Një muaj paraburgim ndaj Arianit Sllamnikut, dyshohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe eksperimente

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Arianit Sllamnikut, i cili po dyshohet për dy vepra penale: për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike dhe eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të barërave, raporton Kallxo.

Gjykata ka njoftuar se nga periudha e papërcaktuar kohore e deri më datë 20.01.2026, në Gjilan, në lokalin e regjistruar si ‘’Consulence’’, Sllamniku, pa kualifikim përkatës profesional, pa licencë dhe pa autorizime ligjore për ushtrimin e veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike, ka kryer trajtime mjekësore dhe vizita mjekësore e këshilluese kinse për shërimin e Autizmit.

Kësisoj, ai dyshohet se kishte përshkruar e rekomanduar përdorimin e terapive të ndryshme të pa verifikuara e të pa konfirmuara, përkundër se nuk ka pasur njohuri e as kualifikim për këtë fushë mjekësore.

Gjithashtu Sllamniku dyshohet se edhe përmes komunikimit nga llogaria e tij dhe përmes telefonit, në kundërshtim me ligjin për veprimtarinë farmaceutike dhe rekomandimet e OBSH-së, ka kryer eksperimente mjekësore duke rekomanduar terapi farmaceutike të pa verifikuar për probleme shëndetësore konkrete.

Sipas komunikatës së Gjykatës, pas vizitave të drejtpërdrejta apo kontakteve përmes komunikimit elektronik me persona të ndryshëm, kryesisht fëmijë të prekur nga spektri i autizmit, Sllamniku dyshohet se ka rekomanduar, përshkruar dhe udhëzuar përdorimin e terapive të pa-verifikuara dhe të pa-testuara, duke i paraqitur ato si metoda për largimin e metaleve nga trupi dhe për shërimin e autizmit.

Dhe, në këmbim të këtyre shërbimeve pranon shuma të ndryshme të pagesave, e që sipas Gjykatës, ka qenë i vetëdijshëm se terapitë e këshilluara nuk ishin të testuara në njerëz dhe për probleme të tilla shëndetësore e për të cilat nuk kishte njohuri bazike as për efektet anësore.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Kësisoj ai po dyshohet për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të barërave”.

Sipas Kodit penal, neni 256, kushdo që pa pasur kualifikimet profesionale apo autorizimet ligjore, kryen trajtime mjekësore, shërbime farmaceutike ose angazhohet në aktivitete tjera mjekësore për të cilat me ligj kërkohen kualifikime të posaçme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Kurse, neni 257 te “eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave” thuhet se kushdo që pa autorizim ose në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm kryen eksperimente mjekësore, eksperimente të klonimit të njeriut apo eksperimente të ngjashme në njerëz, dënohet me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.

  1. Kushdo që pa autorizim ose në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm kryen testime klinike të barërave, dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Policia e Kosovës ka arrestuar Arianit Sllamnikun nga Gjilanit, më 20.01.2026.

Prokuroria Themelore në Gjilan më herët konfirmoi se ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrje të veprimeve hetimor lidhur me rastin e Arianit Sllamnikut, konspiracionistin i cili, sipas mediave, disa personave u ka shitur ilaçe për kafshë me pretendimin se me to fëmijët do të shërohen nga autizmi.

Për këtë rast, më 19.01.2026 ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.

MSH ka njoftuar se lidhur me rastin ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes.

“Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë. Lidhur me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore”, thuhet në reagim.

Ministria tutje ka thënë se shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe vetë Arianit Sllamniku.

Përmes një video-mesazhi, ai ka premtuar se do ta vazhdojë “misionin” e tij.

“Ato dy zonjat u paraqitën të cilat nuk e kanë përdorë dhe kanë provu te fëmijët e tyre protokollin në fjalë. Por nuk pat asnjë që e ka provu dhe ka pasë efekte anësore apo përkeqësim të gjendjes së fëmijës… Arianit Sllamniku askënd nuk e ka mashtru me logjikën e shëndoshë të një analize në lidhje me ndonjë sëmundje sepse nuk vijnë vetëm autikët te unë… Unë askënd nuk e kam detyru me ardhë te unë, është vullnet i lirë i secilit që të drejtohet te unë… Ne jemi të hapur, puna jonë vazhdon, angazhimi im nuk ka me u ndalë, sepse mbi të gjitha është mision që i kam dhënë vetes. Brenda katër viteve nuk do ta lë asnjë fëmijë shqiptar autik”, ka theksuar ai.

Edhe Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë – KOMF ka shprehur shqetësim të lidhur me raportimet se një individ dyshohet se ka ofruar barna për “shërimin” e fëmijëve me autizëm.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka thënë se “ky rast nuk duhet trajtuar vetëm si një incident i izoluar apo si përgjegjësi individuale penale, por si një fenomen alarmant që nxjerr në pah dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve”.

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka deklaruar se niveli i ulët i edukimit shëndetësor dhe informimit publik mbi çrregullimet e spektrit të autizmit krijon terren për dezinformim.

“Autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, por një gjendje që kërkon ndërhyrje multidisiplinare, mbështetje afatgjate dhe respektim të dinjitetit të fëmijës dhe familjes”, ka theksuar ajo.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës në Gjilan u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë marrë shërbime shëndetësore ose konsultime nga personi i përmendur dhe që mendojnë se mund të jenë dëmtuar, qoftë materialisht ose shëndetët, të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim.