Një grup protestuesish ndaloi mbylljen e vendkalimit të paligjshëm për këmbësorë në Bit Pazar
Disa muaj pas njoftimeve të kryetarit të Qytetit të Shkupit Orce Gjorgjievski, sot ekipet e qytetit filluan të ngrinin një gardh dhe të mbyllnin kalimin e paligjshëm për këmbësorë pranë Bit-pazarit, por u ndaluan nga një grup protestuesish të cilët qëndruan si mburojë njerëzore dhe nuk lejuan mbylljen e këtij kalimi të paligjshëm, transmeton Portalb.mk.
Paraprakisht kryetari i Qytetit, deklaroi se banorët e Çairit kishin kërkuar që ky “kalim i egër për këmbësorë të legalizohet“, por Qyteti, siç njoftoi Gjorgjievski, për sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në trafik, e hodhi poshtë kategorikisht kërkesën e tyre dhe nuk po e ndryshon vendimin që në vend të vendoset përsëri një gardh metalik.
“Pati kërkesë nga disa qytetarë nga ajo pjesë e Shkupit që ai kalim të legalizohet, por ne jemi kategorikë se vendi duhet të mbyllet për arsye sigurie si për këmbësorët ashtu edhe për ata që përdorin automjete. Gardh do të vendoset në atë vend”, deklaroi Gjorgjievski në atë kohë.
Megjithatë, aksioni i sotëm u prit me pakënaqësi të madhe nga banorët e Çairit, të cilët bllokuan bulevardin “Kërste Petkov Misirkov” në shenjë proteste dhe ndaluan plotësisht trafikun, duke mos lejuar shërbimet të mbyllin këtë kalim të paligjshëm.
Në rrjetet sociale janë shfaqur video që tregojnë një prani të madhe të zyrtarëve të policisë dhe dhjetëra protestuesve në vend, duke penguar fizikisht instalimin e një gardhi dhe duke kërkuar që kalimi të mos mbyllet dhe të vazhdojë të funksionojë si më parë.
Kujtojmë se edhe gjatë vitit 2019 një grup qytetarësh kishin protestuar për mosmbylljen e këtij kalimi për këmbësorë.
Ndonëse në një distancë rreth 750 metra, ka edhe 4 vendkalime tjera, qytetarët insistojnë që të mos mbyllet ky vendkalim.