesit e mediave sociale ndanë një thashethem që vinte nga një person që paraqitej si një mjeke holistike me emrin Sarah Outlaw, e cila pretendoi në një postim se “fermerët po raportojnë kuti me rriqra të gjetura në fushat e tyre, gjë që duhet të jetë shkak për shqetësim”. Megjithatë, nuk ka prova për të mbështetur këtë spekulim, dhe Outlaw nuk ishte në gjendje të ofronte asnjë provë për të mbështetur pretendimin, duke thënë se “ajo mori informacionin vetëm nga një koleg, jo direkt nga fermerët”, siç deklaroi fillimisht në postimet e saj. Ajo nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme, duke përmendur shqetësime për privatësinë, përveç pretendimit se fermerët kishin raportuar kuti me rriqra posaçërisht në Misuri. Snopes kontaktoi qindra zyrtarë të Misurit për të pyetur nëse kishin marrë ndonjë informacion në lidhje me fermerët që gjenin kuti me rriqra. Asnjë zyrtar i qytetit ose qarkut nuk e ka konfirmuar një rast të tillë, dhe më shumë se tre duzina qarqe thanë se ose nuk kishin marrë asnjë raport për kuti me rriqra ose as nuk kishin dëgjuar për një aktivitet të tillë, shkruan verifikuesit e fakteve të Snopes.

Ndërkohë, kompanitë farmaceutike Pfizer dhe Valneva thanë se vaksina e tyre kundër sëmundjes Lyme ishte më shumë se 70 përqind efektive në një studim në fazën e vonë. Pfizer i tha Reuters se rezultatet e përgjithshme i dhanë kompanisë besim në potencialin e vaksinës dhe se planifikonte të vazhdonte paraqitjen e kërkesave te rregullatorët.

Aktualisht nuk ka vaksinë të miratuar për sëmundjen Lyme, e cila përhapet nga rriqrat e infektuara dhe prek rreth 476,000 njerëz në vit në Shtetet e Bashkuara. Sëmundja Lyme mund të shkaktojë ethe, dhimbje koke, lodhje dhe një skuqje karakteristike të lëkurës, dhe nëse nuk trajtohet, mund të përhapet në nyje, zemër dhe sistem nervor. Shumica e rasteve mund të trajtohen me antibiotikë brenda disa javësh.

Vitin e kaluar, Valneva tha se priste që Pfizer të lançonte vaksinën në gjysmën e dytë të vitit 2027 pas miratimit. Por kjo nuk do të thotë se “virusi do të zhvillohet dhe pësoj mutacione” siç pretendohet në mënyrë të rreme në postimi që po shqyrtojmë, as se sëmundja Lyme do të planifikohet dhe shkaktohet nga “hedhja e insekteve”.

Krijimi i një vaksine të re është një proces kompleks dhe shumë i kontrolluar, me prova klinike dhe miratime rregullatore, dhe zhvillimi i vaksinave të reja, përfshirë atë për sëmundjen Lyme, nuk do të thotë që dikush po planifikon një “pandemi”, por përkundrazi se po synon një sëmundje ekzistuese. Pfizer po kërkon miratim për vaksinën nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave.

Vërtetmatësi tashmë ka hedhur poshtë pretendimet e rreme në lidhje me Bill Gates dhe “planifikimin e pandemisë”.

Për shkak të të gjitha fakteve të mësipërme, e vlerësojmë botimin që po shqyrtojmë si të pavërtetë.