Nga Berlini në Bruksel: mesazhe për të ardhmen e BE-së

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal

Olaf Scholz: “BE-ja e zgjeruar duhet të jetë një BE e reformuar”

Fjalimi i kancelarit gjerman Olaf Scholz më 9 maj në Parlamentin Evropian është pjesë e nismës “Kjo është Evropa” e Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Mazzola. Kjo nismë është e rëndësishme në kontekst të “Konventës për të Ardhmen e BE-së” të përfunduar, në kushte kur ende nuk është hapur zyrtarisht procedura për reformat në BE.

Scholz ishte kryeministri i dhjetë që pati mundësinë që t’i prezantojë para deputetëve pikëpamjet e tij për të ardhmen e Evropës. Ai zgjoi më shumë vëmendje se paraardhësit e tij, para së gjithash sepse vjen nga vendi më i fuqishëm evropian. Mesazhet e tij u analizuan me kujdes. Think-tanku i brendshëm i Parlamentit Evropian mati se ai i kushtoi më shumë kohë gjeopolitikës së Evropës (23%), pastaj migrimit (12%), luftës në Ukrainë (7%) dhe zgjerimit (7%), pastaj edhe çështjeve të tjera – historisë së Evropës, reformave në BE-së, tregtisë…

Këtu i veçojmë pikat që janë veçanërisht të rëndësishme për zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor, por të analizuara në një kontekst më të gjerë dhe mesazhe të ndërlidhura.

Sipas Scholz-it Evropa gjeopolitike është, “e zgjeruar dhe e reformuar, e hapur drejt të ardhmes”. Edhe pse nuk ka propozime befasuese, i rëndësishëm është konteksti gjeopolitik, e në veçanti vlerësimi se “bota po bëhet multipolare” dhe se Evropa duhet të jetë e bashkuar, por që tani ka nevojë për më shumë bashkëpunim dhe hapje. Disa analistë e interpretojnë këtë si në kundërshtim me angazhimin e Macron-it ndaj BE-së si një fuqi globale. Në kuadër të Evropës gjeopolitike, përveç unitetit në mbështetjen e Ukrainës, theksohet koordinimi i mbrojtjes dhe forcimi i industrisë së integruar evropiane të mbrojtjes, partneriteti me SHBA-në dhe marrëdhëniet me Kinën dhe “jugun global”.

Duke përsëritur dënimin e agresionit rus dhe mbështetjen për Ukrainën, Scholz thekson se në këtë fazë vëmendja duhet t’i drejtohet rindërtimit të Ukrainës. Kjo konfirmon njoftimin për një angazhim të madh evropian (dhe financiar) në këtë vend.

Është e rëndësishme që kancelari gjerman në mënyrë të vazhdueshme dhe konsistente i kushton rëndësi zgjerimit, edhe pse nuk ka njoftime apo propozime të reja. Kjo mund të interpretohet edhe si bindje e partnerëve në vetë Bashkimin, të cilët janë më skeptikë ndaj zgjerimit. Duke kujtuar se zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor është edhe çështje gjeopolitike, edhe çështje kredibiliteti, dhe për arsye ekonomike, kancelari gjerman nuk lëshon të përmendë se reformat e shteteve kandidate duhet të përparojnë. Nga rajoni ai veçon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Më konkretisht, “guximi politik i Maqedonisë së Veriut duhet të çojë drejt një përparimi më të shpejtë drejt anëtarësimit” është fjalia që veçohet për ne dhe nuk përfaqëson asgjë të re.

Megjithatë, kuptimi i “më të shpejtë” duhet kërkuar tashmë në pikën tjetër kyçe – se zgjerimi është i lidhur me reformat e BE-së. Kjo, nga ana tjetër, e konfirmon qëndrimin dominues të vendeve anëtare të BE-së – se zgjerimi i BE-së nuk do të jetë i mundur pa reforma në BE. Për ato nevojitet kohë.

Ndër çështjet për reformat e BE-së, kancelari gjerman e theksoi braktisjen e unanimitetit për politikën e jashtme dhe tatimin, për të cilat konsensusi arrihet me vështirësi. Në ndërkohë duhet pasur parasysh se braktisja e unanimitet për politikën e jashtme nuk do të thotë automatikisht braktisje e unanimitet për zgjerimin. Më shumë ka të bëjë me sigurimin e funksionalitetit të BE-së (të zgjeruar) në politikën e jashtme – diçka që tashmë është një sfidë për Bashkimin.

Në këtë kontekst vlen të citohet një nga pikat e Scholz-it për legjitimitetin demokratik në BE: “Unanimiteti dhe pajtueshmëria 100% për të gjitha vendimet nuk është ajo që krijon legjitimitet më të madh demokratik. Puna dhe lufta për mazhoranca dhe aleanca është ajo që na shënjon ne si demokratë. Kërkimi për kompromise që janë në të njëjtën kohë të drejta për interesat e pakicës – ky është pikërisht thelbi i të kuptuarit tonë të demokracisë liberale!”.

Kancelari gjerman pranon se disa probleme prej vitesh me radhë po e paralizojnë BE-në, duke theksuar se “vende të tjera mund t’i ndajnë shumë lehtë dhe t’i kthejnë kundër njëri-tjetrit”. Nga këto probleme ai e veçoi migrimin, duke u angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje për paketën për migracionin dhe azilin përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian që do të mbahen vitin e ardhshëm. Mirëpo, ai në mënyrë specifike të veçantë u angazhua edhe për “emigracionin e arsyeshëm, të menaxhuar dhe të kontrolluar”, sepse Evropa ka nevojë për punëtorë nga vendet e treta. Kjo sigurisht ka një ndikim në Ballkanin Perëndimor, të përballur me problemin e migrimit.

Respektimi i parimeve demokratike dhe sundimi i ligjit është fusha tjetër veçanërisht e rëndësishme për vendet kandidate. Nëse është një “sine qua non” për Bashkimin, atëherë kushtëzimi është edhe më i fuqishëm për shtetet kandidate. Mbështetja për t’i dhënë më shumë të drejta Komisionit Evropian në procedurat e shkeljes në këtë fushë do të thotë një angazhim për më shumë meritokraci dhe reduktim të ndikimit politik të shteteve anëtare në këto procedura.