Një rrugëtim emocionues, Ermonela Jaho për Portalb: Të hysh botën e operës është luftë, por të qëndrosh është dhimbje e bukur
Me një zë që pushton skenat më të mëdha të botës dhe një ndjeshmëri që prek shpirtin e publikut, Ermonela Jaho ka arritur të bëhet një nga sopranot më të vlerësuara ndërkombëtarisht. Nga Tirana drejt La Scalas, Metropolitan-it e Covent Garden-it, rrugëtimi i saj artistik është një histori suksesi, përkushtimi dhe pasioni. Ajo që sot quhet “sopranoja e shpirtit” ka bërë që publiku në çdo skenë botërore të ngrihet në këmbë mes lotësh dhe duartrokitjesh. Një bisedë ekskluzive për Portalb.mk, Ermonela Jaho zbulon shumëçka nga prapaskenat e karrierës së saj, sfidat, sakrificat, triumfet dhe detaje të tjera.
Portalb.mk: Nga një vajzë në Rrëshen e Tiranë, deri te një divë e skenave botërore, a e kujtoni momentin kur ndjetë se ëndrra juaj po bëhej realitet?
Nuk pati një çast të vetëm… më shumë ishte si një ndjesi që rritej ngadalë, në heshtje. Kam qenë gjithmonë ajo vajza që ëndërronte në dhomën e saj të vogël në Tiranë, me sy drejt qiellit dhe zemër të etur për të folur me botën përmes muzikës. Ndoshta kur u gjenda për herë të parë në një nga ato skena të mëdha dhe pashë sytë e publikut që qanin me mua, aty ndjeva: kjo nuk është më vetëm ëndrra ime , është një jetë që po jetohet me kuptim.
Portalb.mk: Çfarë ka qenë më sfiduese për ju: të hynit në botën e madhe të operës, apo të qëndronit në majat e saj?
Të hysh është luftë, por të qëndrosh është një dhimbje e bukur që nuk pushon kurrë. Në këtë botë, gjithçka është e përkohshme, e paqëndrueshme. Çdo performancë është si hera e parë dhe frika nuk largohet kurrë. Por ndoshta sfida më e madhe është të mbetesh e vërtetë, të mos humbasësh atë vajzën që nisi këtë rrugë me thjeshtësi dhe besim. Të mos lejoj që fama të bëhet një maskë.

Portalb.mk: Nëse do të përshkruanit karrierën tuaj me një metaforë, cila do të ishte dhe pse?
Do e përshkruaja si një udhëtim përmes mjegullës drejt dritës. Asgjë nuk ka qenë e qartë, gjithçka e fituar me zemër të dridhur, por me besim se diku në fund, drita do vinte. Dhe ajo dritë nuk ishte suksesi, por mundësia për të ndarë emocione të vërteta me të tjerët.
Portalb.mk: Si ndihet një artiste shqiptare kur merr duartrokitjet e Covent Garden, La Scala apo Metropolitan Opera?
Janë çaste të jashtëzakonshme… por ajo që më prek më shumë nuk është madhështia e sallave, por ndjenja që në ato momente jam jo vetëm unë, por një zë që përfaqëson vendin tim, rrënjët, kujtimet. Në ato çaste, Shqipëria është me mua në skenë me gjithë krenarinë, mallin dhe dhimbjen që e mbart. Janë duartrokitje që më përulen, por mbi të gjitha më përkulin.
Portalb.mk: Çfarë sakrificash fshihen pas dritave të skenës dhe duartrokitjeve të pafundme të publikut?
Janë sakrifica që nuk duken. Net pa gjumë, rraskapitje fizike, mungesa të mëdha në jetën personale, një lloj vetmie që shpesh bëhet peshë. Kam humbur njerëz të dashur në çaste kur isha larg, kam ndjerë boshllëk edhe në kulmin e suksesit. Arti të kërkon gjithçka… dhe shpesh nuk të jep mundësinë ta marrësh mbrapsht.
Portalb.mk: Ju quajnë “Sopranoja e emocioneve” si është të mbani këtë “kurorë” në çdo dalje në skenë?
Është një përgjegjësi që nuk e kërkova, por që e ndjej në çdo qelizë. Të japësh emocion nuk është teknikë është të hapësh plagët e tua dhe të lejosh publikun të hyjë aty. Është dhimbje e bukur, sepse i përket së vërtetës.

Portalb.mk: Cilin rol e keni jetuar më intensivisht, duke derdhur shpirtin dhe dhimbjen tuaj personale në të?
Suor Angelica. Ky rol nuk ishte më vetëm muzikë apo interpretim për mua ishte një lloj rrëfimi i heshtur, një thirrje e brendshme që më shkundte thellë. E kam kënduar në një nga periudhat më të dhimbshme të jetës sime: kur kisha humbur të dy prindërit. Mamin e kisha humbur më parë, dhe më pas babin. Por nuk arrita të qaj. Isha e mpirë, e ngrirë nga dhimbja, si fëmijët që nuk e kuptojnë menjëherë çfarë do të thotë të mbetesh vetëm në këtë botë.
Dhe pastaj, erdhi Suor Angelica… Në atë moment të operës, kur asaj i komunikohet vdekja e të birit që nuk e kishte parë për vite të tëra, ndodhi diçka që nuk e kam përjetuar kurrë më parë në skenë. Nuk isha më ajo murgesha e re që mëson për humbjen e fëmijës. Isha unë, Ermonela. Fëmija që sapo kishte humbur të dy prindërit. Nuk mund ta mbaja më dhimbjen. Kam qarë në skenë me ngashërim, me gjithë shpirtin jo si personazh, por si njeri që më në fund po shkarkonte gjithë atë peshë që e kishte mbajtur brenda vetes për shumë kohë.
Ishte një moment i shenjtë. I vetmi vend ku dhimbja ime mund të dilte e lirë, ishte skena. Për këtë arsye, Suor Angelica nuk është më një rol për mua. Është plagë. Është lutje. Është përqafimi i fundit që nuk arrita t’ua jepja dot atyre.
Portalb.mk: Në një interpretim të madh sa është teknikë dhe sa është shpirt?
Teknika është si kockat e trupit-të mban në këmbë. Por pa shpirt, nuk lëviz dot asnjë hap që prek dikë. Për mua, është shpirt mbi gjithçka. Më mirë një notë e papërsosur me zemër, sesa një frazë e përsosur pa ndjeshmëri.
Portalb.mk: A ka ndodhur ndonjëherë që një rol t’ju konsumojë aq shumë emocionalisht, sa të mos dilni dot menjëherë nga personazhi?
Po. Më ka ndodhur shumë herë. Ka net ku pas shfaqjes kam qëndruar pa gjumë e vetme në një cep të dhomës, duke qarë në heshtje. Jo sepse isha e trishtuar, por sepse nuk dija ku të shkoja nga gjithë ajo ndjesi. Kur jeton thellë një rol, ai nuk të lejon ta lësh lehtë.
Portalb.mk: A ndiheni më shumë si një artiste që jeton për muzikën, apo si një ambasadore e Shqipërisë në botë?
Unë nuk e kam ndarë kurrë veten nga Shqipëria. Edhe kur jam larg, ajo është brenda meje. Jam artiste që jeton për të ndarë shpirtin me të tjerët, por e ndjej si mision edhe të tregoj se nga vij. Se edhe një vajzë shqiptare, nga një vend i vogël, mund të flasë me zërin e botës.
Portalb.mk: Pas gjithë suksesit dhe lavdërimeve a mbani ende ndonjë peng apo ndonjë frikë të pashprehur?
Kam shumë frikë nga momenti kur ndoshta nuk do të ndjej më si dikur. Frika që një ditë skena të mos më ndezë si sot. Peng? Që nuk kam qenë aty për të dashurit e mi sa herë më kanë dashur më pranë. Ndonjëherë suksesi e merr kohën që zemra kërkon t’ua japë të tjerëve.
Portalb.mk: Çfarë ju bën të thoni: “Ia vlejti gjithë ky udhëtim”? Si e përkrahni emancipimin dhe avancimin e gruas shqiptare? Çfarë dëshironi të ndryshoni në shoqërinë tonë?
Kur më shkruajnë vajza të reja shqiptare dhe më thonë: “Më ke frymëzuar”, aty ndalem dhe them: po, ia vlejti. Dua që çdo grua shqiptare të besojë se zëri i saj ka rëndësi. Se ne nuk jemi të vogla-na kanë bërë të ndihemi të tilla. Dëshiroj një shoqëri që dëgjon më shumë, gjykon më pak, dhe i jep grave hapësirën për të qenë vetvetja.

Portalb.mk: Çfarë jeni duke përgatitur aktualisht dhe kur do t’ju shohim sërish në një skenë shqiptare?
Jam duke u përgatitur me emocion për një Gala të veçantë në Tiranë më 17 shtator ,një moment që do ta ndaj me shumë dashuri me publikun tim. Pastaj vijojnë Teatro Real, Gjakova Nje Gala me TKOB ku bashkohen zemrat nepermjet Muzikes – Gjuhes universale, Londra, MET në New York, Vienna, Paris etj … Por kthimi në Shqipëri është gjithmonë ndryshe. Është si të këndosh me rrënjët.
Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për artdashësit dhe për të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë të ndjekin rrugën tuaj?
Mos kini frikë të jeni të brishtë. Brishtësia nuk është dobësi është pasuria më e thellë që mund të keni si artistë dhe si njerëz. Forca nuk vjen nga një zë i fortë, por nga një zemër e ndershme. Mos kërkoni perfeksionin, por të vërtetën. Mos e matni suksesin me sa shumë duartrokitje merrni, por me sa thellë i keni prekur shpirtrat përballë jush.
Arti nuk është për të shkëlqyer, por për të ndriçuar zemrat e të tjerëve edhe në errësirën më të thellë. Nëse doni të ndiqni këtë rrugë, bëjeni me përulësi, me durim, dhe mbi të gjitha me dashuri. Sepse vetëm dashuria që vjen nga brenda ajo e sinqerta, e papërkryer dhe njerëzorja është ajo që mbetet përgjithmonë.