Një orë e gjysmë në pritje të autobusit 19, tjetër orar në ueb-faqe, tjetër te shoferët

Orari që tregohet në ueb-faqen e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik (NQP), nuk është i njëjtë me orarin të cilin e kanë shoferët dhe në bazë të të cilit funksionon linja 19. Në ueb-faqe thuhet se kjo linjë qarkullon 60 herë në një drejtim prej orës 5 të mëngjesit deri në ora 23, ndërkaq, në fakt qarkullon vetëm 12 herë, shkruan Portalb.mk.

Mbi tetë muaj qytetarët e Shkupit po përballen me kaosin e transportit publik. Autobusë janë të stërmbushur me udhëtarë, të cilët në kushte të ndryshme klimatike presin me orë të tëra për të shkuar në punë, mjek, shkollë apo për t’i kryer obligimet e përditshme.

Në periudhën prej 8 deri në 9.30, sot një orë e gjysmë pritëm autobusin me numër 19, në relacionin Shutkë – Karposh. Qytetarët janë të revoltuar pasi çdo ditë përballen me të njëjtin problem – autobusët vonohen, kur vijnë janë stërmbushur me udhëtarë.

“Mbi një orë jam duke pritur autobus për të shkuar deri në qendër të Shkupit a jemi larg vetëm 3 kilometra, kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Qytetarët duhet të bëjnë protesta dhe ta ngritin zërin sepse me muaj po përballemi me këtë problem”, tha  për Portalb.mk, një qytetar i cili ishte duke pritur autobus në një bisedë me gazetarin e Portalb.mk.

“Mbase do habitesha mos vonohet ose mos ketë rrëmujë. Madje, një ditë nga shtyrjet për shkak rrëmujës, u thye edhe qelqi i derës së autobusit. Nuk e di nëse pat të lënduar, por i trishtoi udhëtarët dhe fëmijët. Është e tmerrshme ta mendosh se si të trajton shteti. Nuk të ofron mundësinë minimale për të funksionuar në një kryeqytet që pretendon të bëhet evropian. Sfidë në vete është të arrish në punë”, tha një qytetar tjetër për Portalb.mk.

Portalb.mk ka siguruar orarin, në bazë të të cilët shoferët e autobusëve të linjës 19-të punojnë dhe i cili është në fuqi prej 23 janarit të këtij viti. Ky orar, nuk është i njëjtë me atë të cilin NQP e ka publikuar në ueb-faqe dhe në bazë të të cilit qytetarët informohen për orarin e linjave të autobusëve.

Orari zyrtar i autobusëve të linjës 19, të cilin e përdorin shoferët
Orari zyrtar i autobusëve të linjës 19, të cilin e përdorin shoferët

Për shembull, sipas orarit të shoferëve, prej orës 5.20 deri në ora 23.45, në relacionin Shuto Orizare – Karposh, në tre turne, duhet të qarkullojnë 12 autobusë dhe po aq anasjelltas.

Siç mund ta shihni orarin, distanca kohore e njërit autobus deri te tjetri është 45 minuta deri në një orë e gjysmë.

Por, qytetarët nuk informohen prej këtij orarit, por prej atij që ndodhet në ueb-faqen e NQP-së.

Sipas orarit të ueb-faqes, prej orës 5.20 deri në ora 23.05 në relacionin Shuto Orizare – Karposh, duhet të qarkullojnë 60 autobusë dhe po aq anasjelltas.

Orari i autobusëve të linjës 19 në ueb-faqen e NQP-së
Orari i autobusëve të linjës 19 në ueb-faqen e NQP-së

Sipas informatave të Portalb.mk, të cilat na kanë konfirmuar dy burime të besueshme, në Shkup momentalisht ka vetëm 5 autobusë të cilët qarkullojnë në linjën 19.

“Pesë autobusë ka gjithsej, kaosin e shohim çdo ditë. Ankohen qytetarët, por ne jemi shoferë s’kemi faj ne. Para këtij turni, kisha ndoshta mbi 200 persona, tmerr ishte. Gjithashtu ka mungesë të shoferëve dhe s’mund të mbulohen siç duhet linjat”, tha një shofer i autobusit të linjës 19 në bisedë joformale me gazetarin e Portalb.mk.

Burimet e Portalb.mk, informojnë se madje për sot, vetëm 2 autobusë prej gjithsej 5, sot kanë qarkulluar në orarin e turnit të mëngjesit, pasi që 3 të tjerë janë dërguar për t’i bartur nxënësit e shkollës së Shuto Orizares për një aktivitet.

Portalb.mk dërgoi pyetje deri te NQP për të pyetur për situatën me linjën 19, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë dërguar përgjigje.

Traseja e linjës së autobusit me numër 19 në Shkup:

Gjatë ditës së djeshme, kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, ka mbajtur brifing të fshehtë me disa gazetarë të disa mediave, në të cilin ka njoftuar se autobusët e transportuesve privat për një javë do të mund të kyçen në transportin publik.

Transportuesit privatë pushuan së qeni pjesë e transportit publik të qytetit në nëntor të vitit 2022 për shkak të borxheve që kërkuan t’i paguante Qyteti i Shkupit. Në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, më shumë se 100 autobusë të parkuar në udhëkryqet kryesore bllokuan kryeqytetin.

Në ndërkohë, autoritetet e qytetit i hodhën poshtë pretendimet se u kishte borxh, por nga kontrolli rezultoi se Qyteti i Shkupit e ka gabim.

Ndërkaq, kryetarja Arsovska akuzoi transportuesit privatë se kanë bërë tarifa për pesë vjet dhe nuk kanë raportuar asnjë biletë të shitur. Siç theksoi ajo, dy kompanitë private publike të qytetit “Makekspres” dhe “Sloboda prevoz” në pesë vitet e fundit, përkatësisht nga viti 2017 e deri më sot, nuk kanë regjistruar asnjë biletë të shitur në autobusët që lëvizin për dy shoqatat, edhe pse kanë paraqitur se kanë vozitur rreth 400.000 kilometra në muaj dhe për këtë kanë llogaritur nga një euro për një kilometër të kaluar të cilën ia kanë faturuar NQP-së.

Bllokada e autobusëve privat në Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk
Bllokada e autobusëve privat në Shkup, foto: Suad Bajrami/Portalb.mk

Kjo u pasua nga kërcënimi për padi për shpifje nga kompanitë private.

Qyteti i Shkupit në pjesën e parë të prillit të këtij viti, për herë të katërt shpalli thirrje publike për ndarjen e pakos së linjave dhe për dhënien e lejeve për transport të linjave të udhëtarëve në transportin publik të Shkupit. Kjo është thirrja e katërt për angazhimin e sërish të transportuesve privat në linjat urbane-periferike, pasi nuk pati sukses thirrja e marsit.

Thirrja ka të bëjë në lidhje me 16 linja, gjegjësisht për numrat 9, 11, 11A, 12, 19, 20, 22, 23, 45, 47A, 52, 54, 55, 61, 63 dhe 73. Për mirëmbajtjen e këtyre linjave transportuesit duhet të sigurojnë 115 autobusë dhe 245 shoferë. Afati përfundimtar për dorëzimin e paraqitjeve nga ana e transportuesve privat ishte më 24 prill.