Një grup punëtorësh të TV Klan Maqedoni me hapa ligjor kundër drejtuesit të kësaj medie: “Na larguan njëanshëm dhe pa paralajmërim”
Një grup punëtorësh të TV Klan Maqedoni, i cili siç është njoftuar do të mbyllet, kanë njoftuar se do të ndërmarrin hapa ligjorë kundër drejtuesit të këtij televizioni Faton Shoshi, për shkak të siç thonë, largimeve të padrejta nga puna, të kryera në mënyrë të njëanshme, pa paralajmërim dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi që mbron të drejtat e punëtorëve, transmeton Portalb.mk.
“Në emër të një grupi punëtorësh të TV Klan Maqedoni, ju njoftojmë publikisht për vendimin tonë që të ndërmarrim hapa ligjorë kundër drejtuesit të këtij televizioni Faton Shoshi, për shkak të largimeve të padrejta nga puna, të kryera në mënyrë të njëanshme, pa paralajmërim dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi që mbron të drejtat e punëtorëve. Këto veprime përbëjnë një shkelje flagrante të rendit dhe të ligjit, si dhe cenojnë dinjitetin dhe sigurinë e punës së shumë punonjësve që me përkushtim kanë kontribuar në funksionimin e këtij institucioni medial. Largimet janë kryer pa asnjë proces të rregullt disiplinor, pa respektuar afatet ligjore dhe pa ofruar arsyetime konkrete apo të dokumentuara”, thuhet në njoftim.
Përmes një emaili dërguar mediave, ata kërkuan që ky shqetësim të marrë vëmendje në opinionin publik dhe në institucionet relevante shtetërore, me qëllim që të ndalohen praktikat e tilla arbitrare dhe të sigurohet mbrojtja e të drejtave të punëtorëve në çdo nivel.
Ditëve të fundit është njoftuar se TV Klan Maqedoni do të mbyllet, ndërsa do të vazhdojë vetëm në rrjetet sociale t’i informojë qytetarët dhe lexuesit e saj. A
gjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele ka konstatuar se Klan Maqedoni nuk i plotëson kushtet minimale kadrovike të përcaktura me rregullore.
“Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele sipas detyrës zyrtare ka kryer mbikëqyrje të jashtëzakonshme administrative kundrejt punës së TV Klan Macedonia me qëllim që të konstatojë nëse i plotëson kushtet minimale kadrovike të përcaktuara në Rregulloren për kushtet minimale teknike, hapësinore, financiare dhe kadrovike për marrjen e licencës për transmetim në radio dhe televizion. Me mbikëqyrjen u konstatua se transmetuesi nuk i plotëson kushtet minimale të kadrovike të përcaktuara në këtë Rregullore. TV Klan Mcedonia – (neni 62 paragrafi 6 nga LSHMAAV dhe neni 21 nga Rregullorja për kushtet minimale teknike, hapësinore, financiare dhe kadrovike për marrjen e licencës për transmetim në radio dhe televizion) – 04.04.2025”, thonë nga Agjencia.