Nga Tirana në Prishtinë e Maqedoni të Veriut, “Forum 26” bashkon fjalën shqipe
Është themeluar Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë “Forum 26”, si një hapësirë e përbashkët kulturore për letërsinë shqipe. Autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe mërgata shqiptare e kanë zyrtarizuar shoqatën të premten në mesditë, në Tiranë, shkruan Portalb.mk.
Në takimin themelues është zgjedhur edhe kryesia: Stefan Çapaliku kryetar, Ag Apolloni zëvendëkryetar, ndërsa Granit Zela është koordinator.
Kryetari Stefan Çapaliku për Portalb.mk tha se gjendja e leximit publik dhe pamundësia për të qenë një zë publik I ka bërë të bashkohen në këtë Forum.
“Gjendja e leximit publik, e statusit social të artistit, e letërsisë që vazhdon të konsiderohet si e ndarë ndermjet shteteve te ndryshme dhe aktivitet intelektual i dorës së fundit; pamundësia për të qenë një zë publik; na ka bërë të bëhemi bashkë në këtë Forum, i cili ka për qëllim nxitjen e: krijimit të një hapësirë të unifikuar botuese, tregtare dhe kulturore për librin shqip dhe qarkullimin të lirë të ideve, autorëve dhe botimeve. Për realizimin e këtij qëllimit ne do të ndikojmë te Ministritë e Kulturës të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në realizimin e një auditimi dhe monitorimi të tregut aktual, me qëllim që të bëhen publike problematikat që kanë lidhje me analizën e çmimeve të librit, koston e shpërndarjes, barrierat doganore, legjislacionin në përkrahje të autorit dhe lexuesit. Kësisoj do bëjmë publike brenda këtij gjashtëmujori të parë një Raport të Pengesave, i cili do na ofrojë një diagnozë të saktë të problemit”, tha Çapaliku.

Ai shtoi se qëllimi i tyre është rritja urgjente e shprehive të leximit publik.
“Ne gjithashtu do nxisim realizimin e një marrëveshje ndërqeveritare për librin dhe nënshkrimin e një Memorandumi të Tregut të Përbashkët të Librit, për të cilin palët duhet të bien dakord për heqjen ose thjeshtimin e procedurave doganore për librin. Trajtim të njëjtë fiskal (TVSH e barazuar ose zero), njohjen reciproke të ISBN-ve, në mënyrë që libri shqip të trajtohet si produkt kulturor, jo mall tregtar i zakonshëm. Forumi gjithashtu do të ndikojë në standardizimin e të drejtave të autorit, unifikimin praktik të kontratave botues–autor dhe të licencave digjitale. Forumi do bëjë presion në krijimin e një rrjeti të përbashkët shpërndarjeje, në arritjen e një marrëveshjeje mes distributorëve: Librat e botuar në Tiranë të jenë automatikisht në Prishtinë dhe anasjelltas.” tha ai.
Sipas tij, duhet të nxisim gjithashtu ndërtimin e depove logjistike të përbashkëta, që do shërbejnë si pika shpërndarjeje.
“Krijimi i një platforme digjitale të librit shqip, botimi i katalogut “Book inprint” online. Nxitja e manifestimeve kulturore me fokus autorët, debatet, përkthimet, lexuesin e ri. Ndërtimi i një Fondi të Përbashkët për Botime Shqipe. Të gjitha këto nuk kërkojnë reforma utopike, sepse ne i mbështesim këto nisma në gjuhën tonë të përbashkët dhe tregun ekzistues, që mund të hyjnë në një fazë të re zhvillimi për ta zhvendos librin shqip nga folklori te industria kulturore. Po e kuptojmë që strukturat përgjegjëse janë larg rolit të tyre dhe rezultatet janë skandaloze. Kjo vjen ose nga padija ose nga mungesa e vullnetit ose nga të dyja bashkë. Qëllimi ynë final është rritja urgjente e shprehive të leximit publik”, tha Çapaliku.
“Forum 26” synon të krijojë një platformë reflektimi, dialogu dhe bashkëpunimi mes shkrimtarëve shqiptarë, pavarësisht se ku jetojnë dhe ku krijojnë. Themeluesit thonë se kjo nismë vjen si përgjigje ndaj nevojës për ruajtjen dhe forcimin e fjalës artistike shqipe, përtej kufijve dhe ndikimeve politike, me fokus të vetëm krijimtarinë.
Grupi themelues i Forumit të Shkrimtarëve Shqiptarë “Forumi 26” përbëhet nga:
- Andreas Dushi, Tiranë
- Adil Olluri, Prishtinë
- Ag Apolloni, Prishtinë
- Donika Dabishevci, Prishtinë
- Durim Taçi, Tiranë
- Entela Tabaku, Suedi
- Ervin Nezha, Librazhd
- Gazmend Krasniqi, Tiranë
- Granit Zela, Tiranë
- Ledia Dushi, Shkodër
- Lulëzim Haziri, Shkup
- Mark Pashku, Podgoricë
- Marsela Neni, Elbasan
- Ndue Ukaj, Prishtinë
- Vlora Konushevci, Prishtinë
- Primo Shllaku, Tiranë
- Stefan Çapaliku,Tiranë
- Visar Zhiti, USA
President Nderi i Forumit është zgjedhur Visar Zhiti.