Një kompani në RMV u kap në flagrancë duke ofruar shërbime postare në mënyrë të paligjshme, padi kundër dy personave
Inspektorët doganorë nga Departamenti për hetim, në një aksion të koordinuar me Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e të Ardhurave Publike, Agjencinë Postare dhe Inspektoratin Shtetëror të Tregut, kryen bastisje të një kompanie që ofronte në mënyrë të paligjshme shërbime postare ndërkombëtare dhe mallra të kontrabanduara. Në kohën e kontrollit, u gjetën gjithsej 166 dërgesa postare me mallra të ndryshme, me një vlerë totale prej gati 240 mijë denarësh, transmeton Portalb.mk.
“Mallrat e gjetura të kontrabanduara u sekuestruan, dhe inspektorët ngritën kallëzime penale kundër një personi juridik dhe një personi fizik për veprën penale të fshehjes së mallrave që janë objekt i kontrabandës dhe mashtrimit doganor”, njoftoi Drejtoria Doganore.
Konkretisht, kompania ofronte shërbime postare ndërkombëtare pa licencë përkatëse, ndërsa importonte dërgesa postare me automjete përmes një kalimi kufitar, pa i raportuar ato te autoritetet doganore. Dërgesat më pas ruheshin në mënyrë të paligjshme në një depo në pronësi të saj, me qëllim transportimin e tyre nga atje te klientët, për të cilat ajo do të ngarkonte një tarifë.
Drejtoria Doganore thotë do të vazhdojë me kontrolle të intensifikuara dhe aktivitete të koordinuara që synojnë zbulimin dhe parandalimin e të gjitha formave të kontrabandës dhe operacioneve të paligjshme, “mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe sigurimin e kushteve për konkurrencë të ndershme”.