Njëzet e katër vjet pas Ohrit: Ku jemi sot?

13 gushti shënon përvjetorin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, një pikë kthese në historinë moderne të Maqedonisë së Veriut. Nuk ishte thjesht një armëpushim pas një konflikti; ishte një premtim për një shoqëri më të barabartë e gjithëpërfshirëse. Me këtë Marrëveshje të drejtat kolektive etnike u njohën ligjorisht dhe të gjitha komunitetet përfituan nga arritjet e saj. Për shqiptarët, kjo nënkuptonte daljen nga margjinat. Për vendin në tërësi, kjo nënkuptonte mundësinë për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët.

Dy dekada më vonë, megjithatë, ky premtim duket i brishtë. Jemi dëshmitarë të një erozioni të heshtur të arritjeve të Marrëveshjes: kufizimet në përdorimin e gjuhës shqipe, ndërprerja e “balancuesit” në punësimet në administratën publike dhe rritja e praktikave të punësimeve të pabalancuara. Edhe më shqetësuese janë narrativat politike që rikujtojnë një të kaluar, për të cilën shpresonim se e kishim lënë pas, një të kaluar të margjinalizimit, mosbesimit dhe tensioneve ndëretnike.

Megjithatë, sfidat tona sot nuk lidhen më vetëm me përkatësinë etnike. Ato lidhen me sigurinë, drejtësinë dhe sundimin e ligjit. Vetëm disa ditë më parë, Tetova u trondit nga një akt dhune i paprecedent, një sulm me armë automatike në mes të ditës, në një rrugë të frekuentuar, ku u plagosën kalimtarë të rastit, përfshirë një vajzë të mitur. Nuk ishte skenë nga një zonë lufte e largët, e as nga ndonjë film aksioni me ngjarje që ndodhin në Kolumbi; ishte qyteti ynë.

Çfarë tregon kjo për vendet që i quajmë shtëpi? Për sigurinë e fëmijëve tanë, të cilët nuk mund të ecin më nëpër rrugë pa frikë? Marrëveshja e Ohrit na dha mjetet për të mbrojtur njëri-tjetrin nga ndarjet e së kaluarës. Por asnjë marrëveshje nuk mund të na mbrojë nga dëmi që ia bëjmë vetes, kur krimi dhe korrupsioni zënë rrënjë, kur indiferenca zëvendëson vigjilencën dhe kur siguria publike bëhet çështje dytësore.

Njëzet e katër vjet më pas, pyetja nuk është nëse Marrëveshja e Ohrit ka ende rëndësi, padyshim që ka. Pyetja është nëse kemi ende vullnetin për ta nderuar, për të mbrojtur jo vetëm të drejtat e njëri-tjetrit, por edhe jetët e njëri-tjetrit.

 Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.