Një shtetas i Kosovës grabiti një dyqan duhani në Shkup, u kap një javë më vonë në një tentativë të dytë vjedhjeje

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka filluar procedurë dhe ka propozuar paraburgim kundër një shtetasi 39-vjeçar nga Kosova nën dyshimin për kryerjen e vjedhjes së rëndë dhe një tentative vjedhjeje tjetër nga i njëjti objekt në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, shtetasi i Kosovës, i cili përndryshe qëndronte në vend i padeklaruar, më 11 prill ka thyer xhamin e derës hyrëse të një dyqani duhani në Shkup me çekiç, ka hyrë në dyqan dhe ka marrë para nga shitjet ditore, pije alkoolike, cigare dhe produkte të tjera të vogla me vlerë totale prej 52.900 denarësh nga tregu, pas së cilës është arratisur në drejtim të panjohur me biçikletë.

“Më 18 prill, ai përsëri është përpjekur të hyjë në të njëjtin dyqan në të njëjtën mënyrë, por shpejt është vërejtur nga kalimtarët dhe punonjësit të cilët e kanë raportuar në polici”, thonë nga Prokuroria Publike e Shkupit.

Ndaj të dyshuarit 39-vjeçar nga Kosova është propozuar masa e paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes.